Kujdesi i Agron Llakaj për Ushqimin dhe Gatimi i Preferuar

1k 0

Agron Llakaj është padyshim ndër emrat më të dashur për shqiptarët.

Humori i tij, batutat e historitë e shumta kanë sjellë të qeshur pafund në familjet shqiptare.

Jo vetëm nga ekrani, por edhe nëse bisedon nga afër me zotin Llakaj është e pamundur që t’i shpëtosh pa qeshur dozave të vogla të humorit të tij.

E megjithatë, krahas famës së tij dhe figurës së dashur për të gjithë, kur vjen puna tek ushqimi të gjithë kemi preferencat tona ashtu siç edhe kujdesi që kushtojmë ndaj shëndetit, ushqimit dhe jetesës së shëndetshme.

Kujdesi Që Dikur Nuk Dinim

Sot, AgroWeb.org ndan me ju disa sekrete të vogla të Agron Llakaj që lidhen me mënyrën e të ushqyerit.

Krahas notave të humorit, Llakaj rrëfen për AgroWeb.org kujdesin që tregon në mënyrën se si ushqehet për të mbajtur jo vetëm trupin në formë por mbi të gjitha për shëndetin e gjithë organizmit.

Ai tregon se tashmë, edhe me kalimin e moshës kujdeset që të konsumojë vakte me sasi të vogla ushqimi, duke u kujdesur edhe për sasinë e kalorive.

“Në mënyrën e të ushqyerit, mundohem të konsumoj duke llogaritur kaloritë që deri dje nuk e dinim çfarë ishin.

Jam në moshën që nuk mund të ha çdo gjë ose mund të ha çdo gjë me lugë kafeje ose pirun glikoje, ëmbëlsirash. Më saktë është koha kur duhet të mësoj të ha me shkopinj si lindja e largët” shprehet Agron Llakaj.

Ushqim i Preferuar

Por pavarësisht kujdesit që tregon me sasitë e ushqimit që konsumon, edhe Agron Llakaj ka një ushqim të preferuar.

I pyetur nga AgroWeb.org ndaj gatimit që nuk mund t’i rezistojë dot ose që mbetet përherë më i preferuari i tij, ai na thotë:

“Unë gjithmonë kur bëj analizat, check up-in, më dalin rezultatet mbi rruazat e kuqe, rruazat e bardha si dhe…niveli i fasules në gjak.

Nuk bëj shaka, në ditët e sotme janë mundësitë për të shijuar gjithçka, por për mua ato mbeten më të preferuarat. Ndoshta me ato identifikohem, ndoshta si gjithë shqiptarët në fakt” thotë zoti Llakaj për AgroWeb.org.

Aktualisht, Llakaj është i angazhuar me nisjen e sezonit të ri humoristik, drejtuar prej tij “Al Pazar”./AgroWeb.org