Kultivimi i Thanave Shqiptare – Risia Fitimprurëse nga Frutat Medicinale    

2.9k 0

Shumë prodhime shqiptare janë krejt autentike, natyrale e shumë të çmuara për vlerat shëndetësore që kanë.

Së fundmi, fermerët kanë nisur me mençuri t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë kultivimit të bimëve medicinale, e në veçanti frutave medicinale.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org falë kushteve klimatike të përshtatshme, Shqipëria është ndër zonat më ideale në Evropë për kultivimin e frutave dhe bimëve medicinale krahas prodhimeve të tjera.

E tillë edhe nisma e Dashi Lames, fermerit nga Lushnja, i cili bazuar në suksesin e tij në prodhimin dhe eksportin e bimëve medicinale ka vendosur të nisë kultivimin e thanave.

“Kemi vendosur të mbjellim rreth 400 fidanë si fillim. Është një frut shumë i kërkuar dhe aktualisht në Shqipëri rritet vetëm në gjendje të egër.

Unë do të përdor farën autoktone të thanave që rriten në vendin tonë në gjendje të egër.

Perspektiva është shumë e mirë pasi thanat kërkohen jo vetëm për shijen e tyre por mbi të gjitha për vlerat medicinale që ato kanë për shëndetin” shprehet Lame për AgroWeb.org.

Periudha e mbjelljes së fidanëve të thanave nis nga Vjeshta deri në fillim të Pranverës.

Rëndësia e kultivimit të frutave medicinale

Kultivimi i frutave medicinale po krijon një derë të re në zhvillimin e bujqësisë shqiptare duke u shndërruar edhe në një biznes fitimprurës për fermerët.

I pyetur nga AgroWeb.org, Lame tha se ideja për kultivimin e thanave lindi pikërisht nisur nga interesi i lartë që ka hasur nga tregtarë të huaj në lidhje me eksportin e këtij fruti.

Aktualisht, Lame eksporton disa bimë medicinale të kultivuara këtu si sherebelë apo rigon drejt Austrisë, ndërsa e sheh këtë të fundit si potencial edhe për të eksportuar thana.

“Nga prodhimi i parë pritet të vilet pas 2 apo 3 vitesh. Synimi është që të zgjerojmë të mbjellat me këtë frut edhe më tej” shprehet Lame.

Bima dhe pema e thanës rritet nga pesë deri në 12 metra gjatësi. Thana është një pemë që rritet shumë lehtë dhe nuk ka nevojë për shumë mirëmbajtje.  Ato janë pemë jetëgjatë dhe mjaft të bukura.

Këto pemë rriten në terrene të ndryshme qofshin pjellore, me rërë ose me baltë. Megjithatë, terreni ideal mbetet toka me lagështi që garanton rritjen e fuqishme të pemës. Ruajtja e lagështisë së dheut përreth pemës së thanës është e nevojshme.

Përdorimi mjekësor i thanës

Fruti i thanës është përdorur për të ulur temperaturën dhe për të luftuar disa çrregullime të zorrëve.

Thartësia karakteristike e këtij fruti e bën atë mjaft të dobishëm në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare.

Thanat janë përdorur edhe për t’u kuruar nga diarea.

Thanat mund t’i ruani në frigorifer për disa ditë, për sa kohë i paketoni në një qese të izoluar mirë.

Ato jetojnë më gjatë në formën e tyre të thatë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.