Kultivimi i Trëndafilave – Biznesi i Ri Fitimprurës në Shqipëri  

1.6k 0

Kush nuk i dëshiron trëndafilat? Të kuq, rozë, të verdhë a të bardhë, ata të përfshijnë me bukurinë natyrale dhe aromën e mrekullueshme gjithashtu.

Por trëndafilat nuk dhurojnë vetëm humor dhe ndijesi të mirë, ato të dhurojnë edhe para gjithashtu.

Këtë e konfirmon familja punëtore Toça nga fshati Labinot i Elbasanit, të cilët kanë shndërruar në një biznes të mirëfilltë kultivimin e trëndafilave.

Kjo është historia e një familjeje, e cila la emigracionin dhe u kthye në Shqipëri për të rifilluar jetën këtu me një synim të qartë për të ardhmen.

Ata vendosën të kultivonin trëndafila.

Në një reportazh dedikuar kësaj historie suksesi në shqiptarja.com, të cilës i referohet AgroWeb, Toçajt eksperiencën e parë e kanë marrë në emigrim, por prej 16 vitesh ata janë kthyer në vendin e tyre dhe kultivojnë trëndafila.

Një biznes i ri me të ardhme

Në fillim ishte e vështirë për t’ia dalë, por vit pas viti lulet sa vijnë e përdoren më shumë nga ne shqiptarët, e për familjen Toça shpresat sa vinë e rriten për  një të ardhme më të mirë.

Vëllai i madh i Toçajve, Aliu shprehet se me kalimin e kohës është dashur të shtohet sasia dhe varietetet, kjo për shkak të rritjes së kërkesës.

“Kultivimi ne këtë degë, kemi zgjedhur sepse ka treg më shumë, ka dhe punë shumë, do teknikë e dije, si tek mbjellja e shkulja, pra tek të gjitha proceset e punës, deri tek mbjellja me kubikë që tregtohet gjatë verës” thotë Ali Toça për shqiptarja.com.

Por për të pasur vijushmëri dhe shtim të varieteteve duhet edhe mjeshtri në shartimin e trëndafilave, e Ademi është një ndër mjeshtrat e shartimit që i jep jetë plantacionit me trëndafila të Toçajve.

“Këtë punë ne e bëjmë si familje, dhe unë kontribuoj në punën time si shartues këtu tek daja. Këtë mjeshtëri e mora në Greqi, e mësova zanatin dhe besoj se do e arrijmë” thotë Ademi.

Kërkesat në rritje nga e gjithë Shqipëria

Të preferuar janë edhe trëndafilat e egër, të cilat përgatiten për t’u bërë një lule me shumë ngjyra dhe mjaft të kërkuar.

“Çelja e trëndafilave vijon gjatë gjithë verës. Vjen koha në dimër për t’u këputur, vazhdojmë i këpusim dhe i kultivojmë nëpër kubikë, sipas kërkesave të interesave të tregtarëve që i kërkon. Nga të gjitha rrethet kërkohen”shprehet Aliu.

Aliu tregon se shpesh është përballur edhe me skepticizmin dhe paragjykimin e banorëve përreth. Por për familjen Toça dhe të afërmit e saj, trëndafili është kthyer në një mënyrë jetese që gjithmonë e më shumë po kthehet në një punë fitimprurëse.