Studimi: Kur Blen i Uritur, Zbraz Kuletën

330 0

Uria është një nga nevojat më bazë dhe primitive të njeriut. Kur nuk kemi ushqim, nuk kemi sy për asgjë tjetër.

Në momentet kur na kaplon uria, koha apo paratë janë thjesht mjetet e duhura për të konsumuar ato kaloritë e munguara dhe kështu, shpenzojmë e shpenzojmë pa fund shumë shpesh edhe për gjëra të kota.

Studimet e fundit sugjerojnë që nuk duhet të bëjmë kurrë pazar me stomakun bosh, sepse do të shpenzojmë më shumë para dhe do të blejmë gjëra për të cilat nuk kemi nevojë.

Çfarë duhet të dini?

Ekspertët kanë kryer disa studime të ndryshme mbi këtë temë. Në njërin prej këtyre studimeve, ekspertët vëzhguan sjelljen e dy grupeve, me persona që nuk kishin ngrënë për katër orë.

Pjesëmarrësve të njërit grup iu dha mundësia të provonin disa lloj ëmbëlsirash përpara vëzhgimit.

Më pas, të dy grupeve iu kërkua të merrnin një sasi kapëse letrash.

Ata mund të merrnin sa kapëse letrash të dëshironin.

Rezultatet treguan se grupi i pjesëmarrësve të uritur kishte marrë 70% më shumë kapëse letrash se sa grupi i njerëzve që nuk kishin uri.

Në një studim të dytë, ekspertët morën në pyetje 81 konsumatorë të cilët sapo kishin bërë disa blerje në një qendër tregëtare ku nuk shiteshin produkte ushqimore, por produkte si pajisje elektronike, veshje apo këpucë.

Rezultatet treguan që konsumatorët e uritur kishin shpenzuar 64% më shumë se sa ata që nuk ishin të uritur.

“Kur kemi nevojë për ushqim, mendojmë vetëm për të, dhe për mënyrat se si mund të shuajmë urinë.

Për disa konsumatorë, kjo nevojë zgjerohet më tej tek produkte jo ushqimore që i bën ata të shpenzojnë para për produkte për të cilat nuk kanë nevojë” shpjegojnë ekspertët.

Një studim tjetër tregoi që konsumatorët që ishin të uritur kishin tendencën të blinin edhe produkte që nuk i pëlqenin aspak.

Ekspertët shpjegojnë që me shtimin e urisë rritet edhe dëshira për të nxjerrë sa më shumë para nga kuleta, por edhe dëshira për të ngrënë ushqime jo të shëndetshme.

Dy studiues në Nju Jork kryen një kërkim shkencor mbi mënyrën se uria ndikon në zgjedhjet tona ushqimore. Ata u kërkuan 68 pjesëmarrësve në studim që të mos konsumonin ushqim për mbi pesë orë.

Por para se të fillonte ky studim (i cili kishte të bënte me blerjet ushqimore në një market të improvizuar), më shumë se gjysma e pjesëmarrësve hëngrën disa biskota për të shuar urinë.

Gjatë ushtrimit në market, ata që nuk kishin ngrënë asgjë për pesë orë, u tërbuan në blerje, kryesisht me ushqime të shpejta dhe plot kalori.

Gjithashtu studiuesit arritën në konkluzionin që blerjet më të zgjuara, në aspektin e cilësisë së ushqimit kryheshin nga ora 13:00-14.00 ndryshe nga fasha e orarit 16:00-19:00 që konsiderohet aspak e volitshme për blerje të zgjuara.

Endokrinologu Tom Goldstone nga Imperial College në Londër shpjegon që kur organizmi nuk ka ushqim, bën zgjedhjen që i duket më e mirë për stomakun, pra për ushqimet me shumë kalori.

Goldstone sugjeron që konsumatorët të mbajnë gjithmonë fruta në çantë para se të shkojnë në market, ose të përtypin çamçakëz teksa shkojnë nga rafti në raft.

“Blini gjatë orëve kur nuk jeni të uritur, por keni stomakun plot” këshillon ai.

Populli thotë që dashuria fillon nga stomaku, por sipas shkencës aty fillon edhe dëshira për shpenzime marramendëse dhe të nxituara./AgroWeb.org