Kur treten plehrat shqiptare?

555 0

Ndërsa festojmë madhështinë e bukurisë së natyrës, pothuajse gjithmonë përfundojmë duke dëmtuar dlirësinë e saj. Gjithkush besoj e ka të stampuar në mendje “foton e një dite pas” veçanërisht pas festimit të Ditës së Verës, kur turma njerëzish tejmbushin Parkun e Liqenit të Tiranës. Pse aq shumë njerëz mblidhen pikërisht atë ditë atje për të drekuar është një tjetër temë, por le të flasim për kanaçet, shishet, pjata plastike, gotat, lëkurat e frutave hedhur anekënd parkut. Mënyra më ngjethëse për të shijuar natyrën. Kryesisht nuk vjen nga mungesa e njohurive mbi ndotjen e mjedisit, por shpesh për shkak të mungesës së vetëdijes dhe përgjegjësisë, ne dëmtojmë natyrën me vullnetin tonë të plotë. Një kanaçe e hedhur sot është "trashëgimia" natyrore që i lemë gjeneratave të stërnipërve tanë për plot 200-250 vitet e ardhshme. Para se të hedhim çfarëdo mbetje në tokë duhet të mendojmë për sa kohë ky akt marrëzie do të mbetet në natyrë. Sa kohë u duhet mbeturinave të dekompozohen apo të treten në natyrë?

Nga aspekti mjedisor përgjigjia e kësaj pyetjeje është e një rëndësie të veçantë. Në fakt, ne duhet të reduktojmë konsumin e produkteve që gjenerojnë mbetje të cilave u duhet një kohë shumë e gjatë për t’u shpërbërë tërësisht. Shkalla e shpërbërjes varet nga kushtet e groposjes së mbetjeve, por statistikat e mëposhtme tregojnë se sa kohë realisht u duhet mbetjeve të caktuara për t’u shpërbërë.

Praktikisht, pothuajse të gjithë elementët dhe materialet kimikë mund të shpërbëhen, diferenca qëndron në kohëzgjatjen e këtij procesi – minuta, ditë, vite, shekuj…Shkalla e dekompozimit varet nga një sërë faktorësh. Faktorët kryesorë janë drita, uji dhe oksigjeni. Temperatura është gjithashtu shumë e rëndësishme pasi reaksionet kimike të shpërbërjes janë më të shpejta në temperatura më të larta.

Ritmi i shpërbërjes së mbetjeve

Në natyrë, materiale të ndryshme shpërbëhen me ritme të ndryshme. Në qoftë se hedhim bërthamën apo lëkurën e një molle së bashku me një makinë lodre prej çeliku, bërthama dhe lëkura e mollës do të jenë tretur në tokë në disa muaj, por do të duhet shumë vjet derisa lodra prej çeliku të zhduket tërësisht. Grafiku më poshtë tregon se sa kohë u duhet mbeturinave të treten.

Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri

Sipas një raportit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit rritja e shpejtë e popullsisë dhe ritmi i migrimit drejt qytetit ka patur një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mbetjeve urbane në vitet e fundit. Ndarja e mbetjeve në origjinë nuk bëhet as nga popullata dhe as nga sipërmarrës të fushës. Shqipëria nuk ka një system të ndarjes së mbetjeve, të gjithë mbetjet urbane përfundojnë në vendet e grumbullimit, të cilat së fundmi janë të rikonstruktuara dhe/ose në vende të caktuara por që nuk përmbushin standardet mjedisore. 

Sipas raportit realizuar në Shtator-Dhjetor 2009 nga projekti për Strategjinë Kombëtare për Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor, Shqipëria prodhon 825,000 ton mbetje urbane në vit ose 260 kg për person në vit, e barabartë me 0,7 kg për person në ditë. Nga këto afërsisht 60% janë mbetje te biodegradueshme ku të paktën 50% të totalit janë mbetje organike. Rreth 75% janë të djegshme pra mund të shndërrohen në energji (letër, karton, tekstile dhe një sërë mbetjesh organike). Në krahasim me vendet e tjera kjo sasi për person nuk është e madhe, thelbi i problemit qëndron në mungesën e menaxhimit të tyre. 

Burimi: Agjencia Evropiane e Mjedisit

Objektivi i Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve 2010-2025 është të riciklojë mbetjet urbane në masën 55% në vitin 2020 dhe 75% në vitin 2025. Aktualisht është parashikuar se Shqipëria do të prodhojë rreth 500 kg për person mbetje urbane në vitin 2020, e cila me tendencat aktuale për rritjen e popullsisë do të rezultojë në prodhimin e rreth 1.9 milion ton mbetje urbane, më shumë se dyfishi i totalit që prodhohet aktualisht. Objektivi i Shqipërisë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve, është të ndalojë dhe të përmbysë ritmin e rritjes së mbetjeve. Por rrethanat demografike dhe ekonomike e bëjnë këtë objektiv sfidën tonë të madhe për të festuar Ditën e Verës në vitin 2020 duke shijuar plotësisht madhështinë e bukurisë së natyrës.