Të sigurosh të ardhmen e bujqësisë

280 0

I pashpresë, me ujin deri në gju i përmbytur me tufën e tij të deleve. Imazhi i fshatarit dhe deleve të tij në fshatin Darzez afër Fierit bëri xhiron e mediave ndërkombëtare në fillim të muajit shkurt kur jugu i Shqipërisë u përmbyt, në një nga katastrofat më të mëdha që kishte parë vendi, të paktën që nga viti 1971. Historitë e të përmbyturve u shoqëruan me foto fermerësh që u zgjuan me tokat, shtëpitë dhe bagëtitë nën ujë, duke mbajtur peshën më të rëndë të shpërthimit të natyrës.

Eshtë e ditur tashmë se kur natyra godet, godet fort. Por ajo që nuk dinim është se asnjë nga këta fermerë nuk e kishte të siguruar prodhimin apo bagëtitë, të cilat i humbën sa hap e mbyll sytë me një të nxirë të qiellit. Çdo kush që e njeh sadopak sistemin bujqësor amerikan, e di se ajo që cilësohet si e re për sa i përket siguracionit, për fermerët e atjeshëm është një sistem shumë kompleks që daton që në mesin e viteve ’30. Programi federal “Shoqata Federale e Sigurimit të Prodhimit (FCIC)” u hodh në vitin 1938 për të ndihmuar sektorin bujqësor të rimëkëmbet nga Depresioni i Madh dhe nga stuhitë e pluhurit të shkaktuara nga thatësirat e mëdha.

Në Shqipëri ne nuk kemi depression dhe as nuk jemi në vitin 1938, por në 2015 dhe nuk vuajmë nga thatësira, por nga përmbytja dhe zjarret përgjatë të gjithë vitit. Në 20 vitet e fundit me shumë se 690,000 njerëz janë prekur nga katastrofat natyrore me një mesatare prej 34.000 njerëzish të prekur në vit. Në raport me popullatën e vitit 2011, kjo përbën 1.2% të totalit të popullsisë që preket çdo vit (më shumë se 1 person në 100). Dhe nëse jeni akoma duke pyetur, nëse edhe ne kemi një sistem sigurimi si ai i amerikanëve që të sigurojë prodhimin dhe gjënë e gjallë, përgjigjia është jo.

Mjetet e menaxhimit të rriskut të tilla si të sigurimit ndaj motit, bëjnë të mundur kompensimin e fermerit në rast të humbjeve të prodhimit. Foto: LSA

 

Arsyet janë të shumta. E para sepse sektori bujqësor konsiderohet me risk të lartë, fermerët nuk janë të informuar mjaftueshëm dhe sepse nuk ka një ligj të posaçëm që ta rregullojë këtë. Para vitit 2003, Kompania e Sigurimeve Shtetërore INSIG ofronte siguracione për bujqësinë, por pasi kompania i vlerësoi klientët e bujqësisë me risk të lartë, po në vitin 2003 vendosën të tërhiqeshin nga ky sektor. Ndërkohë që SIGAL, një tjetër kompani në tregun e sigurimeve vendase për herë të parë nisi të ofrojë sigurimin në bujqësi në vitin 1999. Gjithsesi kompania ishte konservative në vlerësimin e rreziqeve në bujqësi. “Sigurimi në bujqësi është pothuajse jo ekzistent në Shqipëri”, thotë Ogert Shkrepa, Drejtor i Departamentit të Pasurive dhe Garancive i kompanisë së sigurimit, SIGAL Unica Group Austria, ndër kompanitë që ofron polica sigurimi për sektorin bujqësor.

Edhe në rast kur kompanitë e sigurimit kanë pak klientë, ato fokusohen në gjënë e gjallë (kryesisht lopë) dhe në sigurimin e serrave në qytetet e mëdha. “Këto lloje të sigurimit në bujqësi janë ato me risk të ulët, nëse krahasohen me prodhimin në fusha apo në sigurimin e drurëve frutorë. Analiza e kontratave të sigurimit parashikon që kompanitë e sigurimeve të preferojnë për të mbuluar rreziqet e rralla katastrofike që janë dhe me kosto më të ulët për klientët”, thotë Shkrepa për Agroweb.

Fermerët nga ana tjetër, duke marrë në konsideratë faktin që përpos sigurimit të një niveli të caktuar të ardhurash vjetore, duhet të llogarisin aftësinë për të paguar borxhet, kostot e larta, që nga marrja me qera e pronës tek taksat dhe deri tek aftësia për të mbuluar shpenzimet e familjes. Të njëjtat shqetësime i kanë dhe bankat që iu japin kredi këtyre fermerëve. Duke u përballur me klientë me risk të lartë, ata përpiqen që të ulin në maksimum kreditë e këqija si rrjedhim i kushteve të pafavorshme të motit, edhe pse kjo do të thotë nivele krejt modeste të kreditimit të bujqësisë.

Mjetet e menaxhimit të rriskut të tilla si të sigurimit ndaj motit, bëjnë të mundur kompensimin e fermerit në rast të humbjeve të prodhimit; përshembull në rastin e përmbytjeve dhe në garantimin e fondeve, të cilat ulin rreziqet bankare duke i dhënë një garanci të pjesshme portofolit të kredisë së një banke.
Kombinimi i mjeteve inovative, si përshembull ato që lidhen me financimin e bujqësisë, sigurimit të kulturave, kontraktimit në bujqësi e bën të nevojshme koordinimin e aktorëve të ndryshëm; si bankierë, sigurues, kompani të vogla të përpunimit, prodhuesit në mënyrë që të përdorin këto mekanizma innovative në funksion të zhvillimit. Partneritete të tilla gjithashtu nxisin dhe mënyra të reja dhe më efektive të qeverisjes.

Pikërisht për t’i dhënë një zgjidhje kreditimit në bujqësi në vitin 2012, USAID lançoi një projekt prej 15 milionë dollarësh për të garantuar deri në 50% të humbjes së kredive, duke e ndarë rrezikun me Bankat. Përmes Autoritetit të Zhvillimit të Kredive në SHBA, USAID rriti aksesin në kredi për bujqësinë dhe agrobizneset shqiptare, duke patur një sukses të madh (ProCredit dhe BKT po e pëfundojnë këtë projekt shumë shpejt) ndërkohë që nevoja për programe të tilla sigurimi është akoma më e madhe, duke qenë dhe se shumë banka kanë nisur ta marrin më seriozisht kreditimin e bujqësisë.

Aktualisht Fondi Kombëtar i Garancisë i lançuar nga qeveria shqiptare si një instrument i qëndrueshëm financiar duhet të hapë tregun duke lehtësuar kreditimin e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë. “Shumë banka e kanë në politikat e tyre sigurimin e kredive. Por ka vetëm pak raste kur e kanë kërkuar”, thotë Shkrepa i SIGAL Uniqa Group Austria, duke treguar se ky sektor vijon të mbetet me risk të lartë.

Por me ndryshimet klimaterike dhe prodhimin në rritje, për fermerët lind nevoja që të shohin drejt policave të sigurimit. Ndërkohë që edhe institucionet financiare janë më të interesuara për të kredituar fermerë që kanë të siguruar prodhimin e tyre dhe me interesa të favorshme sesa për fermerë që nuk janë të siguruar. Edhe sepse askush nuk do të donte që imazhet që shohim çdo vit me fermerë të Fierit, Shkodrës, Lezhës apo Tepelenës të dëshpëruar nga përmbytja e tokave dhe bagëtive të tyre. Natyra nuk fal, por siguracioni ndihmon.