Kurat dhe Përdorimet Mirëbërëse të Vajit të Ullirit

751 0

Përdorimet mjekësore të vajit të ullirit e kanë origjinën mijëra vite më parë. Që në lashtësi, pema e ullirit konsiderohej e shenjtë.

Vaji i ullirit është përdorur për kura të ndryshme popullore kundër inflamacionit, të cilat janë përmendur në shumë prej artikujve të AgroWeb.org.

Në ditët e sotme, vlerat e vajit të ullirit janë të provuara shkencërisht ndërkohë që përdorimet e tij vërehen në produktet e kujdesit të lëkurës, siç janë kremërat hidratues, rigjenerues, locionet pastruese, tonikët, sapunët e të tjerë,

Vaji i ullirit ka një përmbajtje të lartë të acideve yndyrore, veçanërisht atij oleik që ndihmon në rikthimin e lagështisë natyrale të lëkurës.

Për më tepër, ky acid mbron membranat e qelizave ndërkohë që vitaminat, veçanërisht ajo E, luftojnë radikalet e lira. Në këtë mënyrë proçesi i plakjes së lëkurës ngadalësohet.

Vaji i ullirit është një produkt i shkëlqyer për ushqimin, rigjenerimin dhe zbutjen e lëkurës dhe të flokëve.

Nëse dëshironi të përfitoni prej këtyre vlerave, AgroWeb.org ju rekomandon trajtimet e mëposhtme:

Rrathët dhe zona poshtë syrit

Ngrohni tre lugë gjelle me vaj ulliri, një lugë çaji me dyll, gjysëm luge çaji me gjalpë kakao në banjomari. Më pas, lëreni masën e krijuar të ftohet dhe shtoni dy lugë gjelle me lëng trëndafili.

Përzijeni deri sa të formohet një pastë e njëtrajtshme dhe e trashë, e cila mund të përdoret në zonën përreth syve.

Trajtim për lëkurë të thatë

Përzieni 1 lugë gjelle me vaj ulliri, të bardhën e një veze, një lugë me tul avokado dhe një lugë gjelle me mjaltë.

Maskën vendoseni në fytyrë dhe mbajeni për 10 minuta. Më pas shpëlajeni fytyrën.

Rigjenerues dhe pastrues

Përzieni gjysëm filxhani me vaj ulliri, 3 lugë gjelle me sheqer dhe një lugë gjelle me tërshërë.

Përdoreni në lëkurë me lëvizje rrethore. Ky produkt do të largojë qelizat pa vlerë dhe do ta mbajë lëkurën të butë dhe të ushqyer.

Ushqyes për lëkurën e duarve

Hidhni disa pika vaj ulliri në duar dhe masazhojeni lëkurën. Vendosni doreza plastike dhe lëreni vajin të veprojë për 15 minuta.

Kurë për ushqimin e flokëve

Fërkoni flokët nga rrënjët tek majat me vaj ulliri. Masazhoni lëkurën e kokës për 5 minuta për të stimuluar qarkullimin e gjakut dhe forcuar flokët.

Mbulojeni kokën me një copë fanellate për 10 minuta dhe më pas lajini flokët si zakonisht.

Shënim: AgroWeb.org ju rekomandon të përdorni vaj ekstra të virgjër për shkak të përmbajtjes së lartë të ushqyesve./AgroWeb.org