Lakra e Brukselit – Një Histori Suksesi E Fermerëve Shqiptarë

1.7k 0

Ndryshe nga qindra fshatra të Shqipërisë, Jagodina e Elbasanit nuk është braktisur.

Të gjithë banorët janë të vetëpunësuar në serat e tyre ndërsa prodhimi kryesor lakra e Brukselit shkon e gjitha për eksport.

Duke parë gjendjen e bujqësisë në Shqipëri sot, Valmir Dushku së bashku me familjen e tij e konsiderojnë veten me fat që jetojnë e punojnë në fshatin e tyre raporton Top Channel.

Janë 60 hektarë sera të cilat tashmë kanë mbuluar zonën më të pasur bujqësore të Elbasanit.

Gati çdo vit eksportohet mbi 2100 tonë lakër Brukseli. Për këtë zonë punësimi është i siguruar. Tashmë me ndërtimin edhe të rrugës, pritet që zona fushore e Elbasanit të marrë një zhvillim të ndjeshëm.

Lakra e Brukselit edhe në Divjakë

Arbër Gjoka, është një nga fermerët e rinj nga Divjaka që po provon fatin pikërisht me lakrën e Brukselit.

Ai ka nisur ta kultivojë këtë lakër të vogël, për shkak të kërkesës në rritje për të.

“Në Divjakë mund të ketë afro 20 ha të mbjellë me lakrën e vogël me një prodhim prej rreth 1.140 ton në vit”, konfirmon Gjoka për AgroWeb.org, duke pohuar se gjatë viteve të fundit kërkesat për këtë lakër speciale janë shtuar veçanërisht nga Polonia dhe Lituania.

Por me shumë gjasë ju mund të pyesni, po pse atëherë ne shohim kaq pak lakra të vogla dhe finok në treg?

Kjo ndodh sepse prodhohet shumë pak. Luto Goga, ekspert i bujqësisë shpjegon për AgroWeb.org, se kjo vjen edhe si pasojë e një tregu të vogël.

“Këto në fakt janë bimë shumë interesante, por tregu ynë është shumë i vogël. Duke qenë se janë shumë delikate ato kanë nevojë për një kujdes më të veçantë nga fermerët dhe njohje më të madhe nga konsumatorët në lidhje me cilësitë dhe vlerat e tyre” thotë Goga për AgroWeb.org.

Pikërisht mosnjohja e këtyre produkteve dhe tregu i vogël, i bëjnë fermerët skeptikë, nëse duhet të prodhojnë më shumë, pasi nuk dinë a do të mund të ketë treg për to.

Brussel Sprout ose lakra e vogël e Brukselit

Eshtë e habitshme se sa shumë proteina kanë lakrat e Brukselit, duke qenë se janë veçse një perim i gjelbërt.

Në një tas me këtë lakër të vogël nevojat tuaja për vitaminë C dhe për vitaminë K për ditën do të jenë të përmbushura.

Ato renditen mes 20 ushqimeve me më shumë vlera ushqyese, ku maten vitaminat, mineralet dhe fitoushqyesit në raport me sasinë e kalorive.

Duke konsumuar një racion me lakra Brukseli ju do të merrni vitaminë K,  vitaminë C, dhe shumë vitaminë A, vitaminë B-6, folat, potas dhe manganez që ju duhen në një ditë./AgroWeb