Lehtësitë e reja financiare për bujqësinë

417 0

Fakt 1 – Rikonceptim i skemës së kompensimit të fermerëve në 20%, nga 6% që ishte
Fakt 2 – Kalimi në shifrën 0% të taksës së importit të lëndëve të para, nga 2% që ishte
Fakt 3 – Kalimi në shifrën 0% të tarifës doganore të miellit, nga 10% që ishte
Fakt 4 – Lehtësim i kostove të fermerëve për blerjen e lëndëve të para në masën 20%

10,800 fermerë pritet të mbështeten përmes skemave të financimit në vitin 2015 me një kosto totale prej 19 miliardë lekësh. Shifrat janë bërë të ditura nga Ministri i Financave Z. Shkëlqim Cani gjatë një takimi me fermerët e zonës së Peshkopisë në Qarkun e Dibrës. 

Rajonalizimi i bujqësisë, një prej prioriteteve kryesore të qeverisë për këtë vit, ishte një nga temat e prekura në takim ndërsa Ministri Cani theksoi se “rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve,do të sjellë rritjen e efektivitetit të mbështetjes financiare”.

Përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si edhe formalizimi i sektorit të peshkimit ishin temat e theksuara nga Ministri i Financave si prioritete të politikës buxhetore të ndërmarrë nga Qeveria me synim zgjerimin dhe përmirësimin e efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve.

Ministri i Financave u ndal më pas në stimulimin e përdorimit të teknologjive të zhvilluara dhe inovacionit në sektor, në rritjen e konkurrueshmërisë të prodhimit dhe agro-përpunimit në vend.

Heqja e barrierave tarifore për inputet bujqësore dhe lëndët e para të prodhimit bujqësor dhe industrial, rregullimi i TVSH-së për uljen e kostos së produkteve bujqësore, ulja e barrës financiare për importin e makinerive bujqësore dhe kafshëve për mbarështim, etj janë disa nga politikat që kanë filluar të japin rezultatet e para në gjallërimin e veprimtarisë ekonomike të fermerëve, edhe në qarkun e Dibrës, tha Ministri Cani.

Por cilat janë politikat fiskale të Qeverisë në ndihme të fermerëve? Për Ministrin e Financave, bujqësia është trajtuar si sektor prioritar i Qeverisë gjatë vitit 2014 dhe për këtë arsye ky sektor ka pasur një vëmendje të veçantë për sa i përket uljes së kostove të fermerit, nëpërmjet përjashtimeve dhe uljes së taksave të ndryshme.

Duke folur mbi ligjin e ri “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” që hyri në fuqi në gusht 2014, Ministri Cani tha se në këtë ligj u rikonceptua skema e kompensimit të fermerëve në masën 20% nga 6 % që ishte më parë, masë e rëndësishme kjo në uljen me 20% të kostove të fermerit për blerjet e lëndëve të para.

Edhe në vitin 2015, ky sektor do të vazhdojë të jetë prioritar, bazuar në masat e përfshira në “Paketa Bujqësia”, e cila është një paketë e plotë masash për nxitjen dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agrobiznesit, për uljen e kostove dhe rritjen e rentabilitetit të këtyre sektorëve.

Masat e reja lehtësuese për bujqësinë

Ndër masat për nxitjen dhe zhvillimin e sektorit bujqësor, Ministri i Financave renditi si kryesore kalimin nga 2% në 0% të taksave për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë si psh gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë një ditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg, apo edhe kalimi nga 10% në 0% i tarifës doganore të miellit dhe të materialit biologjik elitar.

“Këto reduktime të taksave doganore do të kenë një kosto në buxhetin 2015, e cila llogaritet rreth minus 232 milionë lekë bashkë me TVSH-në, e cila automatikisht do të ulë po në këtë shumë shpenzimet e biznesit. Kemi pritshmëri dhe për ulje të çmimeve të disa produkteve bazë ushqimore të tilla si: buka apo mishi”, – tha Ministri Cani në takimin me fermerët e këtij qarku.

Më pas ekspertët e Ministrisë së Financave iu janë përgjigjur një morie pyetjesh nga fermerët, ndërsa specialistë të tatimit mbi vlerën e shtuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë shpjeguar me zbatimin skemave të kompensimit për fermerët si dhe barazimin e TVSH në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore në vlerën 20%.