Livando “ Risia fitimprurëse që vjen nga Shqipëria

1.6k 0

Çdo shije dhe aromë mbart në vetvete një kujtim. Është shumë e thjeshtë që, duke nuhatur një aromë të caktuar, të na rikthehen brenda çastit kujtime të afërta apo të largëta, të rendim pas nostalgjisë dhe kohëve të shkuara apo të udhëtojmë në vende të dashura.

E meqenëse përmendëm vendet e dashura, a ka ndonjë aromë të cilën menjëherë e lidhni me Shqipërinë? Një aromë tradicionale, kur ndieni të cilën mbyllni sytë dhe kujtoni rrugën, sokakun, pjatën e preferuar të nënës, peisazhet magjepsëse apo bimët karakteristike shqiptare?

Mos ndoshta aroma e trëndelinës, së cilës i janë kënduar këngë e thurur vargje? Aroma e lehtë dhe e këndshme e dafinës? Aroma e ngrohtë dhe qetësuese e kamomilit? Aroma e fortë e çajit të malit? Aroma shpuese e sherebelës? Aroma e ëmbël por gjithashtu djegëse e rigonit? Aroma e veçantë e dëllinjës?

Ndoshta të gjitha. Të gjitha këto aroma të sjellin ndër mend Shqipërinë, veçanërisht atëherë kur jeton larg saj.

Po sikur t’ju pyesnim se ç’ju sjell ndër mend aroma e livandos? Cili do të ishte vendi i parë që do të shqiptonit? Franca? Fusha të gjera të mbuluara nga një petk i ndezur lejla që shtrihen nën diell, e kundërmojnë që larg aromë të freskët e të pastër livando. Po ndonjë alternativë tjetër do t’ju vinte ndër mend? Po sikur t’ju thonim, Shqipëria? Po po, e ardhmja e Shqipërisë mund të “kundërmojë aromë livando”, ashtu si dhe fitimet e vendit nga kjo bimë, tejet e kërkuar kudo.

Livando – Potenciali i Shqipërisë

Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri, bimët mjekësore dhe aromatike kryesojnë listën e eksporteve bujqësore. Malësia e Madhe është rajoni me numrin më të madh të eksporteve, me rreth 5000 ton bimë mjekësore dhe aromatike të eksportuara drejt tregjeve amerikane, turke dhe gjermane vetëm gjatë vitit 2014. Sherebela është mbretëresha e eksporteve, me një treg të specializuar, strukturuar dhe forcuar ndër vite. Por, përveç sherebelës, edhe livando përbën biznesin kryesor veçanërisht në Malësinë së Madhe dhe zonat përreth.

Livando është një bimë shumëvjeçare, indigjene e zonës së Mesdheut që rritet më së miri në kushte klimatike jo shumë të nxehta dhe të lagështa. Rritet në toka të mirë-drenazhuara, jo shumë të pasura në humus dhe pak alkaline. Livando rritet më së miri në diell dhe kërkon plehërim të rrallë. E mesa duket, livando mund të rritet mrekullisht edhe në Shqipëri.

Z. Peter Furth, President i FFF Associates, Inc, konsulent amerikan mbi tregtinë ndërkombëtare dhe marketingun në një intervistë ekskluzive për agroweb u shpreh se beson që livando shqiptare mund të ketë një të ardhme të suksesshme dhe rritje të tregut të saj të shitjes. “Mund të këtë prodhimtari të lartë, cilësi të mirë dhe gjithashtu avantazhin e çmimit,” tha Z. Furth për agroweb.

Ai theksoi se kushtet klimatike dhe të tokës nuk janë faktorët e vetëm që ndikojnë në suksesin e kultivimit dhe eksporteve. Informacioni dhe njohuritë mbi veprimtaritë e lidhura me kultivimin, çertifikimet, njohja e mirë e kërkesës dhe tregjeve të huaja, investimet e vazhdueshme dhe mbështetja financiare janë thelbësore për rritjen e mëtejshme të kësaj kulture me potenciale të mëdha. Z. Furth tha se puna e përbashket mes fermerëve, agrobizneseve, donatorëve, organizatave dhe qeverisë është shumë e rëndësishme për mbrojtjen e prodhimtarisë, rritjen e sasisë së prodhuar dhe gjithashtu për të ndihmuar bizneset të marrin vendime të mirëmenduara.

Livando – një kulturë e pazakontë për Shqipërinë

Rritja e livandos është një proces që kërkon kujdes dhe punë të vazhdueshme. Xheladin Zeka është një prodhues bimësh medicinale dhe aromatike dhe pronar i një qendre magazinimi në Koplik, Malësi e Madhe. Ai &eueuml;shtë një ndër kultivuesit shqiptarë të livandos, që e eksporton atë edhe jashtë. Z. Zeka tha për agroweb se livando në Shqipëri kultivohet nga fermerët dhe nuk është një kulturë tradicionale, që rritet vetëm në vendin tonë. Ai shtoi se zakonisht livando mblidhet dhe ruhet në magazina për periudha të shkurtra, që zgjasin më pak se një muaj, në mënyrë që lulja të ruajë ngjyrën karakteristike lejla dhe freskinë. Më tej livando Shqiptare eksportohet në Francë, Gjermani dhe në Turqi.

Përveç sherebelës, edhe livando përbën biznesin kryesor veçanërisht në Malësinë së Madhe dhe zonat përreth.

Z. Zeka punëson punonjës sezonalë nga fshatrat përreth, gjatë kohës së vjeljes, të cilët grumbullojnë bimën dhe ndajnë lulen nga kërcelli. Është pikërisht lulja përbërësi kryesor që përdoret në kozmetikë, parfume, qirinj aromatikë etj.

Në vitin 2014, Z. Zeka dhe kultivues të tjerë të këtyre bimëve krijuan grupin prodhues ‘Lujz’. Të bashkuar ata prodhojnë në një vit 10 tonë sherebelë dhe 1 ton livando, të cilat shiten tek grumbulluesit dhe eksportohen.

USAID dhe AAC-Lushnja, një projekt lokal i financuar nga USAID po ndihmojnë Z. Zeka dhe të tjerë kultivues në komunitet me trainime rreth teknikave të vjeljes dhe të pas-vjeljes. Kjo u lejon atyre të rrisin cilësinë e prodhimit, që do të rrisë gjithashtu kërkesën dhe çmimin e rrjedhimisht dhe fitimet për fermerët dhe bizneset lokale.

Në kërkim të shijeve të reja – mjaltë livando

Përveç produkteve kozmetike dhe vajit, livado është shumë e njohur edhe për mjaltin, që shquhet për vlerat ushqyese. Shumë entuziastë të mjaltit e konsiderojnë këtë lloj mjalti si një ndër më të mirët në botë, veçanërisht atë të prodhuar në krahinën e Provencës në Francë. Me aromën delikate të lules dhe shijen e veçantë të livandos, ky mjaltë është i kërkuar në shumë tregje në mbarë botën. Përveç përdorimit të tij në kulinari, ky lloj mjalti gjen edhe përdorim mjekësor, pasi është i pasur në përbërës që rrisin imunitetin dhe kanë efekt pozitiv në organizëm.

USAID po bashkëpunon me Z. Zeka për të studiuar mundësinë e rritjes së bletëve për të prodhuar mjaltë livandoje, dhe certifikimin organik të bimëve dhe erëzave.

Tregu botëror i livandos ndoshta do të mirëpresë një furnizues të ri, Shqipërinë, që po krijon bazat e fitimeve nga kjo kulturë. Ndoshta një ditë kur të mbyllni sytë dhe të ndjeni aromën e livandos, përveç Francës, do t’ju kujtohen edhe fushat lejla, plot e përplot me livando, pikërisht në Shqipëri.