Shalqinjtë shqiptarë ëmbëlsojnë botën

398 0

“Kush ka ngrënë një thelë shalqi e kupton fare mirë se me çfarë ushqehen ëngjëjt”, shkruan Mark Twain. Duket qartë se shkrimtari i ka pasur pikë të dobët shalqinjtë dhe më të drejtë, sepse është fruti që na fut më shumë në ngasje në ditët e nxehta me ëmbëlsinë, freskinë dhe ngjyrën unike. Por nëse për një çast mendoni se Twain e ka ngritur më shumë seç duhet në piedestal shalqirin, para se të nxirrni konkluzione të tjera bëni mirë që më parë të kontrolloni frigoriferin tuaj. Do ta besoni, ose jo, por Shqipëria është konsumuesi më i madh për frymë i shalqirit në botë me 146.93 kg për person. Po, praktikisht i jemi futur shalqirit me kokë dhe jo për arsyet e gabuara.

Për vendin tonë shalqiri nuk shihet vetëm si fruti hokatar tek i cili gjejmë shpëtim nga vapa, por edhe si një mënyrë e mirë për të bërë biznes. Vitin e kaluar sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fermerët shqiptarë kanë eksportuar afërsisht 23.000 ton shalqi, kryesisht në Ballkan por edhe në tregjet e Bashkimit Evropian, të cilat janë dhe tregjet më atraktive për këtë produkt. Gjermania, Franca, vendet Balltike, madje dhe Britania e Madhe janë disa nga vendet që shijojnë më shumë një shalqi shqiptar. Duke qenë se është afër me disa vende të Evropës veriore (Gjermania, Skandinavia) dhe duke marrë në konsideratë dhe shqetësimin për ndotjen e ambjentit, për shkak dhe të rritjes së dioksidit të karbonit në produktet bujqësore të tregjeve evropiane, Shqipëria po e kapitalizon produktin e saj duke pasur kështu avantazh ndaj furnizuesve të tjerë si Greqia apo Spanja.

Vitin e kaluar sipas raportit të FMN, fermerët shqiptarë kanë eksportuar afërsisht 23.000 ton shalqi, kryesisht në Ballkan por edhe në tregjet e BE

Por në të njëjtën kohë Shqipëria po i fuqizon akoma më shumë pozitat e saj në tregun Ballkanik, ku dominon me eksportet e shalqirit, me Serbinë si importuesin tonë më të madh. “Në pjesën më të madhe eksportet tona shkojnë në vendet e Ballkanit, kryesisht në Kosovë dhe Serbi, por shumë shpejt me sigurimin e çertifikatave të sigurisë Global Gap, ne do të mund të eksportojmë më shumë dhe në BE”, thotë për agroweb, Artur Vrushi një fermer nga Fieri i cili prej 11 vitesh eksporton fruta dhe perime. Vendet evropiane që janë importuesit më të mëdhenj të shalqirit, janë Gjermania, Franca dhe Britania, duke qenë se në këto vende ky frut nuk mund të prodhohet, për shkak të temperaturave të ulëta. Por nuk mbeten pas dhe Lituania dhe Çekia, ku që prej 5 vitesh ekportojnë aty dy kompanitë shqiptare, respektivisht Agrokoni shpk dhe Bruka Seedlink shpk, por gjithashtu nuk mbeten pas dhe ndërkohë që Suedia dhe Hollanda paguajnë më shtrenjtë për importet e tyre.

Shumë nga shalqinjtë që prodhohen në Shqipëri janë varietete të fares Crimson Sweet, duke përfshirë këtu Crisby, Florida, Galaxy, Valentina, Paradise, Obla, Top Gun, Star dhe të tjerë. Ndërkohë që ka pasur disa eksperimentime me varietetet pa farë, por asnjëherë nuk janë prodhuar për t’u tregëtuar masivisht. Kryesisht zgjedhja e varieteteve bëhet në bazë të disa faktorëve, siç është prodhimi, rezistenca ndaj sëmundjeve dhe dëmtimeve gjatë transportit dhe kostos (ku shalqinjtë hibridë janë më të shtrenjtë). Gjithashtu tregje të ndryshme kanë kërkesa me karakteristika të ndryshme. Madhësia duket se është një prej tyre. Për Kosovën dhe Hungarinë përshembull sa më i madh fruti aq më i mire është. Këto dy tregje preferojnë shalqinjtë që shkojnë më shumë se 10 kg, ndërkohë që tregu vendas preferon shalqi mesatarë, ndërkohë që në BE pëlqehet trendi i “shalqinjve personalë” të peshës 4.5-5.5 kg.

Shalqinjtë që prodhohen në Shqipëri janë varietete të fares Crimson Sweet, duke përfshirë këtu Crisby, Florida, Galaxy, Valentina, Paradise, Obla, Top Gun, Star dhe të tjerë

Deri më tani rrjeti i prodhimit të shalqinjve ka qenë kryesisht i fokusuar në përmbushjen e kërkesave të tregut vendas, duke kaluar nga fermeri, në treg dhe në dyqane më të vogla të fruta perimeve. “Kërkesa për eksport janë në rritje, pengesë për shumë nga fermerët është përmbushja e kritereve dhe çertifikimi i produktit që do të na hapte dyer drejt një tregu më të madh”, thotë Vrushi.

Kërkesa për shalqi shkojnë për shtat edhe me temperaturat, pasi rritja e tyre shton dhe kërkesat për këtë frut. Si në tregun vendas dhe në atë të huaj vitet e fundit është rritur kërkesa për shalqi shumë herët në sezon, çka në fakt do të ndihmonte prodhuesit që ta zgjeronin më shumë sezonin dhe të prodhonin më shumë. Përshembull aktualisht asnjë prodhues në Evropë apo në vende të tjera të Ballkanit nuk prodhon shalqi para mesit të muajit Maj. Gjithsesi kërkesat e tregut fillojnë të rriten në Prill për të arritur majat në mesin e muajit Maj. Ky vit përshembull ka qenë jo fort i lehtë për fermerët shqiptarë, pasi për shkak të temperaturave të larta, shalqinjtë janë pjekur shpejt duke ndenjur stoqe nëpër ara, pasi prodhimi është më i lartë se kërkesa dhe tregu ka pësuar mbingopje. “Ky ka qenë një problem për të gjithë ne, pasi moti nuk ka qenë në favorin tonë me temperaturat e larta, por gjithsesi ne sërish ja kemi dalë të eksportojmë sasi të konsiderueshme të shalqirit”, thotë Vrushi, i cili në vetëm një muaj ka eksportuar rreth 1.500 tonë, afërsisht rreth 50 ton në ditë, kryesisht në Kosovë.

Eksportojmë tek fqinjët

Tregu rajonal i Ballkanit aktualisht dominohet nga eksportet shqiptare të shalqirit. Pothuajse gjysma e të gjithë eksporteve shkojnë në Kosovë dhe Serbi. Besohet se shalqinjtë e eksportuar në Kosovë pastaj ri-eksportohen në tregjet e tjera. Vende të tjera ku Shqipëria ka qenë e suksesshme në eksport përfshijnë Malin e Zi, Moldavinë, Rumaninë, Bullgarinë, dhe Kroacinë. Shqipëria është prodhuesi i katërt më i madh me shalqi pas Rumanisë, Hungarisë dhe Ukrainës. Prodhimi varion nga viti në vit, sipas kërkesave të tregut dhe politikave që ndjekin vetë fermerët. Por ajo që është e sigurtë është se si vendet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato të Ballkanit i kërkojnë shalqinjte tanë, aq të pasur në shije sa edhe të ëmbël në fitime për fermerë shqiptarë.