Lodra për Filtra – Rikthehet Vrasësi i Ajrit në Tetovë

310 0

Jugohrom, fabrika famëkeqe e ndotjes së ajrit në Tetovë rikthehet e hapur. Pas protestave qytetare që kulmuan në Dhjetor 2015, kjo fabrikë u mbyll, por mesa duket jo për shumë gjatë, pasi në 1 Mars skadoi pezullimi i saj. Protestat morën shkas nga fakti se sipas të dhënave Tetova u klasifikua si qyteti më i ndotur në Botë.
“Abonimi për ajër të pastër për Tetovarët ka përfunduar në 1 Mars. U pa qartë se helmuesi Jugohrom e ndot këtë qytet për 41% më shumë”, u shpreh për AgroWeb, Vesel Qazimi, një prej aktivistëve në Lëvizjen Eco Guerilla në Maqedoni.
Jugohrom, i cili tregohet nga banorët si shkatërruesi i ajrit, jetës dhe mjedisit, është një kombinat i vjetër që përdor djegien e qymyrit për prodhimin e aliazheve të nikelit dhe nikel-silicit. Kombinati është prej disa vitesh nën pronësi të një grupi nga Rusia pas privatizimit dhe konsiderohet si një nga dinozaurët e industrisë së rëndë të trashëguar nga ish-Jugosllavia.
I pyetur nga AgroWeb lidhur me pasojat e rihapjes së fabrikës, Vaseli thotë se “Nëse nga pasojat e ndotjes me Jugohromin çdo muaj vdesin 10 njerëz dhe pa Jugohromin vdesin 4 më pak, atëherë me rihapjen prej 1 Marsit, do të vdesin edhe plus 4 njerëz!”

Lëvizja Eco Guerrila fajëson Qeverinë se po subvencionon vdekjet në Tetovë. “Herët ose vonë dënimin e merituar do ta marrin edhe nga qytetarët, por edhe nga ligji. Dënimin do ta paguajnë edhe familjet e tyre që jetojnë dhe frymojnë në po këtë vend”, shprehen ata pas lajmit të rihapjes së fabrikës.

Në vendimin e fundit është thënë se furrat e Jogohrom do të rindizeshin më 1 mars dhe se ndërkohë do të punohej për vendosjen e filtrave dhe plotësimin e standardeve ekologjike. Por, shoqatat ekologjike nga Tetova thonë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë njoftim për vendosjen e filtrave, ndërsa rindezja e furrave të “Jugohrom”-it i ka irrituar të madh e të vogël nga banorët e Tetovës.
Sipas Eco Guerrila-s pas mbylljes së fabrikës së Jugohromit, në qytetin e Tetovës niveli i ndotjes ka rënë dukshëm. Sipas matjeve të bëra nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, kur krahasojmë nivelin e ndotjes gjatë muajit shkurt 2015 dhe shkurt 2016, dallimi është 41%. Ndërsa ajo që habit është që në periudhën e njejtë kohore, niveli i ndotjes në Shkup shënon një diferencë gati të padukshme – vetëm me 0,1%.

“Tetova për dallim nga viti i kaluar nuk ka ulur as nivelin e veturave, as mënyrën e ngrohjes dhe as e ka ndryshuar klimën në krahasim me qytetin e Shkupit që diferenca te jetë kaq e madhe për 41%. Ndryshimi i vetëm është që tani këto dy muaj vetëm fabrika Jugohrom nuk punonte. Çdo tentativë për ta rihapur këtë fabrikë pa plotësuar standardet ekologjike për vendosjen e filtrave, do ta konsiderojmë si provokim ndaj qytetarëve të Tetovës”, deklaron kjo organizatë mjedisore.

Burimi: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor

Nga ana tjetër sindikata e të punësuarve të Jugohrom ka protestuar para objektit të këtij kombinati, duke kërkuar që ministria të ndalojë trysninë për mbylljen e kombinatit ‘’Jugohrom’’, të punësuarit të kthehen në punë në fillim të Marsit dhe përfaqësuesit e kombinatit të zbatojnë procesin e vendosjes së filtrave.

Pas informacioneve për rihapjen e kombinatit Jugohrom sipas paralajmërimit edhe nga vetë përfaqësuesit e këtij kombinati, Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” ka shprehur indinjatë të thellë rreth këtij vendimi duke e pasur parasysh që kjo fabrikë sipas tyre, po rihapet pa instalimin e filtrave ekologjik të shumëpritur, me çka do të parandalohej emetimi i pluhurit në sasi deri në 30 ton në ditë në qiellin Tetovar.

“U bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore që të mos lejojnë rihapjen e këtij helmuesi, pa i plotësuar standardet ekologjike, në të kundërtën ato do të mbartin përgjegjësitë ligjore për pasojat e shkaktuara. Ne, nënat e Tetovës, duam që fëmijet tanë të rriten në ambient të pastër, në mjedise me gjelbërime, në shkolla e spitale me kushte normale, në rrugë pa pluhur e me transport publik”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes “Nëna dhe fëmija”.

Në një protestë me moton “Ndërrojmë lodrat me filtra”, tetovarët grumbulluan lodrat e fëmijëve të tyre, të cilat më pas ua dhuruan fëmijëve në klinikën e Tetovës, që sipas lëvizjes “Nëna dhe Fëmija”, janë pikërisht viktima të ajrit të ndotur. Një protestë për ajër në Europën e Shekullit 21. Një moto dhe një gjest sa mijëra fjalë./AgroWeb.org/