Lufra dhe Erzeni – Nën hetim zyrtar nga Autoriteti i Konkurrencës

443 0

Komisioni i Konkurrencës, organi drejtues i Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës që në muajin shkurt të 2016 është aktivizuar në një hetim paraprak në tregun e përpunimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës. Në analizë ka qenë tregu i produktit qumësht i freskët i lopëve, deleve dhe dhive, i cili grumbullohet nga fermerët, shkon për përpunim dhe ambalazhim në disa fabrika prodhimi dhe përpunimi në vendin tone, me vendndodhje kryesisht në Lushnje, Berat, Gjirokastër, Shkodër e Tiranë, dhe pas përpunimit tregtohet në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Duke qenë se qumështi i përpunuar dhe ambalazhuar kalon në disa procese teknologjike, pra trajtohet dhe i nënshtrohet përpunimit termik përpara konsumimit, për analizën e mëposhtme është përjashtuar qumështi i freskët, i cili tregtohet në tregun “informal” në shishe plastike, i mbushur direkt dhe i papërpunuar në fabrika të mëdha.

Autoriteti i Konkurrencës objekt të hetimit konsideroi tregun e përpunimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij: qumësht i freskët ambalazhuar me shishe plastike 1.5 litër, kos i freskët i ambalazhuar me shishe plastike 1 litër dhe kos i freskët i ambalazhuar me gota plastike 480 gr.

Gjatë fazës së hetimit paraprak janë analizuar të dhënat për rreth 9 ndërmarrje të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun përkatës për periudhën hetimore, dhe ndërmarrjet Lufra dhe Erzeni zotrojnë rreth 75 – 80% të pjesës së tregut të shitjes sipas sasisë dhe vlerës së shitur për produktet në tregun përkatës.

Sipas grupit të hetimit, vërehet një përqendrim shumë i lartë i tregut, për të tre produktet e marra në analizë, si pasojë e pjesës së madhe të tregut që zënë dy ndërmarrjet Lufra dhe Erzeni. Ky indeks paraqitet përafërsisht në të njëjtat nivele në të dyja vitet 2014 dhe 2015, i cili tregon që nuk ka pasur ndonjë ndryshim të strukturës së tregut të ndërmarrjeve për këto produkte dhe tregu mbetet i përqendruar vetëm në duar të dy kompanive.

Nga analizimi i treguesve të përqendrimit, pjesët e tregut të ndërmarrjeve gjatë periudhës nën hetim, si dhe krahasimi i cmimeve të aplikuara nga ndërmarrjet për periudhën hetimore për produktet në tregun përkatës, vërehet se ndërmarrjet Lufra dhe Erzeni paraqesin dyshime për ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar dhe fiksim të paligjshëm çmimesh.

Nga analiza e trendit të çmimit mesatar mujor të shitjes së qumështit të ambalazhuar me shishe plastike 1.4 litra, kosit të ambalazhuar 350/380 gr, kos i ambalazhuar me shishe 0.95 / 1 litër, për periudhën 2014 – Janar 2016, vërehet se ndërmarrjet LUFRA dhe ERZENI aplikojnë çmime të shitjes me shumicë të këtij produkti me ndryshime shumë të vogla nga njëri- tjetri, çmimet e tyre janë më të larta se të konkurrentëve të tjerë më të vegjël të tregut, si dhe çmimet e shitjes me pakicë janë të caktuara dhe pa luhatshmëri sezonale gjatë gjithë periudhës objekt hetimi.

Referuar analizës së mësipërme, rezulton së për ndërmarrjet LUFRA Shpk dhe ERZENI Shpk, të cilat zotërojnë 75 – 80 % të tregut sipas sasisë dhe vlerës së shitur të produkteve në tregun përkatës, për periudhën Janar 2014 – 31 Janar 2016, ekzistojnë shenjat e një kufizimi të mundshëm të konkurrencës. 

Si pasojë e situatës së mësipërme, Komisioni i Konkurrencës vendosi të hapë një hetim të thelluar 6 mujor në tregun e përpunimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij, ndaj ndërmarrjeve “Lufra” Shpk dhe “Erzeni” Shpk me objekt ekzistencën ose jo të një marrëveshje të ndaluar ose abuzimin ose jo me pozitën e përbashkët dominuese në tregun përkatës./AgroWeb.org/