Luhatjet e punësimit në bujqësi

264 0

Përditësim:25 Shtator 2015. Për bujqësinë thuhet shpesh se është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Me të drejtë, sepse është sektori qëeuml; siguron jetesën e më shumë shqiptarëve nga çdo sektor tjetër në vend tek mbulon gjysmën e totalit të punësimit në Shqipëri. Por, shifrat e punësimit në këtë sektor kanë pësuar tkurrje të lehtë në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 0.2%

Sipas Institutit të Statistikave, ky sektor ka pësuar luhatje, duke siguruar 40.5% të punësimit në tremujorin e dytë të vitit 2015 nga 43.2% që ishte në të njëjtën kohë një vit më parë, me një rënie të peshës në punësimin total prej 2,7 pikë përqindje, ndërkohë që punësimi gjithsej për periudhën në fjalë ka pësuar një rritje prej 3,7 %.

Sipas INSTAT rënia e peshës që zë punësimi në sektorin bujqësor në punësimin gjithsej, është kompensuar me rritjen e peshës së punësimit në aktivitetet ekonomike si industria përpunuese (nga 8,1 % në 9,3 %) dhe ndërtimi (nga 6,4 % në 7,3 %), sektorë në të cilët mbizotërojnë të punësuarit me pagë dhe/ose të vetë-punësuarit. Ndërsa vihet re që ka një rënie të numrit të të punësuarve si punëtorë pa pagesë të familjes (në terma vjetorë me 6 %). Kjo kategori të punësuarish (punëtorë pa pagesë të familjes) përbën mesatarisht 67-68 % të të punësuarve në sektorin e bujqësisë, ndaj rënia e numrit të tyre rrjedhimisht jep ndikim në uljen e peshës së sektorit të bujqësisë në punësimin 

Vlera e shtuar në sektorin e bujqësisë për tremujorin e parë të vitit 2015 pati një rritje prej 1,85 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Pra kjo rritje prej 1,85 % nuk tregon rritje të kontributit të sektorit të bujqësisë në PBB por rritje të vlerës së shtuar brenda vetë sektorit të bujqësisë.

Sipas ekspertëve ky ngadalësim i punësimit në bujqësi i dedikohet disa faktorëve, që nga përmbytjet tek një sërë pengesash dhe vështirësish që fermerët dhe agrobizneset kanë ndeshur në eksportimin e produkteve të tyre, duke bërë që të rikonsiderojnë në një farë mase numrin e të punësuarve.

Sektori bujqësor ka pësuar luhatje, duke siguruar 40.5% të punësimit nga 43.2% që ishte në të njëjtën kohë një vit më parë

Për më tepër, sektori bujqësor ka dhe një sërë karakteristikat që e bëjnë akoma më të vështirë përcaktimin e numrit të saktë të të punësuarve.

Së pari bujqësia në Shqipëria është e dominuar nga fermat familjare, ku familjarët japin të dhëna mbi punësimin në kohë të ndryshme të vitit.

Së dyti, shumë fermerë dhe punëtorë e kanë bujqësinë si një aktivitet me kohë të pjesshme dhe kanë të ardhura të tjera si burim kryesor jetese.

Së treti, bujqësia karakterizohet nga punësimi sezonal, ku një numër i madh punonjësish mund të merren në punë për periudha relativisht të shkurtra, në varësi të ciklit të punës.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, shumë ekspertë të bujqësisë e vënë theksin gjithashtu tek fakti se rritja e përdorimit të pajisjeve dhe teknologjisë moderne në bujqësi ka pasur një impakt në forcën punëtore, si një efekt anësor.
Edhe pse bujqësia përbën më pak se 20% të GDP së vendit, ajo përfshin më shumë se 40% të të gjithë punësuarve në vend, duke luajtur një rol tejet të rëndësishmë në ekonominë shqiptare, ku një luhatje e lehtë e nivelit të punësimit shihet gjithnjë me shqetësim.

Burimi: INSTAT