Një komb, një qëndrim, dy ekonomi?

322 0

Shkëmbyen nga një shishe verë si dhuratë kuptimplote protokollare. Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë Panariti dhuron një verë nga kantina Kokomani ndërsa Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Krasniqi një shishe nga verërat Stone Castle të Rahovecit. Nga më të mirat. Ishte mbyllja e një takimi dypalësh zhvilluar së fundmi në Tiranë ku të dy Ministrat premtuan konkretizim të marrëdhënieve agro-ekonomike. Por ndryshe nga vera, që bëhet më e mirë ndërsa vjetërohet, koha ka efekt jo fort pozitiv në aspektin ekonomik.

Kur baballarët e Evropës menduan për bashkim mes vendeve Evropiane, e nisën atë si bashkëpunim ekonomik, duke kuptuar qartë që nuk janë kufijtë gjeografikë por në thelb ekonomia ajo që ndan apo bashkon. Pikërisht bashkimin rajonal ekonomik synonte edhe Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA), nënshkruar në vitin 2006 nga vendet e rajonit, pjesë e procesit të Stabilizimit dhe Asocimit; Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova (asokohe UNMIK në emër të Kosovës).

CEFTA ka si qëllim liberalizimin e plotë të tregut në rajon, si dhe trajtimin e barrierave të ndryshme jotatimore për tregtinë. Marrëveshja zëvendëson rrjetin e 32 marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë në rajon dhe prezanton tregtinë plotësisht të liberalizuar të prodhimit industrial si dhe tregtinë e lirë, kryesisht për produktet bujqësore.

A ka ardhur koha që me Kosovën të kemi një bashkëpunim dypalësh më intensiv për një treg të përbashkët, por pa cënuar Marrëveshjen CEFTA? Çështja është e debatueshme, ajo që është e padiskutueshme është se dy vendet po përjetojnë një rritje të bashkëpunimit në fushën bujqësore, pavarësisht disa incidenteve me miellin apo së fundmi me rrushin

Kosova partner i dytë për eksportet shqiptare

Kosova ka kaluar në partnerin e dytë për eksportet shqiptare me 9,1%, por pas Italisë, që kryeson me 48,3% ndaj totalit. Sipas INSTAT, në periudhën janar-korrik u eksportuan drejt Kosovës produkte shqiptare me vlerë 13.7 miliardë lekë dhe një rritje 47% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku eksportet e lëndëve djegëse dhe energjisë janë dyfishuar në 7 muajt e parë të vitit 2015. Produktet shqiptare më të eksportuara drejt Kosovës janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, që zënë 47.4% të totalit, ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe metalet me 29% të totalit.

Edhe shitjet e produkteve ushqimore shqiptare në tregjet e Kosovës në 7 muajt e parë u rritën 45%, duke arritur në vlerën e 1.4 miliardë lekë, edhe pse pesha e tyre mbetet e ulët në eksportet me vetëm 10% ndaj totalit. Importet e mallrave nga Kosova arritën vlerën 3.3 miliardë lekë, një vlerë gati e njëjtë, krahasuar me 7-mujorin e parë.

Nga ana tjetër, sipas Agjensisë së Statistikave të Kosovës për muajin korrik, përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Austri (15.4%), Serbi (15.1%), Shqipëri (11.2%), Belgjikë (9.5%), Maqedoni (8.8%), Indi (7.8%) etj.

Në pritje të rritjes së eksporteve nga Kosova

Marrëveshjet Kosovë – Shqipëri të mos mbesin vetëm në letër – Kosova të rrisë eksportin në Shqipëri. Kështu ka vendosur ta titullojë njoftimin e tij në faqen zyrtare, Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Memli Krasniqi.

Dy Ministrat pas takimit në Tiranë

Në njoftimin për shtyp thuhet se Krasniqi ka deklaruar se krahas rritjes prej 50 për qind të volumit të eksporteve të mallrave nga Shqipëria në Kosovë, ne presim që të rritet edhe eksporti i Kosovës në Shqipëri,” duke nënkuptuar mbase një kërkesë për lehtësim barrierash nga pala shqiptare.

Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës thuhet se Ministri Krasniqi ka deklaruar se “Ministri Panariti tha se do t’u jepet fund ngërçeve të panevojshme që mund të kenë ndikuar në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.” Qëndrimi i palës kosovare përforcohet nga deklarata zyrtare e palës nga Republika e Shqipërisë. Në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë thuhet se: “Te dy ministrat u angazhuan për heqjen e të gjitha barrierave që pengojnë tregëtinë e prodhimeve bujqësore midis dy vendeve.”

Ministri Panariti ka shprehur mirënjohjen për homologun kosovar, për dhënien e “statusit ekskluziv”, duke lehtësuar procedurat dhe praktikat për eksportet shqiptare të prodhimit bujqësor në tregun e Kosovës.
“Ju siguroj që ne do të marrim masat që të lehtësojmë të gjitha praktikat dhe të heqim të gjitha barrierat tregtare për prodhimet bujqësore të Kosovës, të cilat janë të mirëpritura e pëlqyera në tregun shqiptar, duke nisur nga mielli apo produktet tradicionale të Kosovës”, mësohet të ketë deklaruar Panariti.

Dy vende – Një Panair

“Panairi i prodhimeve bujqësore shqiptare” kështu do të quhet edicioni i 9 i Panairit të Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale organizuar nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Për herë të parë panairit bujqësor të Kosovës do t’i bashkohet në mënyrë të organizuar edhe agrobiznesi shqiptar, duke e zhvendosur në Prishtinë në 30 shtator – 3 tetor 2015, Panairin e Agrobiznesit Shqiptar, i parashikuar të zhvillohej në Tiranë.

Kosova dhe Shqipëria kanë burime të pafundme bashkëpunimi në fushën e bujqësisë të paeksploruara ende. Është mision i biznesit të dy vendeve për t’i bërë ato atraktive për një treg të qëndrueshëm, sigurisht me përkrahjen e politikave qeveritare të të dy vendeve. Ekonomia nuk ka luksin të presë vjetërimin e shisheve të verës.