Makineritë bujqësore pa doganë

368 0

Taksat dhe tatimet për importin e makinerive kanë qenë gjithnjë pengesë për frymëmarrjen e investimeve në bujqësi për shkak të kostos së lartë për buxhetin e një fermeri.

Por edhe pse një vendim i miratuar një vit më parë i përjashton ata nga detyrimet doganore të importit, fermerët nuk janë të mirëinformuar mbi këto lehtësira fiskale që i vijnë në ndihme biznesit të tyre dhe, parë në një plan më të gjerë, i vijnë në ndihmë rritjes së prodhimit vendas.

Një vendim i miratuar një vit më parë i përjashton fermerët nga detyrimet doganore të importit, megjithatë ata mbeten ende të painformuar mbi këtë fakt.

Rasti

Në Otllak të Beratit, Kastriot Çuedari, ka një dekadë që merret me përpunimin e ullirit të tavolinës. Kish ardhur koha të zgjeronte aktivitetin e tij me një investim të ri; një linjë e përpunimit të ullirit për prodhimin e vajit. Pas një aplikimi të sukseshëm për mbështetje financiare përmes skemës mbështetëse të AZHBR-së, ai siguron një kontratë me këtë insitucion I cili do të mbulojë 50% të investimit të tij. Jo vetëm kaq. Pas këshillimit, Kastrioti mëson se këtë makineri mund ta importonte pa paguar taksën doganore. Pas plotësimit të rregullt të dokumentacionit të duhur, linja e përpunimit të vajit është në destinacion pothuajse gati për nisjen e punës; më shumë prodhim, më shumë cilësi, më shumë të ardhura, më shumë vende pune.

Çfarë parashikon Vendimi i Qeverisë?

Vendimi i Këshillit të Ministrave ‘Për përcaktimin e listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe të procedurave të përjashtimeve e të kritereve përkatëse’ në pikën c, të nenin 1 përcakton se përjashatohen nga TVSH-ja e importit tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit.

Sipas këtij Vendimi, për të përfituar nga kjo lehtësi fiskale, tatimpaguesit, si agropërpunues, agrofermerë etj, duhet të paraqesin në zyrat doganore dokumentet e mpëoshtme:

një kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoritetevedoganore, i bashkëngjitet edhe një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it;

  • Kopje të ekstraktit të QKR-së, ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushëne agrobiznesit;
  • Kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin dhe kohëzgjatjen e investimit;
  • Kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet;
  • Të dhëna për llojin dhe sasinë e makinerive e të pajisjeve që do të importohen dhe për periudhën e instalimit;
  • Kopje të aktit të pronësisë apo të marrjes me qira të ambienteve ku do të bëhet investimi;
  • Përshkrimin skematik dhe narrativ të skemës teknologjike për çdo element të saj.

Ndërsa në rastin e importit nga fermeri, tatimpaguesit paraqesin dokumentacionin e
mëposhtëm:

  • Një kërkesë me shkrim, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore;
  • Vërtetim nga drejtoria rajonale e bujqësisë se është fermë;
  • Kopje të aktit të pronësisë apo të marrjes me qira të tokës;
  • Të dhëna për llojin dhe sasinë e makinerive e të pajisjeve që do të importohen dhe për periudhën e importimit.

Në Panairin e Parë Ndërkombëtar të Makinerive Bujqësore për Europën Juglindore në Tiranë, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti theksoi se, sfida e bujqësisë shqiptare është të rrisë rendimentin, të ulë kostot dhe ta lidhë prodhimin me tregun dhe për këtë duhen natyrisht edhe pajisjet. Qeveria është e predispozuar për të stimuluar formimin e shoqatave të fermerëve, të kooperativave , pasi kjo e bën edhe më efiçente financimin e blerjes së këtyre pajisjeve. Për Ministrin Panariti kjo do të ulte kostot dhe shteti do të angazhohej edhe më shumë të mbështeste me subvencione shtetërore blerjen e makinerive.