Mana e Kuqe apo e Bardhë – Cila është Më e Mira

8k 0

Shumë njerëz janë të mendimit se ndryshimi i vetëm mes manave është ngjyra. Disa të tjerë mendojnë që manat e kuqe dhe ato të bardha nuk kanë asnjë ndryshim. E vërteta është se ngjyrat nuk janë veçoria e vetme që i ndan këto fruta të shijshme.

Mana e kuqe (Morus Rubra) ka vendlindjen në Kinë, ndërsa mana e bardhë (Morus Alba) ka vendlindjen në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Të dyja llojet e manave gjenden edhe në Shqipëri dhe rriten lehtësisht në oborre shtëpish, por edhe në kopshte më të mëdha.

Nëse i krahasojmë të dyja, mana e kuqe është më gjatoshe. Pema e manës së kuqe ka një lartësi prej 18 metrash dhe zë një sipërfaqe prej 15 metrash. Pema e manës së bardhë është 18 metra e lartë dhe zë një sipërfaqe prej 12 metrash. Mana e kuqe ka degë më të dendura në krahasim me manën e bardhë.

Frutat e manës së kuqe kanë një ngjyrë të kuqe të errët që i përafrohet të zezës. Fruti i manës së bardhë ka një ngjyrë kremi. 

Ndryshimi tjetër mes të dy këtyre varieteteve qëndron tek gjethnaja. Gjethet e manës së kuqe janë të ashpra dhe me push, ndërsa gjethet e manës së bardhë janë të lëmuara. Gjethet e manës së kuqe kanë ngjyrë jeshile të errët me damarë të dalë dhe ndarje të përkufizuara qartë.

Gjethet e manës së bardhë janë në ngjyrë jeshile të çelët me damarë të dukshëm, por të njëtrajtshëm. Fletëza e gjethes së manës së kuqe është një drejtimëshe dhe baza e saj është e njëtrajtshme. Fletëza e manës së bardhë është më rrumbullake dhe baza e saj është e çrregullt.

Gonxhet e manës së kuqe anë të mëdha dhe çelin jashtë zonës qëndrore të degëve. E kundërta ndodh me manën e bardhë. Nëse krahasojmë të dy frutat, mani i kuq është kokërmadh dhe i ëmbël. Lëvorja e manës së kuqe ka një ngjyrë me nuancë gri. Është e zhubrosur por e sheshtë dhe ngjason me luspat. Lëvorja e pemës së manës së bardhë ka nuanca të ngjyrës kafe me luspa të gërshetuara.

Manat përmbajnë resveratrol një antioksidant të fuqishëm që gjendet edhe tek rrushi dhe që mbron kundër atakut në zemër. Ky element forcon mekanizmat molekularë në enët e gjakut duke parandaluar përkeqësimin e tyre që shkakton rritjen e tensionit të gjakut.

Manat e errëta përmbajnë më tepër resveratrol dhe antioksidantë për shkak të pranisë më të madhe të antocianinës. Manat e errëta gjithashtu janë më të ëmbla se manat e bardha, të cilat kanë më të theksuar shijen karakteristike të cilat të gjithë ja njohim manave. Shqipëria e mesme është shtëpia shpirtërore e manave të bardhë, ndërsa manat e kuq dhe manat e zinj gjenden më shumë në pjesën veriore dhe verilindore të vendit.

Vlerat shëndetësore të manave

Manat janë të pasura me flavonoidë të njohur si “anthocianinë” të cilat sipas studimeve shkencore kanë efekt kundër qelizave të dëmshme, plakjes, sëmundjeve neurologjike, inflamacionit, diabetit dhe infeksioneve bakteriale.

Përmbajnë resveratrol një tjetër antioksidant i fuqishëm që mbron kundër atakut në zemër. Ky element forcon mekanizmat molekularë në enët e gjakut duke parandaluar përkeqësimin e tyre që rrit tensionin e gjakut. Janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, në 100 gramë mana gjendet 36.4 mg vitamin C ose 61% e dozës së rekomanduar ditore.

Manat përmbajnë sasi më të vogla të vitaminës A dhe E. Konsumimi i manave i jep trupit një sërë antioksidantësh dhe flavonoidësh të tjerë përfshirë zea ksanthinën dhe beta karotenin, në sasi më të vogla por mjaft domethënëse. Së bashku këta përbërës ofrojnë mbrojtje të madhe kundër efekteve të dëmshme të radikaleve të lira dhe riaktivizojnë përçimin e oksigjenit në organizëm

Manat janë një burim i pasur i hekurit. Kjo në fakt është një veti unike në rastin e frytave të tilla. Në 100 gramë mana gjenden 1.85 mg hekur (23% e dozës së rekomanduar ditore). Hekuri është një element përbërës i hemoglobinës brenda qelizave të kuqe të gjakut dhe përcakton aftësitë përçuese të oksigjenit në gjak.

Manat janë gjithashtu një burim i pasur i mineraleve si kaliumit, manganit dhe magnezit. Kaliumi është një përbërës i çmuar i qelizave dhe lëngjeve trupore që mban nën kontroll rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut. Manat janë të pasura me grupin e vitaminave B dhe vitaminën K.

Ato përmbajnë sasi të konsiderueshme të vitaminës B-6, niacinës dhe acidit folik. Këto vitamina i japin organizmit më shumë fuqi në përpunimin e karbohidrateve, proteinave dhe yndyrnave./AgroWeb.org