Mashtrimet me fondet mund t™i kushtojnë bujqësisë 71 milion Euro

360 0

Si mund të humbasësh 71 milionë Euro sa të hapësh e të mbyllësh sytë? Ka disa mundësi. Njëra përshembull do të ishte t’i kuotoje në bursë. Por, duke qenë se Tirana s’ka bursë funksionale, kjo mundësi na bie. Mund t’i investosh në mënyrën e gabuar dhe të ngelesh pa një kacidhe, ose të mashtrosh dhe të kesh aq shumë parregullsi sa paratë të t’i marrin pa t’i dhënë akoma mirë.

Kjo e fundit mund të jetë dhe rasti i Shqipërisë. Vendi mund të humbasë 71 milionë Euro që Bashkimi Evropian ka akorduar për sektorin bujqësor, përmes fondeve IPARD, nëse nuk parandalon parregullsi dhe mashtrime të mundshme në financimin e BE për zhvillimin rural.

“Bashkimi Evropian ka një procedurë shumë strikte, që bën të mundur që paratë të kthehen mbrapsht nëse shtetet anëtare nuk i menaxhojnë siç duhet dhe nuk kontrollojnë shpenzimet e tyre. I njëjti princip rigoroz për fondet e BE-së vlen edhe për vendet kandidate, si anëtarë të ardhshëm të familjes sonë Evropiane”, tha ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin në takimin e nivelit të lartë të mbajtur dje në Tiranë për parandalimin dhe identifikimin e parregullsive dhe korrupsionin me fondet IPA për zhvillimin rural.

IPA ka një komponent të Zhvillimit Rural (IPARD), i cili i siguron vendeve kandidate të BE-së, asistencë për implementimin e programeve shumëvjeçare, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së.

Gjatë konferencës mbi parandalimin dhe identifikimin mbi parregullsitë dhe mashtrimin me fondet e BE-së për zhvillimin rural. Foto: Delegacioni BE-së

Fondet e BE-së mbulojnë 50-70% të investimit dhe i gjithë financimi në bujqësi pritet të kapë shifrën e 180 milion Euro. Për periudhën 2016-2020, ky fond i dhënë nga Bashkimi Evropian dhe një pjesë nga qeveria shqiptare shkon në 91 milionë Euro.

Për Ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti kjo marrëveshje me BE sjell detyrime akoma më të mëdha, kryesisht në respektimin e afateve të disbursimit. “Ky është një proces që do të përfshijë të gjithë qeverinë dhe në mënyrë të veçantë Ministrinë e Financës”, është shprehur ai.

Por aksesi i fermerëve dhe agro-përpunuesve në këto fonde do të varet shumë nga akreditimi i suksesshëm i institucioneve vendase përgjegjëse për implementimin e këtyre fondeve.

Njëlloj si gjatë procesit të aplikimit në skemën e granteve IPARD-like, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), do të jetë përgjegjëse për vënien në dispozicion të këtyre fondeve për fermerët. Nga ana tjetër Ministria e Financave do të ketë rolin e autoritetit mbikëqyrës.

Ndër vite Shqipëria e ka humbur shumë herë rastin për t’i shfrytëzuar fondet IPA për bujqësinë. Kjo sipas Bashkimit Evropian ndodh për shkak të parregullsive, mungesës në dokumentacion dhe probleme të pronësisë, të cilat bëjnë që fermerët dhe agrobizneset të kenë vështirësi në përthithjen e fondeve.

Sipas Bashkimit Evropian, për shkak të informalitetit të lartë në sektorin e agro-përpunimit, mundësia e aplikantëve për të plotësuar procedurat e përcaktuara bazuar në legjislacionin shqiptar ka qenë gjithashtu e kufizuar, e cila ndikon negativisht në thithjen e fondeve.

Prandaj, rritja e kapacitetit absorbues kërkon përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar njohuritë mbi aplikimet dhe pagesën. Ndërkohë që thjeshtimi i procedurës për grante të vogla mund ta përmirësonte akoma më shumë thithjen e fondeve.

“Ky është një investim shumë i madh, i cili po të përdoret mirë, mund të çojë drejt një ndryshimi të thellë në strukturën e ekonomisë bujqësore dhe në cilësinë e ushqimit në Shqipëri. Ne i inkurajojmë fermerët dhe agrobizneset në Shqipëri që të jenë të vetëdijshëm dhe proaktivë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi e madhe që po ju ofrohet", vuri në dukje ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin në fjalën e saj.

Mungesa e financimit është një nga pengesat kryesore për rritjen e sipërmarrjeve SME të bujqësisë, me gjithë progresin e bërë për të ngushtuar këtë hendek.
Gjithsesi për të arritur objektivin e përthithjes totale të fondeve dhe financimeve deri në vitin 2020 do të duhet një përpjekje gjithpërfshirëse nga qeveria, insitucionet e BE-së, për të parandaluar dhe për të gjetur parregullsitë dhe mashtrimin në financimin në bujqësi. Pasi me një të pulitur të syve mund të humbasim të ardhmen e një prej sektorëve më me potencial për zhvillimin ekonomik të vendit. /Agroweb.org/