Mashtrimet me Produktet BIO Shqiptare

294 0

Bujqësia organike është ajo që konsiderohet si e ardhmja e bujqësisë. Pavarësisht përhapjes ende në nivel modest në Shqipëri, prej rreth 10 vitesh, ekspertët po punojnë intensivisht për të eksperimentuar produkte organike, apo bio, siç keni dëgjuar të quhen. Enver Isufi, drejtues i Institutit të Bujqësisë Biologjike, i ndan sipas inputeve përkatëse, sistemet e bujqësisë që aplikohen në Shqipëri. “Bujqësia bio përdor inpute të padëmshme për njerëzit dhe mjedisin. Këto inpute janë të regjistruara në standartet përkatëse. Fermat bio duhet ta respektojnë listën e plehrave, pesticideve, farërave, higjienën e tokës, higjienën e ujit etj.

Nga ana fizike, produktet bio i dallon vetëm etiketa me logon përkatëse. Është pak a shumë si dy shishe me verë të kuqe. Nëse shishet nuk kanë etiketën e kultivarit dhe përshkrimin e sistemit të prodhimit të rrushit, konsumatori nuk i dallon. Kështu është edhe për perimet, frutat, vajin, apo vezën bio”- shpjegon profesor Isufi. Lidhur me një lloj konfuzioni që është krijuar tek konsumatori, për tabela, shënime apo artikuj ku shkruhen “mish bio”, “vezë bio”, apo “ferma bio”, eksperti Isufi ka përgjigje preçize: “Një pjesë e njerëzve i quajnë produktet e tyre të paçertifikuara, si produkte bio vetëm për të joshur konsumatorët. Këta të fundit mjaftohen që mollën e tyre ta presë thika dhe e quajnë bio. Vetëm nëse është plastikë, mund të binden që nuk është. Pakkush e di, që produkti me logon bio, është një status që ja jep vetëm trupa e çertifikimit”- shprehet Drejtori i Institutit të Bujqësisë Biologjike.

Ka një ligj të ri për bujqësinë biologjike, i cili në përmbajtje të tij, e dënon një prodhues, tregtar ose përpunues, që keqpërdor termin “bio” dhe ky keqpërdorim do të konsiderohet si mashtrim ndaj konsumatorit. Sipas ekspertit të bujqësisë së integruar, në Shqipëri nuk ka dyqane që tregtojnë produkte të mirëfillta dhe të çertifikuara si bio. “Dikur, para disa viteve ka patur. Sot nuk ka më. Ka disa përpjekje për të përdorur bujqësinë e integruar, pra ku përdoren në mënyrë të kontrolluar pesticidet, por shumica e produkteve tona nuk janë bio. Perime, fruta, qumësht, mjaltë, vezë bio, nuk ka në tregun shqiptar”- thekson z. Enver Isufi.

Por pavarësisht realitetit që ofron Shqipëria, mundësitë dhe kushtet natyrore që vendi ynë ka, ofrojnë mundësi të mira për të patur produkte bio. “Shqipëria ka një potencial të madh për të prodhuar produkte bio. Kjo për disa arsye: Së pari, Shqipëria përdor të paktën 10 herë më pak inpute (plehra, pesticide) për njësinë e sipërfaqes, krahasuar me bujqësinë Europiane. Së dyti, terreni ynë në 75 % të tij, është kodër-mal, alpe, ku ka shumë produkte natyrale ose me përdorim minimal të inputeve.

Ky reliev mund të krijojë potencial të madh për produktet bio, pasi mjafton një strategji e mirëfilltë dhe një kujdes i posaçëm në kontrollin e trupave të certifikimit, e ne mund të arrijmë rezultate shumë të mira. Do ishte një politikë shumë moderne e qeverisë, nëse do të shpallte një inisiativë afatgjatë “BIO-ALBANIA”- shprehet Isufi.

Brenda këtij viti, pritet të miratohet në parlament, një ligj i ri për bujqësinë biologjike, i cili në përmbajtje të tij, e dënon një prodhues, tregtar ose përpunues, që keqpërdor termin “bio”.  Foto: WebLibrary

Sipas tij, një hap i parë për të arritur dicka të tillë, do të ishte shmangia nga sistemi i bujqësisë konvencionale (me shumë pesticide e kimikate me cilësi të keqe) dhe tendenca për të masivizuar bujqësinë e integruar, e cila i përdor këto impute, në mënyrë më të kontrolluar dhe zbaton ca standarde mjedisore shumë më të pranueshme. “Më pas, fermat më të mira me bujqësi të integruar, pjesë pjesë kalojnë në ferma bio. Krahas kësaj, shtimi i fermave bio, nxitet edhe me anë të subvencioneve”- thekson Drejtori i Institutit të Bujqësisë Biologjike.

Por eksperti Isufi nuk e ka problem të jetë kritik me mënyrën sesi janë sjellë qeveritë ndër vite me bujqësinë biologjike në Shqipëri. “Qeveritë e radhës vetëm kanë folur për prodhimet bio, herë duke bërë rolin e shejtanit, duke përdorur termin bio kudo, e herë duke dalë si budallenj, pasi nuk kanë dhënë asnjë fond për bujqësinë bio”- ironizon Isufi.

Në Institutin e Bujqësisë Biologjike ekzistojnë edhe disa ambjente të posaçme, disa ferma të dedikuara, ku eksperimentohen metoda të ndryshme, në funksion të sigurimit të produkteve bio. “Ne si praktikë kemi ngritjen e fermave model, ku zbatohet standarti bio, deri sa ato çertifikohen. Bëjmë prova për testimin e plehrave, produkteve për mbrojtjen e bimëve, cilësinë e farërave, apo përdorimin e teknikave të reja në prognozimin e sëmundjeve dhe dëmtuesëve”- shpjegon drejtori i institutit.

E nëse pyet më tepër për metodat që eksperimentohen, merr dhe përgjigje që të habisin apo që të krijojnë reagim deri në humoristik. Për shembull, pakkush mund ta dijë në Shqipëri, se birra mbron bimësinë. “Birra përdoret për luftimin e kërmijvë në fushë. Ajo i tërheq kërmijtë, ndaj duke futur pak birrë në fundin e një shisheje plastike (15 cm), e duke e futur këtë shishe të prerë, paralel me tokën, ajo do të mbushet plot me kërmij. Familjarët mund ta përdorin këtë metodë edhe në kopshtet dhe oborret e tyre me lule” sqaron Enver Isufi. Po kështu ndodh edhe me një shishe me lëng cola, e cila nuk lejon grerëzat të hanë bistakët e rrushit. “Në fermat tona bio përdoren edhe feromone që tërheqin ose çorientojnë insektet, duke mos i lënë të lëshojnë vezë mbi bimë, çka shmang larvat bimëngrënëse. Këto metoda janë shumë efektive dhe shumë miqësore me mjedisin, por ende nuk po futen gjërësisht në prodhim”- shprehet me keqardhje eksperti i bujqësisë biologjike./AgroWeb.org

 

*Gert Selenica është kryeredaktor i Departamentit të Informacionit në TVSH dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org