Mbeturinat Fundosin Fierzën – Shpallet Emergjenca

309 0

Prefekti i Qarkut Kukës Liman Morina shpalli sot situatën e emergjencës për shkak të gjendjes alarmante në Liqenin e Fierzës. Brenda një periudhe 5 ditore të gjitha institucionet vendore, përfshirë Bashkinë Kukës, Drejtorinë e Kufirit, si edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile duhet të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar shkatërrimin mjedisor që po ndodh në liqen dhe në zonat përreth.

Liqeni i Fierzës u krijua në vitin 1978 për të furnizuar me ujë tre hidrocentralet më të mëdhenj të Shqipërisë. Liqeni shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 72 kilometra katrorë, e cila prej vitesh ndotet masivisht me plehra dhe mbeturina që sillen në bazenin hidroenergjitik nga prurjet e Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi.

Specialistët e mbrojtjes së mjedisit shprehen se kjo problematikë shfaqet çdo vit në stinën e pranverës, ku rritja e nivelit të ujit merr me vete gjithë mbeturinat që vijnë me rrjedhjet e lumenjve.

“Të gjitha këto inerte që janë të derdhura nëpër këto hapësira dalin në sipërfaqe duke krijuar një ndotje masive të sipërfaqes së liqenit. Kjo jo vetëm që krijon një pamje jo të përshtatshme dhe jo të denjë për qytetarinë, por është një ndotje që ndikon drejtpërdrejt në mjedis. Drini i Bardhë është një ndër ndotësit më të mëdhenj se pse pranë brigjeve të tij janë qytete të mëdha si Prizreni, Gjakova e Peja”, është shprehur më herët eksperti Arben Palushi.

Mbeturinat janë më së shumti ambalazhe plastike, mbetje ilaçesh, lëndësh ndërtimi dhe të tjera vijnë nga Maqedonia dhe Kosova, nga prurjet e lumenjve Drini i Zi dhe Drini i Bardhë

Prefekti Liman Morina ka kërkuar që të formohet një strukturë e veçantë për mbrojtjen nga ndotja, ndonëse ajo krijohet nga Kosova dhe fshatrat e Kukësit. Kërkesa e tij bën fjalë për instalimin e një rrjete mes kufirit Kosovë – Shqipëri për moslejimin e kalimit të mbetjeve në territorin shqiptar.

Situata mjedisore në Liqenin e Fierzës është e rëndë për shkak të ndotjes, e cila ka vite që sa vjen e përkeqësohet. Më problematike është zona e Drinit të Bardhë, pasi rrjedha e tij kalon nëpër disa fshatra të Kosovës duke marrë prej andej një sasi kolosale mbeturinash.

Këto mbeturina janë më së shumti ambalazhe ushqimesh, ilaçesh, lëndësh ndërtimi dhe të tjera vijnë nga Maqedonia dhe Kosova, nga prurjet e lumenjve Drini i Zi dhe Drini i Bardhë. Ato janë mjaft të rrezikshme për florën dhe faunën e liqenit dhe brigjeve të tij, madje sipas biologëve janë një nga ndotësit më të mëdhenj në Kukës, pasi në ekosistemin e Liqenit të Fierzës jetojnë 15 lloje peshqish. Liqeni shërben edhe si burim jetese për banorët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Pukës dhe një pjese të Kosovës./AgroWeb.org/