Mbi 5 Mijë Kilogramë Produkte Ushqimore Të Dyshimta Në Kapshticë Nga Turqia

1.3k 0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet rigoroze në Pikat e Inspektimit Kufitar me qëllim parandalimin e futjes në Shqipëri të produkteve ushqimore që nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe janë të pasigurta për konsum.

Sipas informacionit nga AgroWeb.org, nga kontrollet e ushtruara nga AKU në PIK Kapshticë, u konstatua ngarkesa me një sasi prej 5636 kg e ardhur nga Turqia nga subjekti FAEK JABER, me qëllim futjen dhe tregtimin në Shqipëri të produkteve të ndryshme ushqimore.

Bëhet fjalë për ullinj të shtypur, vaj susami, allvasi, lëng shege, gjethe bimore çaji, vaj ulliri, thjerrëza, kamomil, trumzë jeshile, çaj dhe përzierje bimësh, rrënjë kambal, piper i zi, tuberet karafil, kimnone e coptuar, ginger pluhur, majdanoz i thatë, qiqra, kripë kineze, limon i thatë, thjerëza, çaj etj.

Nga kontrolli i dokumentacionit përkatës u konstatua se subjekti nuk dispononte raport-analizën e produkteve, çka përbën mospërmbushje të kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore (Ligji i Ushqimit, neni 18 dhe Urdhëri i Ministrit nr. 374 të dt. 31.08.2017).

AKU Vendos Ndalimin

Në këto kushte, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi të ndalojë hyrjen e mallrave ushqimore në Shqipëri dhe i dha subjektit 7 ditë kohë të plotësojë mangësitë në dokumentacionin shoqërues të mallit.

Me kalimin e këtij afati kohor dhe në kushtet kur subjekti nuk plotësoi mangësitë në dokumentacionin shoqërues të mallit, AKU vendosi kthimin në vendin e origjinës për ngarkesën e produkteve prej 5636 kg.

Kohët e fundit, pas sekustrimit të disa tonelata vaj palme dhe qumështi pluhur, një tjetër ngarkesë produktesh ushqimore të skaduara u bllokua nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Përmes një njoftimi për shtyp, të cilit i referohet AgroWeb.org, AKU bëri të ditur se produkte ushqimore të përditshme si gjalpë, pije freskuese, kos frutash, makarona, çokollata etj jashtë afatit të përdorimit janë sekuestruar në njësi supermarket në Fier ndërsa krahas bllokimit subjektit i është vendosur edhe një gjobë.

Kontrollet vijojnë veçanërisht në këtë sezon turistik, jo vetëm për kushtet higjeno sanitare por edhe për produkte jashtë afatit të skadencës apo pa dokumentacionin e kërkuar./AgroWeb.org