Si Të Mbillni Hithra në Shtëpi në Disa Metoda

1k 0

Hithra është përdorur prej shekujsh për të kuruar dhimbjen e kyçeve, ekzemën, artritin, sëmundjet e tretjes dhe aneminë.

Shumë njerëz zgjedhin të marrin vlerat e hithrës nëpërmjet çajit. Hithra është e mbushur me antioksidantë, siç janë luteina, likopeni dhe hekuri.

Përveç vlerave shëndetësore, hithrat janë shumë të shijshme. Gjetja dhe këputja e hithrave është mision më vete, ndaj përse të mos i rrisësh në shtëpi?

Lexoni artikullin e mëposhtëm të AgroWeb.org dhe të mësoni më shumë mbi metodat e mbjelljes së hithrave në shtëpi.

Hithra (Urtica Dioica) është një nga 50 varietetet e bimës së hithrës në botë. Hithra është një kushërirë mjaft e largët e nenexhikut dhe mentes.

Nëse dëshiron ta rrisësh në shtëpi, duhet të kesh parasysh që hithra ka një natyrë pushtuese dhe duhet mbajtur nën kontroll.

Në Shqipëri, hithra rritet kudo në natyrë, por ajo do të lulëzojë njësoj edhe në shtëpi.

Hithra rritet shpejt. Kërcenjtë e saj janë të mbushur me push pickues, një mburojë e nevojshme e bimës për të mbajtur larg kafshët.

Ndaj, nëse dëshironi të zgjidhni problemin e kafshëve dhe brejtësve që shkatërrojnë ç’tu dalë përpara në kopështin tuaj, atëherë mbillni hithra përreth të mbjellave.

Mbjellja dhe mbledhja e hithrave

Mbillni një deri në tre fara në një saksi. Farat e hithrave mund t’i blini ose t’i merrni nga bima e t’i thani përpara se t’i mbillni.

Mbulojini lehtë farat me dhé dhe sigurohuni që të kenë lagështirë të mjaftueshme. Farat do të lëshojnë rrënjë pas 14 ditësh.

Farat mund t’i mbillni direkt edhe në kopshtin tuaj, duke zgjedhur vendin më të pasur e më të lagësht, larg barishteve të tjera.

Farat mbillini në pranverë në një distancë prej 2 centimetrash nga njëra-tjetra dhe ujitini shpesh.

Nëse dëshironi ta rrisni hithrën në ambient të brendshëm, atëherë transferojini rrënjët dhe kërcenjtë e njomë në një vazo tjetër.

Hithrat do të jenë gati 80-90 ditë pas mbjelljes së farave. Periudha më e mirë për të këputur hithrat është kur gjethet janë të njoma dhe të buta.

Krasiteni bimën duke mbledhur gjethet në pjesën e sipërme. Vazhdoni me krasitjen edhe gjatë verës, duke u përqendruar tek gjethet.

Sigurohuni që të keni veshur doreza dhe të keni mbuluar duart mirë. Pushi përvëlues i hithrës përmban disa kimikate që shkaktojnë ndjesinë e djegies që zgjat për disa orë.

Përdorni gërshërë të mprehta dhe tregoni kujdes në përpunimin e hithrës në kuzhinë. Valojini për pak minuta që t’i zhvishni ato nga pushi djegës.

Transplantimi

Mund të përdorni edhe metodën e transplantimit të bimës.

Këpusni bimën e hithrës me gjithë rrënjë në një gjatësi nga 15 deri në 25 centimetra nga toka, dhe mbilleni në vazo mesatare në shtëpinë tuaj.

Ose provoni të lini hithrat e blera në treg, në një gotë ujë deri sa të lëshojnë rrënjë e më pas transferojini në vazo.

Varietetet e hithrës janë të shumta, ndaj përpiquni të provoni disa prej tyre në mënyrë që të gjeni shijen që ju pëlqen./AgroWeb.org