Meli, cilësitë e drithit më të veçantë të Shqipërisë

2.2k 0

Meli, ky drithë unik ka një shije të fortë e të ëmbël por qetësuese në të njëjtën kohë. Është një nga drithërat shqiptarë më të veçantë, me vlera të mëdha ushqyese dhe pa gluten. Ai është një nga ushqimet më pak alergjike që ekzistojnë në botë, por edhe ndër ushqimet që treten më lehtë se të tjerët. Shqiptarët e kanë për zemër melin, sidomos pasi prej tij prodhohet boza, një pije mjaft e shijshme. Ky drithë i mrekullueshëm është një nga më të rëndësishmit, sepse në fakt ushqen mbi një të tretën e gjithë popullsisë së botës.

Por ky drithë rritet shumë lehtë edhe në shumë zona të Shqipërisë, sepse në krahasim me drithëra të tjerë ai nuk ka nevojë për shumë ujë. Ja përse meli rritet edhe në zonat më të pamundura. Meli është një burim i lirë i kaliumit në krahasim me burimet e tjera konvencionale të tij siç janë erëzat dhe arrorët.

Përse Meli është kaq i veçantë?

Vlerat shëndetësore të melit janë të shumëfishta për shkak se ky drithë është pa gluten, ka sasi domethënëse karbohidratesh dhe acidesh yndyrore. Përveç këtyre, meli përmban edhe minerale të nevojshme siç janë fosfori, mangani, magnezi etj. Nga ana tjetër, meli është një drithë që rritet lehtë.

Vlerat shëndetësore të Melit

Lufton plakjen: Meli ka një përmbajtje të lartë antioksidantësh, të cilat largojnë radikalet e lira nga organizmi. Këto molekula shkaktojnë dëme të panumërta tek qelizat dhe çojnë në shkatërrimin e tyre. Ja përse dalin rrudhat në lëkurë dhe kjo e fundit humbet forcën dhe tonifikimin. Konsumimi ditor i melit ndihmon në ngadalësimin e proçesit të plakjes.

Ndihmon sistemin nervor: Meli përmban një element të njohur si lecithin, që në mënyrë indirekte ndikon në sistemin nervor dhe garanton funksionimin normal të tij. Rrjedhimisht, meli forcon sistemin nervor.

Forcon kockat: Meli përmban sasi të larta kalciumi që është thelbësor për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e kockave. Meli është i dobishëm veçanërisht për fëmijët e vegjël, kockat e të cilëve janë akoma në fazën e rritjes dhe për këtë kanë nevojë për shumë kalcium, por edhe për të moshuarit të cilët kanë nevojë për shumë kalcium për të siguruar qëndrueshmërinë e kockave.

Parandalon sëmundjet kardiake: Studime të fundit sugjerojnë konsumimin e rregullt të melit, pasi ai zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ky drithë gjithashtu zvogëlon përqendrimin e proteinave reaktive, gjë që ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Ndihmon në uljen e kolesterolit: Meli ka ndikim në uljen e nivelit të kolesterolit. Ai rrit nivelin e lipoproteinave të një densiteti të lartë, të cilat mbajnë kolesterolin nën kontroll. Përveç kësaj, meli përmban edhe element të tjerë, aktivë në uljen e kolesterolit, një vlerë e shtuar në shuarjen e rreziqeve nga sëmundjet e zemrës.

Burim i pasur fosfori: Meli është një burim i pasur fosfori për organizmin. Një filxhan kafeje me fara meli ofron 24% të dozës së rekomanduar ditore të fosforit, një element i dobishëm për ndërtimin e qelizave dhe ripërtëritjen gjenetike në trup.

Zvogëlon rrezikun e diabetit: Studime të kohëve të fundit kanë treguar që konsumimi i rregullt i melit zvogëlonte rreziqet e diabetit të tipit 2, sepse mban glukozën në kontroll dhe rregullon nivelin e insulinës, kjo falë përmbajtjes së lartë të magnezit tek meli.

Parandalon formimin e gurëve të tëmthit: Meli ka aftësi parandaluese ndaj formimit të gurëve të tëmthit, kjo për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrës së patretshme që nuk e lejon tëmthin ta teprojë me sekrecionet, shkaktari kryesor i gurëve të tëmthit.

Nuk përmban gluten: Sëmundja celiake prek ata njerëz që kanë ndjeshmëri të lartë ose janë alergjikë ndaj glutenit. Gluteni gjendet tek çdo drithë përveç melit. Ja përse, meli është një nga ushqimet që njerëzit mund ta konsumojnë pa frikë.

Vlera të tjera të Melit

Përveç vlerave që përmendëm më lart, meli ka edhe aftësi të tjera. Femrat pas menopauzës duhet ta konsumojnë melin, sepse i ndihmon ato të shmangin sëmundjet e zemrës. Meli ul tensionin e lartë të gjakut, ofron hekur, vitaminë B6 dhe zink, që janë të dobishme për të gjitha aktivitetet tona ditore ndërsa ndihmojnë edhe me tretjen. Meli është i pasur me fibra, ndaj shuan urinë dhe ndalon njerëzit të hanë me tepricë.

Ruajtja dhe përdorimi i Melit

Meli duhet ruajtur në një vend të thatë dhe të ngrohtë. Në këtë mënyrë mund të zgjasë nga dy deri në tre vjet.

Përdorimi

Meli mund të përdoret në gatime të ndryshme. Kjo farë e vogël me ngjyrë të verdhë ka një shije arrore që përdoret mjaft mirë në sallata, perime, apo duke u përzjerë me qumësht dhe mjaltë.

Pavarësisht këtyre vlerave të mrekullueshme, meli nuk përdoret rregullisht dhe nuk futet në listën e drithërave të cilave u jepet prioritet. Kjo ndodh për shkak të njohurive të pakta që ekzistojnë për përpunimin e melit, por edhe prej perceptimit të gabuar që meli është drithi i një njeriu të varfër./AgroWeb.org