Mikrofinancimi: 5 milion Euro për fermerët shqiptarë

529 0

Jepi dikujt një peshk dhe ai do të ushqehet për një ditë. Jepi mikrokredi dhe ai, gruaja e tij, fëmijët dhe e gjithë familja do të ushqehen për të gjithë jetën. Por jo vetëm kaq. Biznesi do të rimarrë veten, do të fuqizohet, duke krijuar vende të reja pune duke kthyer besimin se gjërat janë në vijë të mbarë.

Sigurisht që nuk po flasim për bamirësi. Mikro financimi është biznes i pastër, edhe pse me një synim më social, për t’i ndihmuar njerëzit që nuk kanë një histori kreditimi me bankat, që nuk kanë kolateral, as të ardhura fikse që të aksesojnë shërbimet financiare. Qofshin këto në qoshen më të izoluar në Vermosh apo në ekstremin tjetër në jug në Filat, apo kudo tjetër në Shqipëri.

Mundësia e kreditimit është tej mase e kufizuar për një pjesë të madhe të popullsisë rurale, kryesisht për shkak se bankat nuk priren të mendojnë se parakushtet ekonomike dhe financiare janë në nivele të pranueshme për të zgjeruar portofolin e tyre të kredive bujqësore. Bankat i dedikojnë sektorit bujqësor jo më shumë se 2-5% të portofolit të tyre të kredisë, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të riskut që shohin në këtë sektor.

Risk, të cilin mikrofinaca duket se e ka në ADN. Për më tepër kur vjen e “armatosur” me një fond prej 5 milion Euro kredi të dhënë nga BERZH dhe mbulim të rriskut nga Qeveria përmes Fondit të Garancisë, sfida për ta bërë sektorin e kreditueshëm bëhet më e kapërcyeshme.

Për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillin synimi i kësaj huaje është pikërisht të lehtësojë aksesin në financime për sektorin e agrobiznesit në Shqipëri. Ku fermerët dhe agrobizneset do të marrin mbështetje, jo vetëm për të ngritur kapacitetet, zhvilluar produktet por edhe për t’i reklamuar ato.

“Një sektor, të cilin ne po e shohim në veçanti është agrobiznesi ku Shqipëria ka një potencial të madh të pashfrytëzuar. Tashmë agrobiznesi është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë, rreth 20 për qind e PBB-së mbulohet nga bujqësia. Agrobiznesi vuan nga një sërë problemesh. Një nga këto është mungesa e aksesit në financime. Ky është një aspekt që ne duam ta adresojmë fort. Së bashku me qeverinë, bankat dhe institucionet mikro-financiare, ne po punojmë fort për të prezantuar Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri, i cili do të përmirësojnë ndjeshëm aksesin në financime në këtë sektor të rëndësishëm” tha për gazetën Shqip, Christoph Denk, drejtor i zyrës së BERZH-it në Shqipëri.

Fermerët e vegjël kanë nevojë të rriten. Agrobizneset duhet të gjenerojnë më shumë punësim. Agroturizmi sepse është pjesa më e pak e shfrytëzuar por me potencialin më të madh

Programi në fjalë do të nisë muajin e ardhshëm menjëherë pas aprovimit nga Bordi i Drejtorëve të BERZH. Programi do të menaxhohet nga NOA, një institucion financiar mikro. Ai do të ndezë dritën jeshile për financime në sektorin e bujqësisë, duke nisur nga fermerët e vegjël tek agrobizneset e konsoliduara.

Pasi deri më tani vetëm të kreditueshmit kanë marrë kredi, ndërsa ata më në nevojë janë lënë duarbosh. Sa do ta ndryshojë ky program këtë aspekt të kreditimit rural?

Sipas Drejtoreshës Ekzekutive të NOA, Herjola Spahiu, zonat e thella rurale janë prioritet i këtij projekti. “Ne po pregatisim një produkt të ri në mbështetje të fermerëve që duan të fuqizojnë biznesin e tyre. Kriteret janë akoma për t’u përpiluar, por ajo që mund t’ju them është se do të kemi interesa vërtetë të ulta. Ne do t’i shoqërojmë gjatë gjithë procesit deri në fazën e kredimit” tha ajo në një intervistë për AgroWeb.

Fermerët e vegjël, agrobizneset dhe agroturizmi do të jenë tre shtyllat kryesore të projektit. “Fermerët e vegjël kanë nevojë të rriten. Agrobizneset duhet të gjenerojnë më shumë punësim. Agroturizmi sepse është pjesa më e pak e shfrytëzuar por me potencialin më të madh”, tha Spahiu duke konfirmuar që kreditë e dhëna do të jenë deri në 100.000 Euro. Kreditë do të kenë një afat maturimi 4 vjeçar ndërkohë që qeveria do të mbulojë 70% të humbjeve për klientët.

NOA është gjithashtu pjesë e Instrumentit të Financimit Instrumentit të Financimit të Agro-biznesit nga BERZH, e cila do të përfitojë nga Fondi Kombëtar i Garancisë. Idea e të cilit është që Qeveria shqiptare do të sigurojë një shumë të caktuar nga buxheti i saj, si garanci, ose siç quhet ndryshe fond garancie që mbulon humbjet e para të kredisë apo portofolit të kredive.

Kjo bëhet në mënyrë që të mbrohet portofoli i kredive të agro-biznesit nga humbjet që mund të ndodhin. Në shtesë të kësaj. BERZH-i gjithashtu do të sigurojë një garanci shtesë për të ndarë rriskun e portofolit të kredisë së agrobiznesit me bankat apo institucionet e mikrofinacës, që në këtë rast është NOA. Kjo skemë i siguron mbrojtje institucioneve financiare, të cilat duhet të ndihen më të sigurta dhe të inkurajohen për të rritur kreditimin e këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë.
Vitet e fundit mikrofinancimi në Shqipëri ka nisur të zerë një peshë gjithnjë e më të madhe, duke bërë që të njihet si pjesë e tregut financiar, falë dhe mbështetjes së donatorëve dhe përfshirjes së qeverisë me mbulimin e rriskut të kredive.

Ky sektor shtrihet në më shumë se 10% të popullsisë rurale nëpërmjet dhënies së kredive ndaj fermave të kategorizuara si mikro apo të vogla. Znj. Spahiu përmend si një nga avantazhet e sektorit të mikrofinancës ofrimin e shërbimit të kredidhënies apo depozitave në një segment të popullsisë që jeton në zona të thella të vendit dhe nuk mund të arrihet nga institucionet më të mëdha financiare.

Sipas Znj. Spahiu një tjetër avantazh i institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri është modeli i biznesit, i ndërtuar në mënyrë të atillë që të ndikojë te kompanitë e vogla, bizneset familjare apo fermerët.

Ky segment, që nuk është në fokus të tregut financiar është një prej faktorëve kryesorë që ndikon në rritjen ekonomike të vendit, duke u krijuar mundësi një kategorie njerëzish që në raste normale kreditimi nuk do të mund t’i kishin.

Edhe pse disa biznese në mënyrë të pashmangshme do të dalin jashtë rruge, ato që do t’ia dalin të lulëzojnë dhe të rritet ka të ngjarë që të kenë menaxhim më të mirë dhe me perspektiva në afatgjatë.

Sepse “të varfrit”, ashtu siç pohon dhe babai i mikrofinancës, fituesi i çmimit Nobel, Muhammad Yunus, “janë sipërmarrësit më të mëdhenj në botë. Çdo ditë, ata duhet të gjejnë mënyra që të mbijetojnë. Ata mbeten të varfër për shkak se ata nuk kanë mundësi për ta kthyer krijimtarinë e tyre në të ardhura të qëndrueshme ". Të qenit të kreditueshëm e thyen këtë zinxhir dhe financimi prej 5 milion Euro sigurosht që jep një shtysë. /AgroWeb.org/