Mjalti në Rrezik – Pesticidet Po Vrasin Bletët?

559 0

Një nga problemet e vazhdueshme dhe më shqetësuese në bujqësinë moderne si në Shqipëri, ashtu edhe në botë është përdorimi i pesticideve, të lejuara ose jo, për të mbrojtur të mbjellat nga insektet apo dëmtimet. Ekspertët thonë se përdorimi i tepërt i këtyre pesticideve nuk dëmton vetëm tokën dhe ujin, por gjithashtu vret shumë nga organizmat e dobishëm prej të cilave varet edhe cilësia e të mbjellave.

Një ekip studiuesish Evropianë ka zbuluar se pesticidet luajnë një rol kryesor, në mos më të rëndësishmin në zhdukjen e bletëve, duke hedhur kështu dritë në misterin e vdekjes së kolonive të kësaj specieje që ndihmon ekzistencën e njeriut prej mijëra vitesh.

Sipas ekspertëve shumë prej bletëve të vdekura së fundmi janë helmuar nga doza vdekjeprurëse të shumë pesticideve të rrezikshme, çka përbën një hap shumë të rëndësishëm për përpjekjet për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Nëse dihet shkaku, gjendet dhe zgjidhja.

Studimi i publikuar në Journal of Chromatography rrëfen se shkencëtarët kanë zbuluar se bletët po helmohen në mënyrë të frikshme nga pesticidet e përdorura nga njeriu. Shkencëtarët analizuan një kampion mostrash me 74 bletë të helmuara. Në bletët e vdekura u gjetën gjurmët e 57 pesticideve, madje shumë prej të cilave të lejuara për përdorim në Bashkimin Europian, siç janë chlorpyrifos në 38 raste dhe dimethoate në 30 raste.

Ndërkohë gjurmë të pesticideve të tjera si klotianidina, në grupin e neonicotinoideve, të ndaluara në Bashkimin Europian u gjetën në 22 bletë të helmuara nga i njëjti kampion i analizuar. Edhe në nivele të ulëta, pesticidet dobësojnë sistemin mbrojtës të bletëve, duke lejuar parazitë dhe virusë të ndryshëm të infektojnë koloni të tëra.

Një raport i Njësisë së Kombeve të Bashkuara për Shkencën, Biodiversitetin dhe Ekosistemin ka dhënë alarmin se aktivitetet e njeriut po shtyjnë drejt zhdukjes mbi 40% të specieve të ndryshme përfshirë bletët, duke vënë në rrezik mbi 75% të furnizimit të botës me ushqim. Lajmi mbi rrezikun në rritje të pesticideve tek bletët është shumë i rëndësishëm në identifikimin e pesticideve dhe kimikateve të veçanta që po shtyjnë bletët drejt kolapsit.

Nivelet e kolapsit të kolonive të bletëve ka arritur në mbi 30% në Evropë dhe mbi 40% në Shtetet e Bashkuara. Një grup ekspertësh nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka konfirmuar, në fakt, atë që bletarët kanë thënë prej vitesh: Edhe kur përdoren sipas ligjit, pesticidet e përdorura më gjerësisht në botë janë mjaft toksike për bletët.

Studimet konfirmojnë luftën e vazhdueshme ndaj grupit të insekticideve quajtur neonicotinoide, të cilat janë klasifikuar shpesh si një nga shkaqet e vdekjes së bletëve dhe insekteve të tjera pjalmuese. Një tip insekticidi i quajtur klotianidina, është përdorur shumë për të mbrojtur misrin dhe sojën në SHBA. Fermerët e përdorin atë duke e futur në tokë, si një parandalues për të mbrojtur farat nga insektet. Por kur bima rritet, toksina rritet bashkë me të, duke e bërë të gjithë bimën helmuese.

Shqetësuese mbetet situata në Shqipëri ku përdorimi i insekticideve sidomos vitet e fundit ka shfarosur një përqindje mjaft të lartë të kolonive të bletëve ekzistuese. AgroWeb.org pyeti 5 bletërritës në zona të ndryshme gjeografike të Shqipërisë dhe të gjithë kanë vërejtur humbje të vazhdueshme vit pas viti të numrit të bletëve dhe zvogëlimi i sasisë së bletëve është kthyer në një situatë të zakonshme dhe shumë problematike për bletërritësit.

7 produktet që do të zhdukeshin si pasojë e vdekjes së bletëve

1. Mjalti. Është një antioksidant mjaft i shijshëm, anti bakterial dhe kurues për shumë probleme shëndetësore. Por nëse bletët do të zhdukeshin do na duhej t’i themi mjaltit lamtumirë.

2. Ilaçet. Shumë prej vitaminave apo ilaçeve që përdorim për azmën apo edhe për ulur temperaturën apo kundër pagjumësisë, kanë në përbërjen e tyre një material të prodhuar ekskluzivisht nga bletët.

3. Djathi, është pjesë e rëndësishme e tryezave tona. Por a e dini se shumë prej djathrave të preferuar të njerëzimit varen shumë nga dylli i bletës? Me zhdukjen e bletëve ikën edhe kosi si edhe 50% e nënprodukteve të qumështit.

4. Frutat janë të rëndësishme për dietën tonë ushqimore. Ato janë të pasura me vitamina dhe vlera shëndetësore, por boronica, rrushi, pjeshkët, kumbullat, limonët, mandarinat, stafidhet dhe boronicat e kuqe janë të gjitha në varësi totale të pllenimit të bletëve.

5. Kafeja. Bletët janë shumë të rëndësishme në prodhimin e kafes. Lulet e kafes prodhojnë nektar të ëmbël të një cilësie shumë të lartë dhe procesi i pllenimit të kafes e rrit cilësinë e saj. Nëse nuk ka bletë, nuk ka as kafe!

6. Lulet. Ju pëlqen t’ju dhurojnë lule? Epo silluni mirë me bletët sepse ato ndihmojnë lulet të përfundojnë me sukses procesin e fertilizimit që është i nevojshëm për çeljen e tyre.

7. Veshjet e pambukut. Të gjithë e dimë rëndësinë e veshjeve, fundja nuk mund të dalim nga shtëpia pa rroba. Por nëse bletët zhduken, thuaji lamtumirë veshjeve të pambukut, sepse bletët janë shumë të rëndësishme për pjalmimin e bimës së pambukut./AgroWeb.org