Ndryshimet klimatike – kërcënim serioz për sigurinë dhe mirëqenien e Shqipërisë

906 0

“Ndryshimet klimatike përbëjnë kërcënime serioze për sigurinë dhe mirëqenien e vendit dhe sektori ekonomik më i kërcënuar në vend është bujqësia”.

Kështu u shpreh Ministri i Mjedisit Lefter Koka gjatë prezantimit të Komunikimit të Tretë Kombëtar në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike ( KKKBNK ). Ky proces që kërkoi 3 vite punë dhe përfshiu aktorë nga disa institucione kombëtare, ekspertë të çështjeve të lidhura me klimën, akademikë, organizata të shoqërisë civile etj.

Në fjalën e e mbajtur gjatë këtij prezantimi, sipas ATSH-së, Koka theksoi se “rezultatet dhe rekomandimet e këtij Komunikimi tregojnë se zonat më të kërcënuara do vijojnë të ngelen ato fushore dhe zonat e vijës bregdetare”.

Po ashtu, ministri Koka theksoi se “gjetjet e këtij komunikimi tregojnë qartë se vendi ynë është nën presionin e madh të katastrofave natyrore”. “Rrezik real janë shpyllëzimet, erozioni dhe përmbytjet masive, sidomos këto 5 vitet e fundit. Në Shqipëri faktori kyç për efektet e ndryshimeve klimatike që po përballim sot është ‘njeriu’, ndërhyrja që ka bërë dora e njeriut ndaj natyrës”, tha Koka duke shtuar se “në këto 25 vite natyra dhe mjedisi janë përballur me shkatërrimin abuziv e masiv të qytetarëve në kurriz të natyrës.

Koka u ndal te masat e rekomanduara duke nënvizuar se “ato lidhen me reduktimin e gazeve serrë, uljen e kërkesës për energji dhe rritjen e furnizimit me energji duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe duke bërë të mundur që Shqipëria të aktivizojë burimet që bazohen në mekanizmat politikë dhe të tregut”. Ai siguroi angazhimin e Shqipërisë si një partnere e denjë në përpjekjet botërore për reduktimin e emetimit të gazeve serrë, me besimin e plotë se edhe kontributi i një vendi në zhvillim siç është Shqipëria, është i dobishëm në sfidën globale me detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë vendit tonë, sipas Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara”.

Brian Williams, Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it, u shpreh se “procesi i përgatitjes së Komunikimit Kombëtar në Shqipëri ka qenë tejet i rëndësishëm për të integruar dhe përfshirë gjetjet e tij në strategjitë dhe politikat sektoriale”./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.