Thesari i Tropojës, më i madhi në Ballkan

696 0

Gjendet në Tropojë. Është masivi më i madh i gështenjave në Ballkan, duke u shtrirë rreth Alpeve përmbi qytetin e Bajram Currit, bjeshkëve deri në Dragobi dhe vijon me masivin e vargmaleve të Shkelzenit deri në njësinë administrative të Lekbibajt. Masivi i gështenjës në Tropojë zë një sipërfaqe mbi 2400 hektarë me rendiment mesatar rreth 40 kg për rrënjë.Gështenja e Tropojës, dikur një ushqim për shqiptarët e varfër është sot një nga produktet më të kërkuara në Evropën Perëndimore. Ajo përbën një pjesë të konsiderueshme të gjithë importit të Europës, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE.

Kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, veçanërisht nga vendet e industrializuara, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

Interesi i madh që ka tregu evropian për këtë produkt të familjes arrore, vjen kryesisht si pasojë e cilësisë së lartë që i karakterizon. Studimet kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale. Dhe po t’iu shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin bio dhe freskinë e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije. Këto gështenja në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave veçanërisht në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë.

Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha. Brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë eksponenciale numrin ekzistues, duke përmbushur në këtë mënyrë urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre.

Përgjithësisht nga të dhënat e AgroWeb.org, sektori i arrorëve (arrat, lajthitë, gështenjat dhe bajamet) shihet si një sektor me potencial të lartë për eksport për shkak të shumë avantazheve: që nga klima e favorshme tek kushtet e tokës, fitimi i lartë, kërkesa e papërmbushur e tregut ndërkombëtar dhe duke qenë se nuk kërkon shumë marketing dhe kërkesa për ruajtje.

Masivi i gështenjave të Tropojës, merr edhe vlerën e një parku turistik, ku shumë vizitorë kuriozë ngjiten drejt tij edhe për turizmin e natyrës, të sportit apo ekoturizmin. Fruti i gështenjës është edhe një vlerë e shtuar në ekonominë e zonës ku rritet, dhe ka një vlerë tepër të rëndësishëm për eksportin shqiptar.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, duke vlerësuar vlerën ekologjike dhe atë ekonomike të masivit të gështenjave në Tropojë, është përgatiturqë t’i japë statusin “Zonë e Mbrojtur” me qëllim mirëmenaxhimin e sipërfaqes së kultivuar me këtë frut.

Por Shoqata "Gështenja e Tropojës", që shpreh interesat dhe mbron të drejtat e mbi 3000 familjeve fermere të rrethit Tropojë thotë se gjendet në një boshllek ligjor dhe institucional të këtij ekosistemi ku, nuk ka një ligj që drejton , zhvillon, orienton dhe rregullon me ligjë mardhënjet e komunitetit me ekosistemin agro-pyjor të gështenjës, nuk ka një plan menaxhimi që menaxhon ekosistemin, nuk ka të zgjidhur statusin pronsor të tij, nuk ka një strukturë të përgjegjshme drejtuese, administrative shtetërore apo komunale që e drejton dhe administron ekosistemin dhe sipas tyre nuk është i rregjistruar në rregjistrin e pronave të qeverise Shqiptare.

Në vakumin ligjor dhe institucional që ndodhet ky ekosistem, shoqata "Gështenja e Tropojës " ka hartuar planin e zhvillimit perspektiv të ekosistemit që do të jetë korniza ligjore që do të drejtojë dhe zhvillojë ekosistemin deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të pronësisë, përfshirjen e tij në rregjistrin e pronave të shtetit Shqiptar dhe të caktimit të struktures menaxhuese dhe drejtuese nga qeveria.

Statusi i zonës së mbrojtur mund t’i rikthejë sytë e autoriteteve drejt njërës nga zonat më të kërkuara nga të huajt, por deri tani pak të harruar nga shqiptarët./AgroWeb.org