Netulla, bima e frymëmarrjes së mirë

1.7k 0

Vlerat e netullës janë të mëdha sidomos në ndihmë të organeve të frymëmarrjes dhe kundër disa sëmundjeve. Bima e netullës është shtatlartë dhe me lule pesë petalesh ngjyrë të verdhë. Netulla ka një origjinë evropiane, dhe si rrjedhim ajo mund të gjendet anë e mbanë Shqipërisë. Emërtimi i saj botanik është Verbascum L, por në Shqipëri në varësi të rajoneve ajo quhet edhe lule peshku, netullë, ose edhe bar peshku. Netulla është përdorur gjërësisht në kurat popullore për sëmundjet e frymëmarrjes.

Vlerat e netullës

Është provuar shkencërisht që netulla arrin të:

• Zhbllokojë organet e frymëmarrjes dhe të qetësojë traktin respirator.
• Lehtësojë kollën dhe fytin e bllokuar
• Çlirojë nga bronshiti dhe astma
• Largojë kollën e thatë

Zhdërvjelltësia është një nga veçoritë që e karakterizon netullën. Kjo bimë është e veçantë sepse mund të përdoret kundër disa problemeve të tjera shëndetësore që nuk kanë lidhje me rrugët e frymëmarrjes.

Netulla arrin të shërojë nga dhimbjet e stomakut dhe të mbajë diarenë nën kontroll. Ajo mund të mbulojë dhe mbrojë indet e dëmtuara, por edhe të zbusë dhe qetësojë lëkurën e irrituar. Netulla përdoret për të lehtësuar dhimbjet e shkaktuara nga hemorroidet dhe parandalon sekretimin e lëngjeve. Për më tepër, lulet e kësaj bime mund të përdoren për prodhimin e një vaji special që shërben për kurimin e dhimbjeve të veshit dhe infeksioneve të tij.

Një Udhërrëfyes i Komisionit Gjerman mbi Përdorimet Terapeutike dhe Mjekësinë Popullore ka dhënë vulën e aprovimit për këtë lule të veçantë, e cila përmban sasi të mëdha të kalciumit, magnezit, niacinës, fosforit, silikonit, vitaminës A dhe vitaminës C. Këto minerale dhe ushqyes e bëjnë netullën një shëruese fantastike.

Rritja dhe përdorimi i netullës

Kjo bimë mund të rritet lehtësisht në çdo vend. Farat hedhin rrënjë për rreth 10 ditë dhe lulja rritet edhe në zonat në dukje më të papërshtatshme. Bima mund të ketë nevojë për ujë herë pas here, sidomos kur është në fazën e rritjes, në të kundërt ajo i reziston gjatë thatësirës. Rritja dhe kujdesi për netullën është një proçes që jep kënaqësi. Gjethet e saj mund të mblidhen gjatë gjithë kohës, por është e këshillueshme që ato të përdoren përpara se bima të çelë lule. Sa herë që të keni nevojë për të, kujtohuni të mos këpusni më shumë se një të tretën e gjetheve të të gjithë bimës. Tharja e gjetheve është një proces që kërkon disa ditë. Pas tharjes ato grihen dhe ruhen në një vend të thatë dhe të freskët.

Gjethet më pas mund të përdoren në çajra ose në ushqime të tjera. Netulla mund të blihet edhe si suplement.

Recetat e përdorimit të netullës

Nëse në shtëpi ju ndodhen gjethe të freskëta ose të thata të netullës, atëherë recetat e mëposhtme do t’ju vijnë në ndihmë.

Çaji i netullës: Sugjerohet të përdoret kundër fytit të bllokuar, kollës dhe probleme të tjera me rrugët e frymëmarrjes. Në një filxhan me ujë të vluar, hidhni 1 ose 2 lugë çaji me gjethe ose lule të thata të netullës dhe lëreni lëngun të qëndrojë për 10-15 minuta. Pini një deri në katër filxhanë me çaj në ditë, derisa simptomat të përmirësohen.

Vaji i nxehtë i netullës: Përzieni një filxhan me lule netulle me gjysëm filxhani me vaj ulliri dhe ziejini në zjarr të ulët për tre orë. Më pas lëreni lëngun të ftohet dhe kullojeni me një napë të pastër. Hidheni vajin në një enë qelqi dhe mbylleni mirë.

Vaji i ftohtë i netullës: Në një kavanoz qelqi përzieni lulet e netullës me vaj ulliri. Mbylleni mirë kapakun dhe vendoseni në një vend të ekspozuar në dritën e diellit për 7 deri në 10 ditë. Më pas kullojeni vajin dhe ruajeni në enë qelqi me ngjyrë të errët.

Si ta përdorni netullën

Netulla mund të përdoret e thatë, pluhur, si çaj, vaj ose tretësirë. Kjo e fundit duhet konsumuar tre deri në katër herë në ditë, ndërsa në variantin pluhur, netulla përdoret tre herë në ditë. Për infeksionet e veshit, duhet të përdorni vaj të ngrohtë me përmbajtje netulle, duke e hedhur në vesh me pikatore dy ose tre herë në ditë. Për moshat nga 1 deri në 10 vjeç, duhet të hidhni një pikë me vaj netulle, ndërsa për moshat mbi 10 vjeç duhet të hidhni dy pika./AgroWeb.org