Nga Mitologjia në Vazot e Ballkoneve Shqiptare

297 0

Kur mendon për menten, automatikisht të vjen ndërmend freskia karakteristike e saj, por edhe stina e diellit. Megjithatë këtë bimë aromatike dhe mjekësore e gjejmë gjatë gjithë vitit. Shqipëtarët e kanë përdorur menten për shumë kohë, jo vetëm për t’i dhënë hijeshi kopshteve dhe ballkoneve, por edhe për t’i dhënë aromë kuzhinës tradicionale dhe recetave të ndryshme. Mentja është një bimë aq popullore dhe e përhapur në të gjithë zonat e Shqipërisë, të cilat me përkëdheli i kanë vënë bimës dhe varieteteve të saj emra karakteristikë siç është nenexhik, mendër e butë, dhiozmë, etj.

Shija e mentes është e dallueshme menjëherë. Ajo është lehtësisht pikante, e freskët, e ftohtë dhe shpërthyese.

Mentja është një bimë e lashtë që është zbuluar rreth 3 mijë vjet më parë. Gjurmët e saj janë gjetur tek Piramidat e Egjiptit. Të parët tanë e kanë përdorur atë për vlerat e mëdha mjekësore, aromatike dhe ushqimore. Mentja citohet edhe tek legjendat e Greqisë së Lashtë, sipas të cilave, në fillim bima ka qenë një nimfë më emrin Minthe. Perëndesha Persefona ishte kryekëput xheloze për bukurinë e nimfës që kishte tërhequr vemëndjen e bashkëshortit të saj Pluto. Kështu perëndesha e transformoi nimfën në bimë. Pluto e pat të pamundur të kthente magjinë që kishte bërë gruaja e tij xheloze, ndaj ai e bekoi Minthen me një aromë aq të ëmbël sa kur ai të ecte nëpër kopësht, të mrekullohej prej erës së saj.

E freskët apo e tharë

Ka njerëz që e preferojnë menten të thatë, por kjo bimë të ëmbëlson qiellzën kur është e freskët. Superioriteti i mentes qëndron tek freskia e saj. Gjethet e mentes janë të ndezura me një ngjyrë jeshile që të deh. Kur të blesh menten, kujdesu që gjethet të mos kenë pika të zeza ose të verdha.

Mentja dhe shëndeti

Studime të shumta kanë treguar që vaji i mentes apo i nenexhikut arrin të lehtësojë dhimbjet nga koliti, problemet me tretjen, dhimbjet e stomakut, apo spazmat e muskujve të zorrës së trashë. Mentja ka aftësi relaksuese për muskujt sidomos ato të aparatit tretës duke ulur rrezikun e shtrëngimeve dhe lehtësuar procesin e tretjes. Mentoli që gjendet tek mentja është faktori kryesor në qetësimin që mentja i jep sistemit tretës.

Përfitimet që vijnë nga mentja shkojnë edhe më tutje. Vaji i mentes përmban një përbërës të quajtur amonoterpene. Studimet që janë bërë tek kafshët kanë treguar që ky përbërës ka arritur të ndalojë rritjen e tumoreve të pankreasit, mëlçisë dhe zorrës së trashë. Të njëjtat studime thonë se mentja ka arritur të mbrojë kaviet nga kanceri i lëkurës dhe mushkërisë. Megjithatë, studime të tilla nuk janë kryer akoma tek njeriu për të parë më mirë aftësitë e mentes.

Vaji esencës së mentes arrin gjithashtu të ndalojë shpërndarjen e shumë baktereve, veçanërisht atyre që shkaktojnë salmonelën apo stafilokokun. Studimet kanë zbuluar që ky vaj parandalon zhvillimin e disa llojeve të mykut në organizëm.

Mentja përmban acid rozmarinik që sjell shumë përfitime për ata që vuajnë nga azma. Ekstraktet e mentes gjithashtu çlirojnë hundët e bllokuara nga alergjitë apo i ftohti.

Mentja ka në përmbajtjen e saj një sërë vlerash ushqimore. Mentja është burim i pasur me manganez, bakër dhe vitaminë C./AgroWeb.org/