Ngjyrat e Rrënjëve të Pasionit

702 0

Është një nga perimet më interesante. Ngjyra e purpurt e ndezur të bën të mendosh se po flasim për një frut pasioni. Por, pasi të keni lexuar për të gjithë të mirat dhe vlerat e tij, me siguri që do t’iu lindë dhe pasioni dhe për këtë super perim. Panxhari apo siç njihet ndryshe, rrënja e jetës.

Konsumimi i lëngut të panxharit është nga dhuratat më të mira që mund t’i bësh shëndetit tënd. Panxhari shqiptar kryesisht kultivohen në zonën e Divjakës dhe ka një ëmbëlsi karakteristike dhe që dallon nga panxharët e rritur në Maqedoni, pasi sipas specialistëve të bujqësisë të AgroWeb, fara e panxharit shqiptar është po e njëjta e përdorur që nga dekadat e kaluara. Me një çmim ekonomik prej 50 lekësh për kilogram, ky perim mund të konsumohet gjerësisht.

Panxhari vërtet është modest, por bën një punë shumë të madhe në trajtimin e anemisë, tretjes, konstipacionit, problemeve me veshkat, zbokthin, kancerin dhe sëmundjet e zemrës. Por prisni, nuk kemi mbaruar. Panxhari gjithashtu ju ndihmon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, parandalon formimin e perdeve të syrit dhe problemet e frymëmarrjes. Të gjitha këto i adresohen përbërjes së pasur të panxharit me vitamina dhe minerale. Lexoni më poshtë listën e përgatitur nga AgroWeb mbi vlerat e tij ushqyese e shëndetësore.

Vlerat e panxharit

Panxhari i kuq ka shumë vlera shëndetësore, duke qenë se është i pasur me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si karotenoidi, vitamina C, magneziumi, hekuri, bakri dhe fosfori, duke qenë në të njëtën kohë dhe një burim i shkëlqyer me flavanoide. Ato kanë shumë pak kalori, nuk përmbajnë kolesterol, por kanë dhe përmbajtjen më të lartë të sheqerit nga të gjitha perimet.

Afrodiziak

Vërtet thamë që ngjan me një frut pasioni, por e vërteta është që panxhari mund të jetë një afrodiziak i vërtetë. Panxhari rrit dëshirën dhe fertilitetin duke bërë që të jeni të shëndetshëm dhe me shumë energji.

I mirë për zemrën

Fibrat që ndodhen tek panxhari i kuq ndihmojnë për të ulur nivelin e triglicerdies dhe kolesterolit, duke ngritur nivelin e kolesterolit të mirë. Trigliceridet në nivel të lartë rrisin shumë mundësinë për të pasur një atak kardiak, ndërkohë që konsumi i panxharit e ul këtë nivel, falë përbërësve të tij.

Redukton problemet në lindje

Panxhari është një produkt i shkëlqyer për gratë shtatëzëna, duke qenë se është një burim i mirë për vitaminë B folat, që ndihmon në zhvillimin e shtyllës kurrizore tek bebet. Mungesa e folatit sjell një sërë defektesh tek të porsalindurit.

Parandalon kataraktin e syve

Prezenca e beta-karotenit, që është një formë e vitaminës A, ndihmon në parandalimin e kataraktit, ose perdes së syrit, dhe problemeve të tjera të dobësimit të shikimit, që vijnë si pasojë e moshës. Vitamina A konsiderohet një antioksidant shumë i fuqishëm që përfshihet në shumë aktivitete të rëndësishme të trupit të njeriut.

Parandalon tumoret
Studimet kanë treguar se panxhari është i mirë në parandalimin e kancerit të lëkurës, mushkërive dhe zorrës së trashë, duke qenë se përmban pigmentin betacianins, i cili pengon zhvillimin e qelizave kancerogjene. Shumë studime gjithashtu kanë treguar se konsumi i lëngut të panxharit parandalon zhvillimin e sëmundjes, pasi pengon zhvillimin e këtyre qelizave.

Kujdes!

Panxhari përmban një element të njohur si oxalates. Konsumimi me tepricë i panxharit kristalizon lëngjet e trupit. Njerëzit që kanë probleme me veshkat ose me fshikëzën e urinës, nuk duhet të konsumojnë panxhar, sepse mund të përkeqësojnë gjendjen e gurëve në veshka.

Përdorimi në lashtësi

Në lashtësi panxhari përdorej për të kuruar temperaturën dhe konstipacionin. Në Mesjetë ai përdorej për të shëruar problemet e tretjes, ndërkohë që gjethet e panxharit përdoreshin për të shëruar plagët./AgroWeb.org/