Perimet shqiptare mbushin tregjet e huaja

269 0

Bujqësia shqiptare ka qenë besnike e reputacionit të saj, duke u kthyer një një forcë të madhe për ekonominë e vendit. Ndonëse eksportet në vitin 2015 ranë me 7.8 përqind në krahasim me një vit më parë, performanca e sektorit të bujqësisë ka qenë e jashtëzakonshme.

Perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke arritur në thuajse dyfish, ku janë edhe kryesuese në vlerë ndaj produkteve të tjera. Kështu gjatë vitit që lamë pas janë eksportuar konkretisht rreth 4 miliard lekë perime, nga 2.1 miliardë që janë tregtuar gjatë vitit 2014.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, produktet bujqësore janë regjistruar në vlerën e 10.5 miliardë lekëve, nga 8.1 miliardë lekë që kanë qenë gjatë vitit 2014.

Por rritje nuk është shënuar vetëm në vlerë monetare, por edhe në atë sasiore, nga 52.4 mijë ton, në 83 mijë ton perime të eksportuara. Në këtë kategori domatet dhe qepët zënë sasi të konsiderueshme, por nuk mbeten pas edhe perimet e tjera të cilat prodhohen në vend.

Trendi i rritjes ka vijuar dhe në muajt e parë të këtij viti. "Gjatë dy muajve të parë të vitit 2016, eksportet e perimeve të Lushnjës arritën në 5,739 ton me një rritje prej 110 përqind", tha Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, duke shtuar që në të njëjtën periudhë të vitit 2015, eksportet ishin 2,711 ton.

Nivele të larta të eksporteve janë vënë re edhe në Divjakë. Kujtim Lika është një nga eksportuesit më të mëdhenj të produkteve shqiptare, që na e dëshmon këtë. Në një intervistë për AgroWeb, ai tha se gjatë dy muajve të fundit është regjistruar një rritje prej 75% e eksporteve në krahasim me një vit më parë. “Kjo ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme”, tha Lika me një buzëqeshje të shndritshme në fytyrë.

Vetëm gjatë muajve të janarit dhe shkurtit, kompania e tij ka eksportuar 600 ton presh dhe 1200 ton lakër sallate, ndërkohë që 80% e të gjithë lakrave që eksportohen nga Lika, vijnë nga rajoni i Myzeqesë. “Shifrat kanë qenë të mira. Unë kam besim që në dy-tre vitet e ardhshme, Shqipëria do të bëhet një faktor i rëndësishëm në fushën e eksporteve. Por gjithashtu është e rëndësishme që fermerët të orientohen drejt produkteve që kërkohen në eksport, duke mbjellur fara cilësore. ” shpjegon Lika.

Bujqësia dhe agro përpunimi janë sektorët që pritet të kenë një kontribut domethënës në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë (PBB). Këto dy sektorë konsiderohen të rëndësishëm edhe përsa i përket potencialit të madh të punësimit.

“Në vitin 2015, bujqësia dhe prodhimi blegtoral u rritën me 2.9% në krahasim me vitin 2014. Prodhimi i perimeve u rrit me 8 përqind, ai i frutave me 11.4% dhe i qitros me 43%. Volumi i tregëtisë në sektorin e ushqimit dhe të bujqësisë për nëntë muajt e parë të vitit 2015 arriti në 83 miliardë me një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Raporti mes eksporteve dhe importeve u përmirësua në 1 me 5 nga 1 me 6 që regjistrohej në vitin 2014” shpjegoi Ministri Panariti.

Gjatë periudhës 2005-2014, eksportet e produkteve agro-ushqimore u rritën ndjeshëm-mesatarisht 14% në vit- duke arritur në 128.9 milion Euro në vitin 2014. Importet nga ana tjetër kanë pësuar një rritje mesatare vjetore prej 8%.

Raporti mes eksporteve dhe importeve u përmirësua nga 11,2 përqind në vitin 2005 në 17.9 përqind në vitin 2014 duke qenë se eksportet u rritën më shumë se importet gjatë periudhës së lartpërmendur.

Partnerët kryesorë të Shqipërisë në eksportimin e produkteve agro-ushqimore janë vendet e Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht Italia, Greqia dhe Gjermania. Megjithatë partnerët ndërkombëtarë tregëtarë ndryshojnë kryesisht për shkak të qëndrimeve gjeopolitike të shteteve anëtare ndaj Rusisë dhe embargo Ruse nga ana tjetër, si edhe lidhjet e reja me tregje të tjera.

Në këtë aspekt, sektori i perimeve të freskëta është në ndryshim. “Ne po shqyrtojmë tregjet lindore, si Bullgaria, Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Hungaria” thotë Lika. “ Për mua është më mirë të eksportoj në vendet pranë, sepse produktet qëndrojnë të freskëta dhe kostot e transportit janë të lira” shton ai.

Serbia ka ruajtur pozitën e saj dominuese në eksport që nga viti 2014. Ky vend ka blerë 61% të eksporteve Shqiptare. Në vitini 2006, Maqedonia ishte partneri i dytë tregëtar i vendit tone, por vitet e fundit pozita e saj ka rënë në 4% të tregut të eksporteve Shqiptare. Në vitin 2014, Bosnia dhe Herzegovina dhe Mali i Zi renditeshin të dytët dhe të tretët respektivisht me 20% dhe 11% të importeve nga Shqipëria.

Gjasat janë që shumë vende të tjera Evropiane do të kthejnë sytë nga produktet shqiptare, duke kërkuar që ato të kenë standardet dhe çertifikimin e duhur. Gjermania, Italia, Hollanda, Franca janë tepër të interesuar për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, specin, kastravecin, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka si shtylla kryesore e ekonomisë sonë./Agroweb.org/