Ngrica në Evropë – Mundësi e mirë për shitje shqiptare

151 0

Përmbytjet, moti i ftohtë dhe nivelet e ulëta të rrezeve të diellit në Evropë kanë krijuar pasoja të tmerrshme për rritjen e perimeve në këto vende. Moti i keq në Itali dhe Spanjë ka sjellë rritjen e ndjeshme të çmimit kryesisht të perimeve në Europën veriore.

Përmbytjet në Spanjë dhe moti shumë i keq në Itali ka bërë që brokoli dhe sallatat të mos arrijnë deri te korrja, por të ç’rrënjosen pasi janë dëmtuar rëndë. Por përveç këtyre, është goditur gjithashtu prodhimi i specave dhe patëllxhanëve. Rajoni i Murcias në Spanjë, sipas BBC, ka pasur reshjet më të dendura prej 30 viteve të fundit. Është pikërisht ky rajon që plotëson deri në 80% të nevoja Europiane për perime te freskëta gjatë muajve të dimrit. Kushtet e vështira të rritjes së bimëve, kanë prekur direkt çmimet. Kungujt dhe sallatat janë ndjeshëm më të shtrenjta në këtë fillim viti.

Situata ka agravuar aq shumë, sa mjaft furnizues perimesh kanë importuar sallatat nga Shtetet e Bashkuara, një lajm ky i padëgjuar më parë. Gjithashtu edhe Italia, e cila normalisht eksporton, në këtë periudhë është e detyruar të importojë produkte.

Raportohet se shtetet në veri të Europës, si për shembull Britania e Madhe, kanë pasur një reduktim të importit të perimeve si kastraveca, domate, brokoli, speca dhe patëllxhan me 25% dhe në të njëjtën kohë rritje të çmimeve nga 25% deri në 40%.

Mundësi e artë për eksportet shqiptare

Dimri i ashpër ka prekur edhe Shqipërinë. Por a janë ndjerë pasojat e tij në prodhimtarinë bujqësore?

Sipas ekspertëve, disa kultura janë indiferente ndaj të ftohtit e disa të tjera kërkojnë përkujdes të veçantë për t’u mbrojtur. Megjithatë masat parandaluese duhen marrë në çdo rast.

Ndërkohë që prodhimtaria e serrave me plastikë rrezikon dhe kërkon përkujdes të veçantë. Z. Dhimitraq Qorri, specialist bujqësie në Lushnje tha për AgroWeb.org se temperaturat e ulëta mund të ndikojnë negativisht në proçesin e rritjes të mbjelljeve të reja në sera, duke penguar zhvillimin e shpejtë të tyre.

Megjithatë Z. Qorri u shpreh se efektet negative të temperaturave të ulëta mbi këto kultura mund të parandalohen. Ai tha se serrat në zonën e Lushnjes kanë qenë në procesin e mbjelljes së kulturave të domateve dhe të specit.

E ndërsa ngricat ekstreme në disa vende të Evropës kanë bërë që prodhimi i perimeve të dëmtohet, kjo mund të jetë një mundësi e artë për fermerët shqiptarë për të eksportuar produktet e gjelbra. Kjo pasi në vendin tonë, edhe pse i ftohti ka mbizotëruar këtë periudhë, temperatuarat duket se nuk kanë qenë ekstremisht të ulta për të dëmtuar të mbjellat në serra.

Sipas Ministrit të Bujqësisë Edmond Panari, edhe pse Shqipëria ka pasur dimër të ftohtë këtë fillim viti, dëmet nuk janë masive. Dëmtime ka pasur vetëm në disa serra plasmasi në fshatrat e Fierit dhe Lushnjes ku ngricat janë një fenomen i rrallë.

Për agrobizneset e mëdha shqiptare duket se mundësia për eksport është rritur, pasi kërkesa e vendeve të Evropës për importe të perimeve është e lartë në këtë periudhë dimri të pazakontë./AgroWeb.org