Një fermë e veçantë mes pallatesh në Tiranë

488 0

Sigurisht që duhej një mendje e madhe, që të dizenjonte një bllok pallatesh në Tiranë pas Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, në afërsi të Zogut të zi, ku sheshet mes pallateve mos zaptoheshin nga parkingjet e makinave dhe hapësirat publike nga kioskat e shëmturara. Ishte pikërisht arkitekti i njohur Daniel Libeskind, i cili projektoi që në mes këtij blloku pallatesh, hapësira të kthehej në fermë bujqësore dhe produktet e përfituara prej saj t’i merrnin banorët.

“Sapo kam vjelë disa speca, patëllxhanë e domate për të bërë drekën e sotme. Jemi shumë të kenaqur që kemi këtë fermë poshtë shtëpisë, sepse përveçse ushqehemi në mënyrë të kontrolluar, na sheh syri edhe gjelbërim, jo vetëm beton sic jemi mësuar të shohim”, thotë për AgroWeb Emili, një prej banoreve në këtë kompleks pallatesh.

Blloku i pallateve në Tiranë, pas Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku hapësira publike është kthyer në fermë bujqësore. Foto: AgroWeb

“Nuk do ta besoni që, asnjë prej fëmijëve të shumtë që ka ky kompleks nuk shkon të shkulë apo të shkelë prodhimet e mbjella. Dhe fëmijët po rriten me dashurinë për tokën e bimët”, thotë Egla, nëna e dy fëmijëve të vegjël.

Për të mirëmbajtur pallatin e kopshtin një familje paguan 1700 lekë në muaj, ndërkaq që ferma ka roje dhe punëtorë që merren me përkujdesin e të mbjellave. Deri tani në ngastrat e tokës ka prodhime të verës, por shohim një parcelë të mbjellë me lakra, që me siguri do të jenë gati në dhjetor. Janë punëtorët ato që bëjnë të mundur mbjelljen e perimeve sezonale ndërsa edhe banorët në kohë të lirë mund të merren, për pasion, me fermën e përbashkët. Në mes të banorëve takojmë edhe një të sapoardhur në pallatet e Lebeskindit, i cili ishte shtyrë të blinte shtëpi në këtë rezidencë vetëm për shkak të sistemimit të hapësirave publike në këtë mënyrë tokëdashëse, siç shprehet vetë 38 vjeçari.

Në parcela mbillen edhe fidanë, të cilët kur rriten zhvendosen në komplekset e reja që ngre kjo firmë ndërtimi. Foto: AgroWeb

Banorët na tregojnë se këtu në një parcelë mbillen dhe fidanë, të cilët kur rriten zhvendosen në komplekset e reja që ngre kjo firmë ndërtimi. “Në shumë zona urbane ne punojme në bashkëpunim edhe me qytetarët, për të përfituar një ambient të qëndrueshëm, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të mbrojtur dhe ruajtur mjedisin për një kohë të gjatë”, na thotë arkitekti i firmës.

Gjatë kohës që ishte në Shqipëri, Daniel Libeskind deklaroi se projektet e tij fokusohen te mbrojtja e mjedisit dhe krijimi i hapësirave të gjelbërta. “Kemi krijuar një sistem vaditjeje për të ujitur fidanët dhe bimët që do të rriten sipas stinëve të vitit”, thotë Libeskind, i cili ndërtoi pallatin në formë shqiponje krahëhapur dhe të veçantë në aspektin e respektimit të mjedisit. Daniel Libeskind është një arkitekt polako-amerikan që ka projektuar një sërë veprash të rëndësishme nëpër botë, si Muzeumin izraelit në Berlin, atë të ushtrisë në Desden, muzeun e artit në Denver, memorialin e lirisë dhe holokaustit në Ohio, qindra objekte si këto, përfshirë edhe masterplane për qytete të mëdha.



*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për agroweb.org