Një Protestë për Ajër në Evropën e Shekullit 21

233 0

 

 

Qyetarët e Tetovës kanë dale në protesta kundër rihapjes së Jugohrom, fabrikës famëkeqe e ndotjes së ajrit. Pas protestave qytetare në fund të vitit që lamë pas, kjo fabrikë u mbyll, por në 1 Mars skadoi pezullimi i saj.

Protestat morën shkas nga fakti se sipas të dhënave Tetova u klasifikua si qyteti më i ndotur në Botë. “Abonimi për ajër të pastër për Tetovarët ka përfunduar në 1 Mars. U pa qartë se helmuesi Jugohrom e ndot këtë qytet për 41% më shumë”, u shpreh për AgroWeb, Vesel Qazimi, një prej aktivistëve në Lëvizjen Eco Guerilla në Maqedoni.

Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” ka shprehur indinjatë të thellë rreth këtij vendimi duke e pasur parasysh që kjo fabrikë sipas tyre, po rihapet pa instalimin e filtrave ekologjik të shumëpritur, me çka do të parandalohej emetimi i pluhurit në sasi deri në 30 ton në ditë në qiellin Tetovar.

“U bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore që të mos lejojnë rihapjen e këtij helmuesi, pa i plotësuar standardet ekologjike, në të kundërtën ato do të mbartin përgjegjësitë ligjore për pasojat e shkaktuara. Ne, nënat e Tetovës, duam që fëmijet tanë të rriten në ambient të pastër, në mjedise me gjelbërime, në shkolla e spitale me kushte normale, në rrugë pa pluhur e me transport publik”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes “Nëna dhe fëmija”.

Në një protestë me moton “Ndërrojmë lodrat me filtra”, tetovarët grumbulluan lodrat e fëmijëve të tyre, të cilat më pas ua dhuruan fëmijëve në klinikën e Tetovës, që sipas lëvizjes “Nëna dhe Fëmija”, janë pikërisht viktima të ajrit të ndotur./AgroWeb.org/