OBSH: Duhen Bërë Vaksinat për Gripin e Thjeshtë

188 0

Organzata Botërore e Shëndetësisë ka mbajtur një takim përditësimi për situatën e COVID-19.

Epidemilogia Maria Van Kerkhove u pyet se çfarë pritet nga periudha e vjeshtës, kur nis edhe stina e gripit të zakonshëm.

Van Kerkhove tha se gripi i zakonshëm mund të ngatërrohet me COVID-19 gjatë kohës së vjeshtës, ndaj zgjidhja më e mirë është që të bëhen vaksinat për gripin e zakonshëm, të cilat ekzistojnë tashmë.

Epidemiologia këmbëngul që vaksinimi ndaj gripit të zakonshëm është tepër i rëndësishëm për t’i bërë ballë situatës pa pasur ndërlikime të mëtejshme.

Qendrat e analizimit të gripit në të gjithë botën, sipas Kerkhove, kanë vënë re një ulje të përhapjes së gripit të zakonshëm kohët e fundit, ndoshta për shkak të masave kufizuese për COVID-19, që kanë bërë të mbahen larg dhe viruset e tjera.

Dr. Bruce Aylward e përforcoi këtë ide duke thënë se një nga arsyet që spitalet u kanë bërë ballë numrit të lartë të pacientëve të shtruar me COVID-19, ka qenë përdorimi i shtretërve që kishin rezervë për pacientët me grip të zakonshëm e që vuajnë nga sëmundje të tjera. Nëse shtrohen njëkohësisht edhe ata me grip, edhe ata me COVID-19, kapaciteti i spitaleve do të ulej ndjeshëm, ndaj përdorimi i vaksinave për gripin e thjeshtë duhet të jetë këtë vit më i lartë se në vitet e tjera. / Euronews Albania