Paketa për Bujqësinë dhe Bujqësia e Dijes

379 0

Një paketë në mbështetje të bujqësisë dhe agroindustrisë shqiptare. Një paketë prej 26 masash që i vijnë në ndihmë fermerëve por edhe rritjes ekonomike. Një paketë që synon të kthejë vemendjen te fermeri jo si individ por si institucion. Për Ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj fokusimi tek bujqësia si 20% e GDP do të ishte vendimtar për rritjen ekonomike. Për Ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, paketa fiskale për bujqësinë synon përmirësimin e ekonomisë së fermerëve në tërësi, përmes nxitjes se prodhimit vendas dhe rritjes së eksporteve. Për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama sfida kryesore është bujqësia e dijes.
Paketa e rritjes për sektorin e bujqësisë u prezantua nga Përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë në një takim të zgjeruar ku morën pjesë edhe përfaqësues të sektorit të agroindustrisë, specialist të fushës e grupe interesi.

Duke prezantuar këto masa mbështetëse, Kryeministri Rama theksoi se e rëndësishme është konkurrenca përmes dijes, përmes projekteve, përmes ideve dhe programeve të suksesit e sigurisht edhe përmes vetë implementimit të tyre, duke folur me gjuhën e suksesit.

Kjo, tha Rama është arsyeja se përse ne qysh në fillim i dhamë fund subvencioneve të mbijetesës dhe preferuam që të fokusohemi tek një qasje tërësisht tjetër, e mishëruar në paketën e mbështetjes së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, e cila për herë të parë iu qas fermerit me gjuhën e re të dijes dhe të granteve konkurruese. Sigurisht që, jemi shumë larg asaj që kemi ambicie të arrijmë, por që kemi hedhur hapin e parë. Kemi hedhur një hap që unë besoj se duhet të shoqërohet me hapa të tjerë. Do të rrisim sektorin duke rritur kapitalin njerëzor.

Çfarë parashikon paketa për bujqësinë?

Paketa për bujqësinë parashikon një sërë masash të karakterit fiskal në mbështetje të sektorit të bujqësisisë. Nga 26 masat mbështetetëse për zhvillimin e sektorit aktualisht 13 janë në rrugën e impementimit dhe 13 të tjera do të vihen në zbatim gjatë vitit 2015. Disa nga masat kryesore të përfshira në paketë janë:

  • Kompensimi i TVSH-së për produktet bujqësore,
  • Penalizimi për diferencat në peshë gjatë kontrollit doganor
  • Rishikimi i taksave për importin e lëndëve të para dhe të kafshëve për mbarështim
  • Heqja e taks&eueuml;s për importin e materialit biologjik
  • Përjashtimi në import nga TVSH-ja për mjetet dhe makineritë agroushqimore
  • Vënia në përdorim e tokave të kripura dhe joproduktive
  • Rishikimi i Kodit Penal për zaptuesit e tokave bujqësore
  • Rishikimi i procedurave dhe tarifave për regjistrimin e farave, fidanëve dhe pesticideve
  • Elimini i tarifave për testimin e hibrideve
  • Organizim në nivel kombëtar i mjekëve veterinerë
  • Rishikim në çdo tre muaj i referencave i importit të kafshëve të gjalla dhe të ushqimit për kafshë

Gjithashtu në paketë janë përfshirë një sërë masash për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë në grumbullimin e qumështit dhe rishikimin e ligjit për akcizat në sektorin e prodhimit të verës dhe vreshtarisë.

Kjo paketë është mirëpritur nga agrobiznesi. Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Enver Ferizaj, i ka cilësuar këto masa si një nxitje reale për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agroindustrisë. Në një intervistë për ATSH-në Ferizaj tha se masat lehtësuese pritet të transformojë këtë sektor dhe t’i japë më shumë peshë në rritjen e kontributit në PBB, dhe përmirësimin e ekonomisë fermere. Për kreun e Shoqatës së fermerëve shqiptarë Isuf Demirxhiu, politikat për formalizimin e tregut të tokës dhe bujqësisë, do të inkurajojnë fermerët për të rritur aktivitetin rural në pronat e tyre, rrjedhimisht prodhimin bujqësor dhe eksportet.