Panxhari i Bardhë – Fuqi e Re Fitimprurëse nga Fermat Shqiptare

26 0

Panxhari i bardhë ka qenë një ndër perimet më të shëndetshme, pjesë e pandashme e dietave të aristokratëve në Greqinë e Lashtë ashtu si edhe Romën e Lashtë. Kjo, falë fuqive të tij kurative për shëndetin.

Tradicionalisht jemi mësuar me vlerat e panxharit të kuq. Është padyshim i fuqishëm në të gjitha vetitë ushqyese të tij.

Por krahas kësaj perimeje të famshme mes gjithë konsumatorëve shqiptarë, një tjetër varietet panxhari, ai i bardhë është po aq i fuqishëm e i pasur me vlera shëndetësore për organizmin.

Kohët e fundit, edhe në tregjet shqiptare panxhari i bardhë ka nisur të zërë bindshëm vend ndër perimet më të kërkuara.

Megjithëse ende sasia e prodhimit të tij nuk është në përmasa masive si ajo e panxharit të kuq, kultivimi i tij premton shumë për të ardhmen.

Risia në tokat shqiptare

Vitet e fundit, fermerë në zona të ndryshme të vendit, janë duke kultivuar këtë perime fantastike në vlera duke e ofruar në sasi të vogla në tregjet e vendit. Ndërsa kërkesa në rritje për të, premton për një potencial fitimprurës në të ardhmen.

Panxhari i bardhë gjendet lehtësisht edhe në tregjet e vogla të fshatarëve, të cilët e kultivojnë në parcelat e tyre apo bahçet e shtëpive.

Sezoni i prodhimit të tyre është nga muaji tetor deri në muajin mars.

Ky varietet panxhari është i bardhë. Tek tuk me disa nuanca ngjyrë vjollcë, ka një shije pak më të athët se sa panxhari i kuq.

Krahas shijes së tij të veçantë nëpër sallata e kryesisht në lëngje, një nga faktorët kryesorë që e bëjnë panxharin e bardhë në krye të vlerave ushyese janë efektet e tij të fuqishme për pastrimin e organizmin.

Pastruesi i magjik i organizmit

Kjo perime konsiderohet si një ndër produktet më të fuqishme të natyrës përsa i përket largimit të toksinave nga të gjitha organet e trupit.

Përfshirja e panxharit të kuq në dietën ushqimore i mundëson organizmit përfitimin e një numri të konsiderueshëm vitaminash dhe mineralesh.

Vetitë e tij në pastrimin e toksinave cilësohen si magjike.

Panxhari i bardhë është një burim fantastik i mineraleve, antioksidantëve dhe fibrave.

Ai është i pasur me vitaminë C. Çdo 100 gr panxhar i bardhë përmban 21 mg vitaminë C, çka përbën dhe 35 % të masës ditore të rekomanduar.

Ndaj dhe ai këshillohet veçanërisht nga dietologët të konsumohet në sallata të ndryshme të marinuara me limon e vaj ulliri apo edhe i shtrydhur si lëng frutash në kombinime me fruta të tjera./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje