Pas Çajit të Malit, Kërcënohet Edhe Sherebela Shqiptare

483 0

Ndërsa është një nga bimët medicinale më me vlera shëndetësore e për të cilën Shqipëria futet në grupin e vendeve që prodhojnë masivisht këtë bimë, dora e njeriut po bën që sipërfaqet e saj të reduktohen.

Sherebela shqiptare eksportohet shumë në disa kontinente, duke e lënë tregun vendas pothuajse bosh dhe duke i lënë të apasionuarit e çajit të varen tek bustinat me pluhur çaji të zi apo jeshil apo me gjithfarë shijesh e ngjyrash që vetëm natyrale nuk janë. Për të mos folur për çajin pudër plot me kimikate aromatike.

Por Sherebela mund të gjendet në treg, njëlloj siç gjendet çaji i malit dhe me siguri pasi të mësoni mbi vlerat e saj do të nxitoni të gjeni sherebelën e jugut e të veriut.

E cilësuar si një prej bimëve më të rëndësishme medicinale në Sarandë, Delvinë e Gjirokastër është duke reduktuar çdo vit sipërfaqen e saj prej vjeljes shkatërrimtare, shkuljes me rrënjë, bagëtive dhe zjarrit.

Edhe Çaji i Malit Drejt Zhdukjes

Edhe çaji i malit i njohur me emrin shkencor Sideritis Syriaca që është në Shqipëri pjesë e librit të kuq të bimëve për shkak të kërcënimit me zhdukje po vuan të njëjtat pasoja pavarësisht se grumbullimi i tij ndalohet me ligj.

Ekspertët prej vitesh kanë folur për grumbulluesit e dhunshëm dhe për kompani grumbulluese të lëna jashtë mbikqyrjes. Këto kompani për vite me radhë kanë pranuar të mbledhin bimë para stadit të pjekjes duke e zgjatur sezonin e grumbullimit në mënyrë të rrezikshme.

Të gjithë faktorët së bashku kanë dëmtuar më shumë se 60% të sipërfaqes së dikurshme natyrale të çajit të malit dhe të sherebelës.

Gjirokastra, Saranda dhe Delvina janë mes prodhuesve kryesorë të të dy bimëve në vend.

Sherbela e lidhur shumë me kulturën dhe jetën lokale të banorëve shëron mbi 40 sëmundje ndërsa çaji i malit përdoret gjerësisht për vetitë antioksidante, forcimin e kockave dhe grumbullohet edhe në funksion të industrisë kozmetike.

Sherebela ka aftësi anti-inflamatore, antioksiduese and anti-mikrobiale, por gjithashtu ndihmon në hapjen e oreksit. Për shkak të këtyre cilësive, çaji i sherebelës ka shumë veti shëndetësore.