Pasojat e Koronavirusit Tek Industria e Turizmit

372 0

Turizmi është një nga sektorët më të goditur në Shqipëri nga pandemia e COVID-19.

Përfaqësues të operatorëve turistikë thonë se kriza në sektorin e turizmit pritet të shtrihet gjatë të gjithë vitit dhe se kërkohet mbështetje nga institucionet shtetërore për të shpëtuar të ardhmen e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, njofton:

Pandemia ndikoi shumë në të gjithë sektorët, por tek operatorët turistikë krijoi një situatë pothuajse kolapsi. Komplet sektori turistik, jo vetëm operatorët, por edhe transporti turistik, zingjiri i hotelerisë, i gjithë sektori që është pas turizmit, është në nivel zero dhe, më e keqja është se, nuk po dimë kur do të ketë një riaktivizim, kur do të fillojmë të marrim pak frymë, kur do shikojmë një dritë në fund të tunelit”, thotë përfaqësuesi i shoqatës së operatorëve turistikë në Shqipëri, Sokol Hoxha.

Ai shton se ditët e fundit ka sinjale pozitive për një rifillim të ngadaltë të tureve turistike nga vende të ndryshme.

Por ai shton se është e nevojshme që komunitetet lokale të ndërgjegjësohen për zbatimin e masave antikovid, si një kusht i domosdoshëm për të krijuar siguri për turistët që vizitojnë vendin.

“Kanë filluar disa bjellorusë, po fillojnë ukrahinasit, polakët janë të gatshëm me rifillu. Me mujt që, ndoshta nga gjysma e korrikut dhe gushti me shtëpu diçka, të paktën jo për grupe turistike të mëdha, por të paktën për hotelerinë. Gjithsesi shpresojmë. Por është edhe diçka që ka të bëjë me natyrën e vendit tonë. Ne shquhemi ndër njerëzit që nuk respektojmë masat dhe, me ketë, ne vetëm vehtes i bëjmë dëm”, thotë zoti Hoxha.

Goditja që ka pësuar sektori i turizmit në Shqipëri nga pandemia dhe masat e forta, që shoqëruan prej gati katër muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore COVID-19, pritet të ndjehen përgjatë gjithë këtij viti e ndoshta edhe më tej. Ndaj operatorët turistik ndjejnë nevojën e mbështejes nga shteti

“Të gjithë duhet të jenë të dakortësuar për të ndihmu sektorin e turizmit, me ndihmu hotelet, operatorët turistik. Duhet minimalisht me ulë taksat lokale. E di se shteti nuk funksionon pa taksa, po njerëzit janë në situata shumë të vështira. Po kështu edhe situata e bankave pasi nuk ndihmohet me kredi 4 a 5 përqind. Duhet të bëjmë atë që po bëjnë vendet e rajonit për të ndihmu këtë sektor”, thotë zoti Hoxha.

Të dhënat e viteve të fundit dëshmojnë se turizmi është një ndër sektorët që sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, atë të sipërmarrjes dhe të familjeve shqiptare.

Me një kontribut direkt në prodhimin e brendshëm bruto prej 8,5% dhe një tregues prej më shumë se 350 mijë të punësuarish, këtë vit, për shkak të pandemisë, sektori i turizmit pritet të pësojë rënie të ndjeshme duke ndikuar në të gjithë ekonominë e vendit./VOA