Nga Liana Suleymanova*
Sa herë që dikush më pyet cili është ushqimi që më mungon më shumë nga vendlindja ime, përgjigjem symbyllur- patatja. Mos më keqkuptoni, nuk dua të them që në Shqipëri nuk ka patate ose që këtu është shumë e vështirë t’i gatuash ato.
Ajo që dua të them është se patatet shqiptare nuk kanë të njëjtën shije si ato të Rusisë.
Është e vështirë të gjesh një Rus që nuk i do patatet. Mesa duket, patatet janë perimet tona kombëtare dhe ne i përdorim ato në kuzhinë pa kursyer.
Rrjedhimisht, unë e konsideroj veten një eksperte të mirëfilltë patatesh. Si e tillë, kam vendosur t’ju tregoj atë që keni nevojë të dini për patatet, vlerat e tyre, mënyrën e konsumimit, përdorimin dhe rreziqet që vijnë prej tyre.
Më lejoni t’ia nis këtij artikulli me një histori patatetsh drejt e nga Rusia.
Gojëdhënat tona tregojnë që kur Pjetri i Madh u kthye nga udhëtimi i tij në Evropën Perëndimore në vitet 1700, solli në vendlindje një thes me patate. Për më shumë se një shekull pas atij udhëtimi, patatja njihej si “molla e djallit” dhe mendohej të ishte e helmuar. Arsyet e këtij perceptimi nuk i di askush.
Megjithatë diku nga mesi i 1800-ës e më tej, patatja u bë e famshme dhe u shpërnda në mbarë vendin. Tani, Rusia renditet e treta pas Kinës dhe Indisë për prodhimin e patates. Rusia prodhon më shumë se 30 milion ton çdo vit. Një rus konsumon mbi 130 kilogram patate në vit.
Shqipëria nga ana tjetër, prodhon 240 000 ton patate në vit, ndërkohë që një shqiptar konsumon rreth 30 kilogram patate në vit. Patatja është e thjeshtë për t’u mbjellë, rritur, ruajtur dhe gatuar. Vazhdimisht është konsideruar si shpëtimtare kundër krizës globale të ushqimit, për shkak të të çmimit të ulët dhe jo vetëm.
Tani të flasim më shumë për të mirat dhe të këqijat e patates. Është mjaft interesante që patatet kanë shumë pak kalori, gjthnjë nëse nuk janë të skuqura. Një patate mesatare përmban 110 kalori. Patatet janë një burim i pasur i vitaminës C dhe B6, manganit, fosforit, niacinës dhe acidit pantotenik.
Fibra dhe kaliumi tek patatet ndihmojnë në uljen e kolesterolit, rrjedhimisht duke ulur tensionin e gjakut.
Disavantazhi kryesor i konsumimit të patates qëndron tek fakti që kanë një sasi të lartë karbohidratesh që rrisin nivelin e sheqerit në gjak krejt papritur dhe më pas e ulin atë menjëherë. Kjo do të thotë që njerëzit do të ndihen të uritur menjëherë pasi kanë ngrënë patate.
Por ama një gjë e tillë do të thotë që ju nuk do të ndaloni së ngrëni. Pavarësisht karbohidrateve, fibra tek patatet ndihmon në përmirësimin e tretjes.
Shqiptarët thonë “gjella me kripë e kripa me karar” por kur vjen puna tek patatet, ne rusët e teprojmë.
Ndonjëherë më duket sikur patatet i fusim në çdo gatim: sallatë, supa, petulla, etj. Mjekët rekomandojnë që mënyra më e mirë për të ngrënë një patate është në formën e saj të plotë e të papërpunuar duke qenë se pjekja, zjeria apo përdorimi i mikrovalës humbet pjesën më të madhe të vlerave të patates.
Lëkura e patates duhet ngrënë sepse përmban shumë vitamina dhe ushqyes.
Tani që po e mendoj, një nga gatimet më popullore në Rusi është ‘kartofel v mundire’, që përkthehet në “patatja me uniformë ushtarake”. Ajo gatuhet e plotë dhe shërbehet me pak kripë, krem dhe kopër.
Një nga gatimet e tjera të preferuara është një recetë nga Bjellorusia që quhet kartofelnye draniki. Bëhet fjalë për petulla me patate që pregatiten duke shtuar kripë, vezë dhe speca. Skuqet në një tigan me vaj.
Bjellorusët konsiderohen kampionë absolutë për mënyrat e pazakonta të përdorimit të patates, duke qenë se kjo perime rritet me bollëk. Vendasit organizojnë shumë festa me temë patatesh, madje bëjnë edhe vodka patatesh. Patatja përdoret edhe si më poshtë:
1. Për të hequr ndryshkun duke përdorur një copë patate ose lëkurën e patates.
2. Për të bërë kompresa të ngrohta ose të ftohta duke qenë se patatja ruan të ngrohtin ose të ftohtin.
3. Për të hequr kripën në gjellë. Vendosni në gjellë disa copa patate dhe do të thithin kripën e tepërt.
4. Për t’i dhënë shkëlqim këpucëve dhe argjendarive.
5. Për të qetësuar të djegurat, përfshirë ato nga dielli. Patatet e gjalla kanë vlera anti-bakteriale.
6. Përdoret si aset bukurie për të trajtuar rrathët e zinj të syve dhe njollat.
7. Patatet janë një alternativë ekologjike ndaj plastikës. Ato ofrojnë materialin e duhur për të prodhuar lugë, enë dhe pirunj njëpërdorimësh bio.
Uroj që ky artikull të ketë ngjallur dëshirën për ta përfshirë pataten në dietën tuaj.
Na tregoni për recetat tuaja të preferuara të patates dhe përdorimet e tjera të saj. Si gjithmonë bon appétit! /AgroWeb.org
*AgroWeb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej tre vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.