Perimja fuqiplotë më elegante e stinës

482 0

Atë ose e do ose e shmang. Rrugë të mesme nuk ka. I kanë vënë shumë pseudonime, që nga gishtërinj femrash deri tek bima e viagrës, duke qenë se zgjeron arteriet, por një gjë është e sigurtë, bamja qëndron në majë të piramidës ushqimore si një super zarzavat. Origjina e bamjeve daton në shekullin e 12 p.e.s në Etiopi. Egjiptianët e lashtë shumë shpejt nisën ta kultivonin këtë perim duke shpikur një formë tjetër përdorimi: ata i piqnin farat e bimës së bamjes për ta bërë kafe. Popujt e disa vendeve në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme ende sot konsumojnë një pije nga bamja si një zëvendësues ndaj kafes.

Por edhe Shipëria nuk mbetet pas në kultivimin e bamjes. Varietetet shqiptare të bamjes janë shumë të kërkuara si nga tregu vendas ashtu dhe për eksport. Mund të përmendim bamjen e Oblikës e cila karakterizohet nga një trup i shkurtër me lartësi 40-50cm dhe 2-3 degëzime. Çdo frut përmban rreth 69 fara. Po ashtu edhe kultivari vendas Libohova është një tjetër varitetet i kërkuar nga tregu. Bamja e vendit edhe këtë vit është në treg dhe pas çmimeve të larta të fillimit tani është pozicionuar në çmimin 130-150 Lekë për kilogram. Lushnja, Berati, por edhe Elbasani dhe Përmeti njihen si bazat e prodhimit të bamjeve shqiptare. Tradita shqiptare rekomandon konsumin e tyre të freskëta, por treva të veçanta i mbledhin këtë periudhë të vitit dhe i thajnë në diell për t’i konsumuar më pas në dimër.

Duke e paragjykuar në shije, ne shpesh kemi neglizhuar vetitë ushqyese të saj. Përmes këtij artikulli AgroWeb do t’ju jape mjaftueshëm arsye për të rënë në dashuri me bamjen, ose të paktën të paktën për ta pëlqyer sadopak.

Dhjetë të mirat e konsumimit të bamjeve

1-Ka pak kalori- bamja përmban vetëm 30 kalori për 100 gram dhe sugjerohet për të gjithë ata që duan të bien në peshë.

2-Nuk përmban yndyrna të ngopura apo kolesterol.

3-Ndihmon për të stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak, duke ngadalësuar absorvimin e saj nga zorrët, duke kontrolluar në këtë mënyrë dhe tipin 2 të Diabetit.

4-Përmban shumë fibra dietike dhe vepron si një laksativ natyral, duke ndihmuar në tretje. Bamja gjithashtu ndihmin bakteret e shëndetshme që ndodhen në zorrë, si dhe ndihmon në ruajtjen e bilancit të pH në traktin tretës.

5-Eshtë e pasur me vitaminë A dhe antioksidues të tjerë, duke qenë se bamja është e pasur me beta-karotenë, lutein dhe ksanthin, që së bashku me vitaminën A, ndihmojnë në përmirësimin e shikimit si dhe mbajnë lëkurën të freskët dhe të shëndetshme. Përdorimi i bamjes ndihmon dhe në parandalimin e kataraktit, si dhe vlerësohet për parandalimit e njollave dhe akneve.

6-Si pasojë e sasisë së madhe të antioksidantëve dhe fibrave që përmbajnë bamjet, ato shpesh asociohen me parandalimin e kancerit, veçanërisht atë të kolonës.

7-Bamja është e pasur me vitamin C, që ndihmon imunitetin e trupit. Duke qenë se vitamin C shërben dhe si një anti-imflamator, bamja është një zgjedhje e mirë për të ulur simptomat e azmës dhe për të parandaluar të ftohtin.

8-Ajo përmban acid folik– 100 gram bamje mbajnë përmbajnë rreth 22% të sasisë ditore që i duhet trupit të njeriut. Mbi të gjitha është tejet e këshillueshme në periudhën e para-fertilizimit dhe gjatë shtatëzanisë, pasi ndihmon në parandalimin e defekteve në lindje. Ushqimet me acid folik ndihmojnë gjithashtu dhe në pastrimin e mushkërive.

9-Eshtë e pasur me minerale, duke përfshirë këtu hekurin, kalciumin, magnezin dhe manganezin.

10-Përmban vitamin K, që është shumë e nevojshme për shëndetin e kockave, si dhe luan një rol të rëndësishëm në koagulimin e gjakut.

Si t’i ruajmë. Sezoni i pikut të bamjes është stina e verës, megjithëse bamjet e ngrira i gjejmë gjatë të gjithë vitit në supermarkete. Kur t’i zgjidhni bamjet, kërkoni ato që janë të plota dhe në ngjyrë sa më të errët, pa njolla. Sa më e plotë dhe e thatë të jetë, aq më shumë vlera ushqyese ka. Bamjet e freskëta mund t’i ruani në një qese plastike me vrima tek pjesa ku mbani zarzavatet në frigorifer për t’iu zgjatur jetën sa më shumë./AgroWeb.org/