Përse Duhet Të Mbillni Dafinë Gjatë Karantinës

903 0

Shqiptarët kanë një histori të gjatë të mbjelljes së dafinës në kopshte dhe tarraca dhe kanë gjetur 1001 mundësi për ta përdorur atë. Ajo besohet se sjell fat në familje dhe është shumë e mirë për rrugët e frymëmarrjes.

Dafina është aleatja juaj më e mirë për shëndetin e rrugëve të frymëmarrjes.

Kura Aromatike Me Dafinë Kundër Gripit, Bllokimeve Dhe Sekrecioneve

Kura me avullin e lëshuar nga dafina i hap rrugët e frymëmarrrjes dhe zhbllokon hundët.

Ekspertët rekomandojnë zierjen e 6 gjetheve të dafinës në dy gota me ujë.

Pasi uji të ketë marrë valë, hiqeni nga zjarri dhe hidheni në një enë tjetër.

Mbulojeni kokën me peshqir dhe mbajeni fytyrën pranë enës.

Merrni frymë thellë duke nuhatur aromën e këndshme të dafinës.

Shurup Kolle Me Dafinë

Dafina përbën një mënyrë efikase për të trajtuar kollën e thatë.

Kura kundër kësaj kolle përgatitet shumë lehtë në kushtet e shtëpisë.

Në një tenxhere ose çajnik hidhni dy gota me ujë dhe më pas 6 gjethe dafine.

Pasi të kenë zier për 15 minuta, kullojeni lëngun dhe lëreni të ftohet.

Lëngun hidheni në një tas qelqi dhe shtoni gjashtë lugë gjelle me sheqer kaf dhe lëngun e një limoni.

Përziejini mirë përbërësit me njëri tjetrin dhe lëngun futeni në një kavanoz me kapak, të cilin mund ta ruani në frigorifer për 7 ditë.

Si Të Mbillni Dafinë Në Vazo

Dafinën mund ta mbillni kur të dëshironi gjatë gjithë vitit, megjithatë nga marsi në tetor, që është edhe periudha e rritjes, bima juaj duhet të ujitet më shpesh.

Ju mund të merrni një degë të hollë nga një pemës dafine. Ajo duhet të ketë një gjatësi prej 8-10 centimetrash.

Hiqni gjethet dhe vendoseni degën në një vazo.

Mbusheni dy të tretën e saj me rërë e guralecë dhe një të tretën me dhe’ të plehëruar organik. Mbulojeni vazon me një qese plastike, por mos e lejoni të prekë degën e dafinës.

Mbulimi do të krijojë një serë të vogël për rritjen për së mbari të dafinës që nga dega.

Kësaj të fundit do t’i duhen disa muaj deri sa të lëshojë rrënjë dhe kur ta bëjë këtë gjë, atëherë mund të vendosni nëse dëshironi ta transportoni bimën e re  në një vazo tjetër.

Në vazo  shtoni lëngun e gjysëm limoni jeshil për të ekuilibruar aciditetin e dheut.

Ju duhet të angazhoheni t’i ndërroni dafinës së re ‘shtëpi’ herë pas here dhe ta ushqeni me pleh për të siguruar rritjen e saj.

Pema ka nevojë për shumë diell, por nëse ndodheni në një vend me klimë të nxehtë, atëherë sigurohuni që bima të ketë hije të pjesshme.

Dafina kërkon të mbrohet edhe nga era.

Vaditja

Dafina duhet ujitur herë pas here, por sigurohuni që dheu përreth të jetë i thatë kur ta ujisni.

Trungu i ri i pemës duhet të ketë hapësirë dhe nuk duhet mbuluar me shumë pleh.

Pema e dafinës nuk ka nevojë për krasitje, përveç se në rastet kur dëshironi t’i jepni një formë rrethore.

Ajo do të jetë shtatshkurtër ndërkohë që gjethet e saj mund t’i këpusni kur pema të jetë formuar plotësisht. Gjethet duhen këputur herët gjatë ditës për të ruajtur aromën e tyre./AgroWeb.org