Përtej Hidratimit – Vlerat e Mëdha të Kastravecave

491 0

Kastravecat (Lat.Cucumis sativus) i përkasin të njëjtës familje botanike ku bën pjesë pjepri, shalqini, kungulli, kungulleshkat dhe të gjithë kultivarët e tyre. Prodhimi tregtar i kastravecëve ndahet në dy lloje: kastraveca për konsum të freskët dhe kastraveca për turshi. Kastravecat e freskët janë më të mëdhenj dhe kanë lëkurë të trashë ndërsa kastravecat për turshi janë më të vegjël dhe lëkurë më të hollë.

Lushnja e Fieri janë nga zonat më popullore në Shqipëri për kultivimin e kastravecave. Varietetet shqiptare të hershme të kastravecit nuk kultivohen më gjerësisht, për shkak të nivelit të ulët të prodhimit. Fermerët i kultivojnë këto varietete vetëm për konsum familjar.

Kastraveci që teknikisht është frut, renditet në vendin e katërt ndër perimet e kultivuara në botë. Atë e gjejmë kudo dhe mbi të gjitha rritja e tij në kushtet e shtëpisë është shumë e lehtë. Kastravecat lulëzojnë edhe në saksi, për sa kohë kanë një strukturë mbajtëse që lejon bimën të zvarritet.

1. Kastravecat mbrojnë trurin
Kastravecat përmbajnë flavanolë që luftojnë inflamacionin dhe luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e trurit. Për më tepër, ato përmirësojnë kujtesën dhe mbrojnë qelizat nga dëmtimet e moshës. 

2. Luftojnë inflamacionin
Kastravecat ndihmojnë në uljen e reagimeve inflamatore në organizëm. Ekstraktet e kastravecit luftojnë inflamacionin, duke parandaluar aktivitetin e enzimave që e shkaktojnë atë.

3. Antioksidantët
Kastravecat përmbajnë shumë antioksidantë, përfshirë vitaminën C dhe beta karotenin. Ato janë të pasur me flavonoidë si kuercetina, apigenina, luteolina dhe kaemferoli që ofrojnë vlera të shtuara për organizmin. 

4. Mbështesin shëndetin e zemrës
Kastravecat përmbajnë kalium, që ka lidhje me uljen e tensionit të gjakut. Ekuilibrat e duhura të kaliumit brenda dhe jashtë qelizave janë thelbësore për funksionin normal të organizmit.

5. Freskojnë gojën
Kafshimi i një kastraveci largon bakteret e gojës që shkaktojnë erën e keqe të saj. Ngrënia e kastravecave ndihmon në shuarjen e nxehtësisë së tepërt në stomak që mendohet të jetë shkaktari kryesor i aromës së rëndë.

6. Mbajtja e stresit nën kontroll
Kastravecat përmbajnë vitaminat B, siç janë B1, B5 dhe B7, të cilat ndihmojnë në largimin e ndjenjës së ankthit dhe ndikimit të dëmshëm të stresit.

7. Mbrojnë sistemin tretës
Kastravecat janë të pasur me dy ndër elementët bazë për një tretje të shëndetshme: ujë dhe fibër. Nëse konsumoni më shumë kastravecë në sallata ose lëngje do të plotësoni sasinë ideale të fibrës, për të cilën trupi ka nevojë (50 gramë për 1000 kalori të konsumuara). Nëse vuani nga refluksi acidic, pirja e ujit rrit përkohësisht nivelet e pehashit në stomak dhe pakëson simptomat akute. Të njëjtin efekt kanë edhe kastravecat e pasur me ujë. Lëkura e kastravecit përmban fibër të patretshme që ka ndikim direkt tek zorrët dhe përshpejton lëvizjen e ushqimit dhe daljen e tij.

8. Ndihmojnë në ruajtjen e peshës
Kastravecat përmbajnë pak kalori, por janë padyshim një ushqim i shijshëm dhe plotësues. Një filxhan me feta kastraveci përmban 16 kalori./AgroWeb.org