Prodhimet Shqiptare Tanimë Një Atraksion i Fuqishëm Turistik

473 0

“E dua shqip” është nisma më e re e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në mbështetje të bizneseve shqiptare dhe produkteve ‘Made in Albania’.

AIDA, njofton se, çdo biznes apo artizan, që prodhon produkte të ndryshme tradicionale nga çdo skaj i vendit, duke i prezantuar ato në një katalog të posaçëm mund t’i kthejë në asete dhe në një “atraksion turistik” për vendin e origjinës nga (qytetin, fshatin) ku prodhohen.

Ekspertë të AIDA-s, shprehen se, kjo nismë synon të krijojë një katalog sa më të plotë dhe gjithëpërfshirës, i cili i vjen në ndihmë sektorit të turizmit si një guidë kulinare apo artizane për veçoritë që kanë zona të ndryshme sipas produkteve të promovuar.

AIDA i bën apel biznesit vendas, të bashkëpunojnë së bashku për të njohur produktin shqiptar që është aq i larmishëm dhe në dinamikë të vazhdueshme të ripërtëritjes së traditës së hershme, mjaft e kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Rrënjët janë të rëndësishme.

“Zgjidh shqip, duaje tënden.Kjo fushatë promovimi e produkteve shqiptare ka si qëllim forcimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vendin tonë”, shprehet në njoftimin e saj AIDA.

Ndërkohë Gështenja e Malësisë së Madhe, Mjalti i Gështenjës së Tropojës, Mjalti i Gështenjës së Malësisë së Madhe, Boronica e Bjeshkëve të Tropojës, Boronica e Bjeshkëve Kuksiane, Jufka Dibrane, Mjalti i Gështenjës së Reçit, Mishi i Dhisë së Hasit, Uji Korabi, Uji Glina dhe Vaji i prodhuesve nga Borshi, janë 11 produktet tradicionale shqiptare që kanë markën e cilësisë.

Ndryshimet e miratuara së fundi në ligjin “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, i kanë hapur rrugë njohjes dhe certifikimit të produkteve bujqësore agroushqimore me tre sisteme kryesore të përafruara me BE-në që janë: Emërtimi i Origjinës së Mbrojtur (EOM), Treguesi Gjeografik i Mbrojtur (TGJM) dhe Specialiteti Tradicional i Garantuar (STG).

Fokusi dhe vlerësimi i karakteristikave unike të produkteve shqiptare bëhet sipas  praktikave të vendeve të BE, çka i ka hapur rrugë ndërtimit të sistemeve të cilësisë për një gamë edhe më te produkteve shqiptare, që janë një potencial dhe vlerë e shtuar për ofertën turistike. /Burimi:Atsh