Produktet Më Të Shitura Nëpër Farmaci – Çmimet e Përcaktuara

531 0

Javën e shkuar, shtrirja graduale e masave nga dezinfektuesit tek maskat kaloi në distancim të klientëve me një metër nëpër farmaci, apo lënien e tyre pas dere.

Përtej panikut të disa ditëve më parë, kur u vu alarmi i koronavirusit, për shkak edhe të shfaqjes së rasteve të para në vendin tonë, tashmë farmacitë raportojnë se situata është qetësuar disi.

Sipas të dhënave kërkesa vazhdon e njëjtë për dezinfektues, maska, doreza apo Vitaminë C ose vitamina të integruara.

Zgjidhja për përballimin e fluksit

Farmacistët po respektojnë pjesën e distancës që duhet të kenë qytetarët kur paraqiten pranë farmacisë, por kjo është diçka që nuk ua imponon dot.

“Tendenca e të gjithëve ka qenë kush të marrë më parë ç’të mundë, duke anashkaluar kujdesin dhe me këtë, duke kërcënuar seriozisht veten dhe të tjerët. Prandaj kemi nisur të lëmë dyert mbyllur dhe të aplikojmë mbajtjen e radhës,” shprehet Jola, farmaciste në Tiranë.

Sipas saj, së fundmi është bërë furnizimi i plotë me doreza, maska e dezinfektues.

Edhe kur ka pasur mungesa, ato kanë qenë në afate të shkurtra, por problematike ka qenë tendenca për të blerë sasi të mëdha nga të gjithë.

Një situatë e tillë bën që sasia të mbarojë shpejt dhe kërkesa të mbetet e paplotësuar.

Çmimet e Dorezave e Maskave, Dezinfektantëve dhe Vitaminave

Dorashkat njëpërdorimëshe sot mund t’i gjesh me 50 lekë copa, ose mund të marrësh një kuti me 50 copë, për 700 lekë.

Maskat janë nga më të ndryshmet, ku të thjeshtat fillojnë 50 lekë e deri në 800 lekë.

Urdhri i Farmacistëve deklaroi javën e shkruar se rritja erdhi në kushtet e mbarimit të stokut të maskave dhe blerjes së tyre në tregjet afër nesh.

Kostoja në këto tregje ka rezultuar më e lartë sesa kostoja me të cilën importohen këto maska nga Kina.

Dezinfektuesit, nga ana tjetër, sipas llojit, sasisë, janë kufizuar diku mes 150-250 lekë për sasi 100-250 mililitra.

Në finale, vitaminat, sidomos ato C, janë tërhequr më shumë në një tentativë për të ndjekur këshillat e mjekëve dhe për të rritur imunitetin.

Në treg qarkullojnë prodhime nga kompani të ndryshme dhe çmimi luhatet deri në 1000 lekë për 60 tableta.

Kërkesë të lartë në farmaci, sidomos në ditët kur u bë e qartë karantinimi i detyruar i të gjithëve në shtëpi ka qenë për qetësues, magnez, apo medikamente për dhimbjen e kokës apo alergjitë qe tani në pranverë shfaqen masivisht./Burimi:Monitor