Shtyrja e Kësteve të Kredive – Çfarë Duhet të Dinë Bizneset e Bujqësisë

253 0

Shtyrja e afatit të shlyerjes së këstëve të kredive për një periudhë 3 mujore me qëllim lehtësimin e problemeve financiare të qytetarëve dhe bizneseve për shkak i situatës së krijuar nga pandemia Covid 19 prek edhe sektorin e bujqësisë.

Situata e krijuar në vënd si pasojë e përhapjes së Covid 19 pritet të ndikime negative në ekonominë shqiptare dhe në mënyrë të pashmangshme në sektorin bujqësor, i cili përbën rreth 20% të PBB-së. Masat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për të ngadalësuar përhapjen e virusit  mund të shkaktojnë rënie të aktivitetit ekonomik në segmente të caktuara të zinxhirit të vlerës në bujqësi.

Për t’i paraprirë kësaj situate për ekonominë në tërësi përfshi sektorin bujqësor Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë kanë miratuar një Urdhër të Përbashkët në lidhje me shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredive deri në datë 31 Maj 2020.

Menaxheri i Shërbimeve për AgroBiznesin pranë Creative Business Solutions (CBS), Ergent Pire, i pyetur nga AgroWeb jep disa këshilla se si fermerët dhe agrobizneset duhet të veprojnë për të përfituar shtyrje të afatit të shlyerjes së kësteve të kredive.

Përmes këtij vendimi, të gjithë aktorët dhe segmentet e prekura të zinxhirit të vlerës në sektorin bujqësor që kanë një kredi ekzistuese dhe po hasin vështirësi në shlyerjen e kësteve për shkak të rënies së aktivitetit prodhues dhe tregtues si pasojë e masave të ndërmarra nga Qeveria Shqipëtare tashme e kanë një zgjidhje për të amortizuar sadopak ndikimet negative të kësaj situate të pazakontë.

Si veprohet për të përfituar nga ky vendim

Duke iu referuar vendimit, Pire bën të ditur se të gjithë aktorët nga segmentet e prekura në sektorin bujqësor mund të komunikojne me kredidhënësit (banka dhe institucione financiare, unione kursim krediti etj) dhe të argumentojnë arsyet mbi nevojat për shtyrjen e pagimit të kësteve.  Bankat nga ana tjetër do të marrin 3 ditë kohë për të vlerësuar kërkesat e kredimarrësve për shtyrje të afateve të pagimit të kësteve. Shtyrja mund të kërkohet maksimalisht deri në datën 31.05.2020.

Pire thekson se kërkesa për shtyrjen e pagimit të kësteve të kredisë duhet të jetë e mirë argumentuar dhe e mbështetur me fakte pasi vendim-marrja për shtyrjen e afatit mbetet në diskrecionin e plotë të bankave dhe institucioneve financiare.

Ky urdher ofron një mundësi konkrete për të lehtësuar sadopak efeket negative të masave të ndërmarra nga Qeveria Shqipëtare për një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë siç është bujqësia./AgroWeb.org