Produktet Natyrale Me Vlera Ideale për Imunitetin

328 0

Mjekësia natyrale na vjen gjithmonë në ndihmë kur jemi sëmurë, megjithatë kur vjen dimri, na duhet gjithmonë të marrim masa shtesë për të garantuar një shëndet të mirë. Më poshtë do të gjeni një listë të përgatitur nga AgroWeb.org me ushqime, erëza dhe veprime që duhet të bëni që të forconi sistemin imunitar.

Dimri është stina të ftohtit, kollës dhe gripit. Tashmë, sistemi ynë imunitar ndikohet menjëherë. Por, përpara se të shkoni tek farmacia e lagjes për një dorë vitamina, apo ilaçe të tjera kundër gripit, jeni akoma në kohë për t’i ardhur në ndihmë imunitetit tuaj me një listë ushqimesh dhe erëzash të cilat rikthejnë balancën natyrale në organizmin tuaj, ju bëjnë të ndiheni më të shëndetshëm dhe që për më tepër i gjeni lehtësisht në kuzhinën tuaj, tregun ose shitësin e preferuar.

Vaji esencial i trumzës

Çdo kuzhinë ka një raft më vete për erëzat dhe vajrat bimorë. Trumza është një prej tyre. Vaji esencial i trumzës ka shumë vlera dhe vret bakteret e dëmshme në sistemin tretës. Këtë bimë e gjejmë me tepricë në zonën e Mesdheut. Ajo mbron dhe forcon imunitetin, sipas disa studimeve shkencore. Rekomandohet që të konsumoni 200 miligram vaj esencial trumze, tre herë në ditë nëse doni të largoni infeksionet.

Treshja e gjelbër

Mëlçia është një nga organet më të fuqishme të trupit dhe është arma më e fortë e imunitetit. Me fjalë të thjeshta, shëndeti i melçisë ka një lidhje të drejtpërdrejtë me hormonet dhe qelizat që janë përgjegjëse për forcën e sistemit imunitar. Treshja e gjelbër – brokoli, sallata marule dhe lakra – kontribuojnë në shëndetin e mëlçisë nëse konsumohen rregullisht. Këto produkte i gjeni lehtësisht dhe janë baza e forcimit të sistemit imunitar.

Avokado

Ju duhet të konsumoni avokado më shpesh. Ky frut i gjelbër jep amino-acidet e nevojshme, antioksidantët dhe yndyrnat e pangopura që luajnë një rol të rëndësishëm në pasjen e një sistemi të shëndetshëm imunitar. AgroWeb.org ju këshillon të përpiqeni të konsumi gjysëm avokado në ditë që të fuqizoni shëndetin tuaj.

Xhenxhefili

Studime të viteve të fundit kanë konfirmuar vlerat shëndetësore të xhenxhefilit, por ai është përdorur prej shekujsh kundër sëmundjeve. Me shijen pikante, xhenxhefili është një burim i mirë antioksidantësh njësoj si avokadot. Xhenxhefili dhe përbërësit e tij shërbejnë si pastrues të toksinave nga organet. Studimet shkencore në lidhje me vlerat e xhenxhefilit mbi sistemin imunitar konfirmojnë se ai është një aleat i gjithë trupit dhe e mbron atë.

Boronica

Boronicat janë një kurë mjekësore e lashtë, por konsumatorët shqiptarë së fundmi janë ndërgjegjësuar për vlerat dhe antioksidantët që përmbajnë këto kokrra të shijshme. AgroWeb.org ju tregon boronicat mund t’i konsumoni të njoma, të ngrira ose të thata dhe do të përfitoni prej vlerave të tyre.

Tërshëra

Tërshëra është pjesë e pandashme e njerëzve që duan të bien në peshë. Studiuesit në Universitetin e Harvardit, demonstruan në vitin 2015 se tërshëra ishte çelësi i jetëgjatësisë dhe ulte rrezikun e vdekshmërisë së parakohshme. Tërshëra përmban sasi të larta të fibrës së tretshme dhe ul nivelet e kolesterolit të keq.

Gjumi i qetë

Nëse vini një regjim të rregullt gjumi, do të mbani larg një sërë sëmundjesh duke nisur nga depresioni, problemet me lëkurën sepse pagjumësia është arsyeja kryesore për një sërë sëmundjesh. Mbani mend që një gjumë i mirë dhe i qetë është thelbësor për trupin. Të fjeturit mirë natën e ndihmon organizmin të luftojnë infeksionet më të rëndomta./AgroWeb.org