Produktet Natyrale Që Rregullojnë Metabolizmin

205 0

Metabolizmi është proçesi i shndërrimit te ushqimeve dhe pijeve që ne konsumojmë, në energji. Ju mund të rrisni ritmin e rënies në peshë, duke fuqizuar ritmin e metabolizmit por për të bërë këtë, duhet të konsumoni ushqime që aktivizojnë hormonet e duhura për të përshpejtuar këtë proçes. Lexoni më poshtë listën e përgatitur nga AgroWeb:

Hudhra

Hudhra përmban një antioksidant që quhet glutathione, që ndihmon mëlçinë në pastrimin e organizmit nga kimikatet që shpërqendrojnë ose ndërpresin formimin e hormoneve dhe ngadalësojnë metabolizmin. Mënyra më e mirë për të shtuar hudhrën në dietën tuaj është ta përzieni atë me ushqimet e përditshme. Nëse nuk ju pëlqen shija dhe aroma e hudhrës, duhet të dini që shumë dyqane bimësh organike ofrojnë hudhër në formën e kapsulës që mund të merret dhe përdoret si alternativë e perimes së tokës me aromë të fortë.

Brokoli

Brokoli është i pasur me fibër dhe ujë. Kjo do të thotë që, nëse hani brokoli do të ndiheni të ngopur shpejt, dhe si rrjedhojë nuk do t’ju pushtojë dëshira e çmendur për të ngrënë pa fund. Përmbajtja e lartë e fibrës tek brokoli ndihmon yndyrnat të lëvizin më shpejt në sistemin tretës duke garantuar që organizmi të ketë më pak mundësi për të përthithur yndyrna me tepricë.

Frutat e pyllit

Frutat e pyllit si boronicat, manaferrat, mjedra përmbajnë një substancë të quajtur anthocianinë. Kjo përmbajtje i bën frutat e pyllit të kenë vlera të mëdha në përshpejtimin e metabolizmit në mënyrë që ju të humbni peshë me shpejt, por në mënyrë më të shëndetshme. Frutat e pyllit gjithashtu ndihmojnë qelizat të çlirojnë hormonet e duhura në mënyrë që niveli i sheqernave në gjak të ulet shëndetshëm dhe inflamacioni të zvogëlohet.

Fasulet

Fasulet e thata ndihmojnë metabolizmin tuaj të funksionojë në mënyrë efikase duke ngadalësuar ritmet e rritjes së nivelit të sheqerit në gjak. Fasulet gjithashtu ndihmojnë që ju të ndiheni më të ngopur, më shpejt. Kështu fasulet mbajnë nën fre dëshirën për ta tepruar me të ngrënët. Përpiquni të shtoni më shumë fasule të zeza ose normale në dietën tuaj, të paktën 3 herë në javë.

Drithërat e plota

Ushqimet me drithëra të plota, siç janë elbi apo tërshëra janë efikasë në rënien në peshë, sepse ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur më shpejt se ushqimet e tjera. Këto produkte janë të suksesshme në misionin e tyre sepse stimulojnë qelizat e yndyrës të çlirojnë leptinën, edhe ky një hormon që na bën të ndihemi të ngopur.

Fibra në drithërat e plotë, mban në nivele të qëndrueshme insulinën duke ngadalësuar çlirimin e sheqerit në gjak. Rrjedhimisht ndihmon metabolizmin të funksionojë në mënyrë më efikase. /AgroWeb.org