Pse Ekonomia Shqiptare do të Ketë Rënien më të Madhe në Rajon

328 0

Borxhi publik, relativisht i lartë, si dhe likuiditeti i ulët me të cilin po përballej Shqipëria në fillim të krizës nuk e ka ndihmuar atë të ofrojë një paketë ndihme, si në nivelet rajonale, tha Matteo Colangeli, Drejtori i zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë.

Colangeli shtoi se arsyet pse Shqipëria parashikohet nga BERZH të blerë me 9% lidhen me varësinë e saj nga turizmi, por dhe nga faktorë të tjerë si informaliteti, pritshmëria për dërgesat e emigrantëve, pasojat e tërmetit, si dhe fakti që Shqipëria hyri në krizë me një ekonomi tashmë të ngadalësuar.

Ai sugjeroi se vendi ynë është para mundësive të reja, teksa zinxhirët e furnizimit global po shkurtohen dhe prodhuesit europianë po shikojnë mënyra për ta afruar prodhimin në shtëpi, Shqipëria mund të jetë në një pozitë të fortë për të tërhequr investime.

Colangeli tha se përtej mbështetjes afatshkurtër të likuiditetit, mendon se do të jetë e rëndësishme të krijohen kushtet për një model më gjithëpërfshirës të zhvillimit ekonomik, në të cilin një grup më i larmishëm i industrive, rajoneve dhe grupeve sociale të kontribuojnë dhe përfitojnë nga rritja gjatë periudhës së rimëkëmbjes.

BERZH parashikoi që ekonomia shqiptare do të tkurrej me 9% gjatë 2020-s, më e larta në rajon dhe pothuajse dyfish në raport me FMN-në dhe Bankën Botërore. Pse ky pesimizëm?

Parashikimet ekonomike janë veçanërisht të pasigurta në situatën aktuale, pasi ato varen në një masë të madhe nga ecuria e COVID-19 dhe çfarë masash do të marrin qeveritë për ta frenuar atë.

Shkalla në të cilën do të ndikohen vendet individuale varet nga shumë faktorë, duke përfshirë rëndësinë relative të disa sektorëve në Prodhimin e Brendshëm Bruto, integrimin e tyre në zinxhirin global të vlerave, vendndodhjen gjeografike dhe partnerët kyç tregtarë, po ashtu dhe kushtet specifike që mbizotëronin përpara se të fillonte kriza. Shqipëria rezulton të jetë veçanërisht e ndikuar për shkak të një kombinimi të pafavorshëm të disa prej këtyre faktorëve.

Së pari, rëndësia e konsiderueshme e turizmit në ekonominë e tij, i cili duke përfshirë kontributet direkte dhe indirekte vlerësohet se zë mbi 20% të Produktit të Brendshëm Bruto. Duke pasur parasysh që kjo është përqendruar në një sezon relativisht të shkurtër veror, mund të presim që kufizimet e udhëtimit të përkthehen në një numër të reduktuar të vizitorëve të huaj dhe të ardhurave nga turizmi në vitin 2020.

Së dyti, lidhjet e ngushta tregtare me Italinë, një nga vendet më të prekura të Europës, ka të ngjarë të pësojnë ndërprerje, që do të ndikojnë në reduktimin e aktivitetit në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, siç është industria ‘fason’.

Së treti, konsumi i brendshëm mund të tkurret më shumë se në vendet e tjera, si rezultat i karakteristikave të caktuara të ekonomisë shqiptare, siç është pesha e madhe e punësimit informal, i cili është veçanërisht i prekshëm gjatë një krize, si dhe nga rëndësia ende e lartë e dërgesave të emigrantëve, të cilat ka të ngjarë të bien. Së katërti, Shqipëria hyri në këtë krizë pas tërmetit të nëntorit të kaluar, me një ekonomi, e cila kishte filluar tashmë të ngadalësohej./Monitor