Pse Vaksina Ndaj COVID-19 Duhet Të Ruhet Në Temperatura Të Ulta?

339 0

Disa nga vaksinat ndaj Covid-19 si Pfizer ose Moderna, duhet të ruhen posaçërisht në temperatura nën zero gradë.

Por pse është kaq e rëndësishme që vaksinat të ruhen në temperatura shumë të ulta?

AgroWeb.org në bazë të të dhënave, ju njeh më poshtë me rëndësinë e ruajtjes së tyre në kushetet e caktuara.

Pse vaksinat COVID duhet të ruhen në temperatura të ulta?

Kjo ka të bëjë me një përbërës shumë të rëndësishëm që ato përmbajnë që quhet mRNA.

Injektimi i RNA-së tek një person funksionon duke e udhëzuar trupin të prodhojë një proteinë që gjendet në sipërfaqen e virusit korona.

Sistemi imunitar përgjigjet duke krijuar antitrupa kundër kësaj proteine . Kështu  e mëson trupin se si të mbrohet kundër virusit në të ardhmen.

Ky përbërës është mjaft delikat dhe mund të degradojë me shpejtësi e të shkatërrohet.

Për ta ruajtur, prodhuesit e vaksinave e veshin këtë përbërës me nanopjesëza lipide.

Këto flluska të vogla yndyre ndihmojnë në bartjen e ARN-së në qelizat tona dhe ofrojnë mbrojtje kundër enzimave që mund të shkatërrojnë materialin e brishtë gjenetik.

Megjithatë edhe kjo veshje nuk është e mjaftueshme për të mbrojtur RNA-në, prandaj këtu hyjnë në funksion temeraturat e ulta.

Formulat specifike të nanopjesëzave lipide, të cilat mbahen sekrete nga prodhuesit e ilaçeve, përcaktojnë sesa të ftohta duhet të mbahen vaksinat.

Prandaj kërkesat për ruajtjen e tyre ndryshojnë në varësi të prodhuesit.

Si mbahen të ftohta vaksinat COVID-19?

Ruajtja e vaksinave fillon nga temperatura e kontrolluar, e cila monitorohet që nga prodhuesi, qendrat e transportit, aeroplanët e deri tek kamionët për në klinikë.

Disa vaksina si Moderna, nuk kërkojnë ndonjë trajtim jashtëzakonisht të veçantë, përveç ruajtjes në temperaturë të ulët.

Ndërsa vaksina Pfizer është e paketuar në akull të thatë dhe transportohet në kontejnerë të veçantë termikë. Të cilët janë të kompletuar me sensorë që përcjellin vendndodhjen dhe temperaturat, për tu siguruar që të qëndrojë brenda intervalit të kërkuar të temperaturës.

Objektet shëndetësore gjithashtu kanë mundësinë të mbajnë vaksinat Pfizer në kontejnerët e tyre termikë dhe të shtojnë akull të thatë çdo pesë ditë deri në një muaj, ose ta ruajnë atë në një frigorifer deri në pesë ditë.

Megjithatë shpërndarja e vaksinës Pfizer në disa komunitete veçanërisht në zonat rurale është e mbushur me sfida.

Mungesa e akullit ose vështirësitë në planifikim mund të jenë disa nga sfidat që hasen.

Por me anë të teknologjisë këto sfida janë kapërcyer me sukses./AgroWeb.org